Ksenofobia e pllakosur nga heshtja
Nga Shaip Kamberi – Në një raport të vetin të para disa viteve, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) kishte cilësuar situatën e përgjithshme në Luginë të Preshevës si një “Paqe fragjile” e cila mund të prishet lehtë.
Përpjekjet politike, që po zhvillohen për 12 vjet rresht, që situata në këtë rajon të normalizohet, po mbeten të pakënaqshme. Fragjiliteti i situatës në Luginën e Preshevës, që vjen si pasojë e presioneve të vazhdueshme shtetërore në popullatën shqiptare, ka krijuar gjendjen e padurueshme në dimensionin e sigurisë njerëzore, ekonomisë, sigurisë sociale, qarkullimit të lirë etj. Shkaktare këto që qindra mijëra shqiptarëve, në kërkim të jetës më të rehatshme, u larguan nga trojet e veta.
Se sa e brishtë është situata në Luginën e Preshevës, dëshmojnë edhe krizat e kohëpaskohshme që po krijohen këtu, siç ishte ajo e vitit të kaluar me lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së dhe heqjen e tij të dhunshme nga xhandarmeria serbe.
Incidentet e fundit që ndodhën, së pari në Komunën e Bujanocit, me vrasjen e policit serb Gjorgjeviq dhe së fundi në komunën e Preshevës, me konfiskimin e rreth 6 mijë teksteve për shkollat fillore, të sjella në Luginë, nën rrethana deri më tani të paqarta, po ashtu na rikthejnë në realitetin e zymtë të gjendjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Incidente këto, që ndodhin fill pas një nisme të një procesi të ri politik të përfaqësuesve shqiptarë me qeverinë e Serbisë, i bazuar në “Platformën e masave urgjente për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve”. Ndodhia e fundit rreth librave të konfiskuara ka nxitur edhe zëra për “ndërprerjen urgjente të kontakteve me Serbinë” .
Situata është mjaft delikate, në një anë Serbia po dëshmon radhazi se gjuha e komunikimit të saj me shqiptarët është gjuha policore, sjellje kjo që nxit mllefin e arsyeshëm të opinionit shqiptar në Luginë. Por, në anën tjetër, kur kemi parasysh faktin se procesi i nisur ka të bëjë me shqiptarët dhe të drejtat e tyre, ndoshta një tërheqje e vullnetshme e shqiptarëve nga ky proces është diçka që Serbia në agjendën e vet edhe e dëshiron. Jo që procesi i nisur është shumë premtues, por, fakt është se edhe nëse ai ndërpritet, është me rëndësi të mos ndërpritet me fajin e shqiptarëve, sepse, në atë rast, Serbia, nuk do të ketë asnjë pengesë të shtruar në rrugën e saj të integrimit drejt BE-së.
Rasti tjetër, ai i vrasjes së policit serb G. Gjorgjeviq, në hyrje të Tërnocit, ( një Audi të zi, me tabela të Zvicrës e kishte goditur policin e ndjerë), çoi peshë shtetin serb në atë masë saqë, nga kreu i policisë në Beograd rasti jo vetëm që u cilësua si “sulm ndaj shtetit”, por edhe u shprehën publikisht kërcënime kolektive ndaj Tërnocit dhe tërnocasve. “Do të trazohet gjithë Tërnoci”, ishte kërcënimi direkt, ndërkohë që pak ditë më vonë një zyrtar tjetër serb, në një takim me lidershipin shqiptar kishte deklaruar se “kemi zbuluar kryesin dhe shumë shpejt do ta arrestojmë”. Gjatë gjithë këtyre ditëve akuzat për fajësi kolektive të Tërnocit dhe tërnocasve lansoheshin me paramendim nga zyrtarë më të lartë të policisë.
Në këtë luftë propagandistike të anatemimit të shqiptarëve nuk ngecën prapa as mediat beogradase të cilat ringjallën teoremën për Tërnocin si një “Medelin” (i Columbisë), në zemër të Evropës, të sajuar që nga kohët e komunizmit.
Por, befas, një atmosferë ksenofobe që u nis vrullshëm ndaj Tërnocit dhe tërnocasve, pas ngjarjes me pasoja tragjike për policin Gjorgjeviq, vetëm pak ditë më vonë, u pllakos nga heshtja e mistershme. As një deklarim sensacional, asnjë lëvizje në hetimet që po “zhvillohen” as një emër, as një kryes. Thua se nuk ka ndodhur asgjë konkrete, thua se nuk është vrarë askush, thua se Tërnoci është fajtori kujdestar në të cilin çdokush, me apo pa shkas, mund ta shfryjë mllefin e vet.
Po krijohet përshtypja se po të mos jetë tërnocasi Reshat Bajrami, që po mbahet në burgun e Vranjës pa ndonjë arsye konkrete të bazuar në fakte, të gjithë do ta kishin harruar rastin, siç janë harruar edhe shumë raste të ngjashme që këtu kanë ndodhur në 10 vjetët e fundit e që viktima kanë pasur civilët shqiptarë.
Sa për Tërnocin dhe tërnocasit, njëherë për njëherë janë lënë të qetë, kjo deri në incidentin e radhës, kur përsëri dikujt nga Beogradi t’i teket të na adresojë kërcënime me bastisje, me arrestime, do të na fyejë si narko-bossat e Evropës, ndërkohë që pushtetarët tanë, ata që vendosin për të ardhmen tonë, nuk do të guxojnë të nxjerrin as një zë.
Se paqja në Luginë të Preshevës është e brishtë po e ridëshmon gjithë kjo që po ndodh së fundmi, dhe kjo është e qartë për gjithkënd. Ajo që mbetet e paqartë është fakti se cilat janë ato forca të cilave po u konvenon mbajtja e gjendjes fragjile në Luginë të Preshevës? Kjo për faktin se pasojat e kësaj brishtie politike dhe të sigurisë, me shpërnguljen në heshtje, po rrezikojnë seriozisht bërthamën kombëtare shqiptare në këtë rajon.
Çështje në veti është se sa është i aftë spektri politik shqiptar, i ndarë sipas interesave të koalicioneve grupore dhe ditore, t’i përgjigjet këtyre sfidave serioze. A do të jetë i gatshëm t’i prijë proceseve apo vetëm do të zvarritet pas problemeve të krijuara. Sfida këto që kërkojnë përgjigje dhe veprim serioz e të përgjegjshëm e jo të bazuar në manipulim me ndjenjat e opinionit, apo edhe më keq me ndërskamcat ndaj njëri tjetrit.
Tani për tani brishtësia e situatës së përgjithshme në Luginë të Preshevës është e kontrollueshme. Por, rreziku është se rritja gjithnjë e më e madhe e krizës sociale, vazhdimi i diskriminimit të hapur shtetëror dhe problemet e shumta me të cilat po ballafaqohen shqiptarët, e mbi të gjitha mungesa e sensit politik për të gjetur zgjidhje për çështjet e hapura mund të nxjerrin situatën nga korniza e brishtësisë së kontrolluar.
Prandaj, menaxhuesit e krizave duhet të kenë kujdes, sepse “Shpesh zotat e dënojnë njeriun duke ia plotësuar tej mase dëshirat” kishte deklaruar ministri i mbretit Luigji XIII, Kardinali Rishele.


