Hidromorava

KSHP kërkon raport më të kompletuar nga KRM “Higjiena”

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Komiteti për Shërbime Publike (KSHP), si trupë profesionale e vendimmarrjes komunale, nuk e ka miratuar të mërkurën raportin e punës së KRM “Higjiena”, duke e vlerësuar atë të mangët në shumë aspekte dhe ka vendosur që nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Publike, t`i kërkojë kësaj kompanie raport më të kompletuar.

Shaqir Ukshini, kryesues i këtij Komiteti, duke u bazuar edhe në diskutimet e anëtarëve tjerë, Zijadin Maliqi, Selami Xhemajli, Mizafere Ismajli, Sejdi Selimi, ka thënë se raportit i mungon pjesa financiare, i mungojnë të dhënat mbi borxhet, i mungon edhe marrëveshja për partneritet me “Eko Higjiena”.

Zijadin Maliqi ka thënë se është obligim i komisionit të aksionarëve që të raportojnë në Komitetin për Shërbime Publike, ndërkohë që ai dhe të tjerët insistuan që në raport të figurojnë borxhet e qytetarëve ndaj kompanisë sikurse edhe borxhet e kompanisë ndaj të tjerëve, efektet e kushtëzimit dhe si është zbatuar kjo masë deri më tani si dhe çështje të tjera që lidhen me punën e kësaj kompanie.

RCCOLA

Xhelil Sahiti, përfaqësues i kompanisë, ka thënë se detyrë parësore e KRM “Higjiena” është grumbullimi, bartja dhe deponimi i mbeturinave, por obligimet e saj nuk kufizohen vetëm te ky shërbim.

Ai tha se kohëve të fundit është paraqitur si problem serioz deponimi i mbeturinave, për shkak të disa raporteve që janë krijuar me deponinë regjionale, përkatësisht me Bordin për menaxhimin e këtyre deponive, prandaj depozitimin e mbeturinave jemi duke e bërë në komunën e Lipjanit, ka thënë Sahiti. Sipas tij, problemi është i dyanshëm.

Sa i përket masës së kushtëzimit, Sahiti tha se ka dhënë efekte pozitive në arkëtimin e obligimeve nga qytetarët dhe pa këtë vendim të Kuvendit Komunal, kompania do ta kishte vështirë të funksiononte, madje dhe të ekzistonte, sepse borxhet shkojnë mbi 2 milionë. Sipas tij, arkëtimi tani është në trend pozitiv.
Sahiti ka thënë se nuk ka pasur falje të borxheve të vjetra, apo të ashtuquajtura borxhe të këqija./rajonipress/