Kthimi i Qemajl Mustafës e shpëton PDK dhe e ridimenzionon skenën politikë në Anamoravë

Gjilan – Kohëve të fundit ka shumë iniciativa brenda degës së PDK-së në Gjilan që po e kërkojnë me çdo kusht kthimin e Qemajl Mustafës. Fadil Osmani është njeriu më i votuari në PDK e Gjilanit dhe thotë se vetëm kthimi i Qemajl Mustafës e shpëton degën e PDK-së në Gjilan. Por çka thotë Qemajl Mustafa e çka thotë Bajram Isufi për rikthimin e Qemajl Mustafës.
Ka zëra të shumtë brenda degës së PDK-së në Gjilan që po e kërkojnë vazhdimisht rikthimin e Qemajl Mustafës. PDK në Gjilan ka mundur të vije në pushtet vetëm pasi është kyçur Qemajl Mustafa, ndërsa vazhdimisht ka humbur kur ishte në krye Ismajl Kurteshi dhe tash së fundit Zenun Pajaziti, raporton rajonipress.
Ka madje zëra në PDK që thonë se PDK në Gjilan është rrënuar dhe pothuajse ka kapitulluar meqë Zenun Pajaziti dhe Izmi Zeka vazhdimisht kanë punuar për interesa të veta personale dhe kanë anashkaluar interesin partiak.
Por si e shohin njerëzit meritor dhe kyç në Gjilan rikthimin e Qemajl Mustafës.
Fadil Osmani i cili është pasiv në politikë, por që është më i votuari në historikun e degës së PDK-së në Gjilan thotë për rajonipress se vetëm kthimi i Qemajl Mustafës mund ta shpëtoj PDK e Gjilanit. “Kjo tashmë dihet dhe e dimë të gjithë se vetëm kthimi i Qemajl Mustafës mund ta ngjallë dhe ridimenzionojë skenën politike në Anamoravë. Qemajl Mustafa i dha gjak, shtytje dhe guxim degës së PDK-së në Gjilan kur fitoj në dy palë zgjedhje. Të tjerët as ëndërr nuk mund ta shohin fitoren ose kthimin e PDK në pushtet. Çdo sekondë dhe çdo minutë me këtë garniturë brenda degës së PDK-së në Gjilan është humbje kohe, është humbje për aktivistët dhe nëndegët e shumta që i ka dega. Po të kthehej Qemajl Mustafa atëherë ka një interesim të jashtëzakonshëm për ta dinamizuar degën dhe për të hyrë në garën fituese në zgjedhjet e ardhshme” shprehet Osmani.
Osmani thotë se Qemajl Mustafa e ka dijen, e ka guximin dhe e ka anën profesionale e kombëtare që se ka asnjë kandidatë brenda degës së PDK-së.
Kurse vet Qemajl Mustafa i kontaktuar nga rajonipress tha se nuk ka diçka konkrete ende. “Është një iniciativë e aktivistëve të degës që të krijohen rrethanat për kthim, por pa u marr vesh mirë me qendrën dhe me e shkrue një marrëveshje për trajtim meritor për degën, për komunën dhe për mua nuk kam pse kthehem”tha shkurt Mustafa.
Bajram Isufi anëtar i kryesisë tha për rajonipress se në degën e PDK-së dega në Gjilan tek kanë filluar zgjedhjet në rinin demokratike, pastaj me gruan demokratike ndërsa në fund do të mbahen edhe zgjedhjet nga seksionet, nëndegët, kuvendi i degës, ku nga këshilli i degës do të dalin struktura e si kryesia dhe kryetari i degës. “Janë duke u lakuar disa emra për t`i prirë degës së PDK në Gjilan në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar. Njëri nga kandidatët që po kërkohet nga një pjesë e kryesisë së tanishme, kryetar nëndegësh simpatizant, qytetar është ish kryetari i Komunës në dy mandate Qemajl Mustafa tek i cili po shihet shpresa që ai te rikthehet dhe me një kryesi të reformuar me kuadro të dëshmuara në të kaluarën dhe të tanishmen, ta kthej përsëri PDK e Gjilanit të udhëheq në zgjedhjet e ardhshme komunale. Si do qoftë presim të fillojnë zgjedhjet në parti të bindur të jen të lira e demokratike e të fitojnë më të mirët e mos të ndodh përvoja e keqe e zgjedhjeve partiake në 2013, ku është lënduar procesi zgjedhor dhe kanë mbetur jashtë strukturës shumë aktivist e njohës të profileve të ndryshme” tha Isufi për rajonipress.
Edhe, Bujar Uruqi i cili është përfaqësues i nëndegës së PDK-së në fshatin Bresalc e cila është njëra ndër nëndegët më të mëdhaja në PDK e Gjilanit ka reaguar më herët dhe ka shpërthyer me akuza në adresë të degës.
Bujar Uruqi ka thënë se PDK e Gjilanit po shkon drejt shkatërrimit total meqë njerëzit e saj në udhëheqje synim kryesor e kanë rahatinë e tyre në pozita kyçe dhe asnjëherë s`janë interesuar apo kujdesur për njerëzit dhe aktivistët e devotshëm të saj.
Ndërkohë nga dega e PDK-së janë larguar shumë aktivist të devotshëm të cilët duke parë mjerimin në PDK e Gjilanit janë tërhequr nga ky subjekt i tillë. Kështu ka vepruar më herët Fadil Hajdari.
Hajdari ka thënë se me ardhjen në krye të degës së PDK-së, të Zenun Pajazitit, kjo degë mori teposhtëzën. “Ai e ngulfati zërin progresiv dhe kritik, mbylli rrugët e komunikimit ndërpartiak, degradoi degën bashkë me nëndegë, injoroi strukturat e vjetra dhe të reja të partisë, zhvilloi politikë individuale e assesi kolektive partiake, me një fjalë, ai do të mbahet mend, sa të jetë PDK-ja, si një menaxher i dobët i partisë”, ishte shprehur Fadil Hajdari./rajonipress/