Kryetari Surdulli vizitoi komunën e Bujanocit

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan -Kryetari i komunës së Kamenicës Shaip Surdulli me disa bashkëpunëtor, ka vizituar komunën fqinje të Bujanocit, ku është pritur nga Kryetari i porsazgjedhur i kësaj komune Nagip Arifi.

Dy kryetarët Surdulli e Arifi kanë biseduar për nxitjen e bashkëpunimit të shumanshëm mes dy komunave fqinje të cilat kanë shumë gjëra të përbashkëta. Dy kryetarët mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediet lokale, ku e sqaruan para tyre qëllimin e kësaj vizite zyrtare.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi shprehi kënaqësinë e tij që pati në vizitë delegacionin e Kamenicës të kryesuar nga Kryetari i Komunës Shaip Surdulli, duke thënë që ky takim ishte një rast i mirë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit mes dy komunave.

Kryetari Arifi dhe Surdulli u shprehën para gazetarëve për mundësinë e shfrytëzimit të fondeve nga donatorët e jashtëm e sidomos nga Komisioni Evropian për realizimin e ndonjë projekti të përbashkët ndërmjet dy komunave kufitare.

Mobi Casa

Gjithashtu u përmenden edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen banorët e dy komunave në qarkullimin e qytetarëve për shkak të aplikimit të tarifave të sigurimit të automjeteve.
Kryetarët u dakorduan që duhet të ndikohet te Qeveria e Republikës së Kosovës me qellim lehtësimin e mëtutjeshëm të qarkullimit të njerëzve dhe më konkretisht në eliminimin e barrierave kufitare. “Bashkëpunimin do ta vazhdojmë në fushën e kulturës dhe arsimit. Ku këto bashkëpunime vetëm se kanë filluar në mes shoqërive kulturore-artistike të cilat veprojnë në Bujanoc me ato të Dardanës, por do të kemi edhe ndonjë vizitë të shkollave fillore por edhe të mesme nga komuna e Bujanocit me atë të Dardanës dhe anasjelltas”, shtoi Arifi.

Ndërkaq, Kryetari Surdulli u shpreh para gazetarëve se dy komunat kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ai gjithashtu përmendi angazhimin e dy komunave që mundësisht të ndikojnë tek qeveritë e tyre në mënyrë që qytetarët nga të dy anët të lëvizin lirshëm dhe pa pengesa kufitare. Në fund të konferencës për media, Kryetari Surdulli falënderoi mediat për interesimin që treguan për vizitën e delegacionit të Kamenicës në Bujanoc.

Vlen të theksohet se vizita e kreut komunal të Kamenicës shënon vizitën e parë të një zyrtari nga Kosova që i bëhet komunës së Bujanocit pas marrjes së mandatit nga kryetari aktual i Bujanocit./rajonipress/