Kryetarët nën hetime sërish në garë

Subjektet politike në vend duket se as që e kanë në plan që t’i heqin nga listat, komunarët e “fortë”, të cilët sërish do t’i hyjnë garës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, edhe pse shumë prej tyre kanë probleme me ligjin.
Kryetarët e komunave ndaj të cilëve ka të ngritura aktakuza, për keqpërdorimin e detyrës, dhe të tjerëve që kanë probleme me ligjin, do të jenë sërish kandidatë garues për zgjedhjet lokale.
Ata nuk “çajnë” kokën për këtë punë. Bile njëri prej tyre, që ka probleme me ligjin, kryetari aktual i Prizrenit, Ramadan Muja, ndaj të cilit është ngritur akuza nga EULEX-i as që pranoi të flasë për Zërin.
“Sot e kam pushim dhe nuk flasë”, ka thënë ai.
E hiç më mirë punët me drejtësinë nuk i ka as Nexhmedin Arifi, kryetari i Komunës së Vitisë, emri i të cilit është përfolur shumë se ka probleme me ligjin. Vetë Arifi tha se me gjyqin është duke u pastruar dhe në këtë drejtim ka theksuar ai, nuk paraqet asjnë problem që edhe njëherë t’i hyjë garës për të marrë edhe një mandat tjetër për të qeverisur Vitinë.
I shumëpërfoluri është edhe kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, por që kontakti me këtë të fundit gjatë gjithë ditës ka qenë i pamundur.
Me këtë aktakuzë është edhe “i forti” i PDK-së, Sami Lushtaku, kryetari i Skënderajt, i cili nuk pritet të jetë pjesë e garës.
Lista e kryetarëve të komunave nën hetime nuk mbaron me këta emra./Indeksonline/