Kryetarët i pret punë!
Nga Përparim Sadiku – Meqenëse gjatë procesit zgjedhor ndaj njëri tjetrit deklaronin gjuhë mjaftë të ashpër komunikimi, madje në disa raste nuk lanë gjë pa i thënë njëri tjetrit deri në fyerje personale, për çudi procesi i pranim dorëzimit të përgjegjësive institucionale duke filluar nga Kryetari i komunës nuk po shkon edhe keq, po tregohet një pjekuri e mirë politiko-institucionale madje edhe njerëzore, kjo është e shëndetshme për institucionet dhe e përgjegjshme karshi qytetarëve.
Kryetarët e rinj edhe pse kanë të drejtë pse i gëzohen fitores, ngase fundi i fundit janë munduar bajagi shumë për të ardhur deri aty, mirëpo ky gëzim nuk do ju zgjat edhe aq shumë, ngase do t`i presin punë të mëdha dhe sfiduese që duhet t`i bëjnë, kur kem parasysh se nga një mal premtimesh kanë dhënë. Sesa do ju qëndrojnë besnik fjalëve të dhëna kjo mbetet të shihet…
Mbi kryetarët e rinj përveç përgjegjësive të zakonshme që i ka çdo kryetar komune, kësaj radhe mbi ta do të bien përgjegjësi tjera, madje me sfida shpeshherë të pakalueshme lehtë.
Zgjedhja e ekzekutivit komunal është e një rëndësie të veçantë jo vetëm për institucionet, por edhe për qytetarët. Kjo përgjegjësi ekskluzivisht bie mbi kryetarët e rinj, mirëpo edhe në këtë përzgjedhje do të kenë telashe, ngase militantizmi partiak tek ne ende mbetet pengesë serioze… Dashtë Zoti që të jenë të vëmendshëm e të zgjedhin bartës të përgjegjshëm, punëtorë e profesional.
Përgjegjësi tjetër me të cilën do përballën kryetarët në ardhje janë borxhet e bartura dhe kontekstet ligjore që nuk janë edhe të pakta, madje kjo edhe nuk është një barrë e lehtë kur kem parasysh buxhetet e varfra komunale, ngase në vend që kryetarët e rinj të merren me realizimin e projekteve të premtuara ata duhet të pastrohen me borxhet e bartura, apo me borxhet e qeflinjëve (kryetarëve të kaluar).
Për këtë papërgjegjësi institucionale kryetarët e shkuar duhet bartin përgjegjësi ligjore!…, dikush duhet të ndëshkohet patjetër që më mos të përsëriten këto veprime keqmenaxheriale, madje shpeshherë të bëra me vetëdije! Kjo ishte një lojë e pistë dhe “mosaftësi” menaxhuese me djersën e qytetarëve!…
Përgjegjësi tjetër që do bie mbi kryetarët e rijnë është edhe reformimi i administratave komunale, madje kur kem parasysh se një gjë e tillë është kusht i Bashkimit Evropian kjo duhet të bëhet patjetër.
Administratat e stërngarkuara dhe joprofesionale janë përgjegjësi e ndjeshme, ngase është rëndë ti thuhet dikujt që duhesh ta lësh vendin e punës, madje kur kem parasysh se vendin e punës e ka të garantuar me Ligjin atëherë realisht askënd nuk mund ta largosh nga puna. E vetmja mundësi zvogëlimi e administratës komunale, përkatësisht shërbyesve civil, do t`i mbetet shtrirjes së shërbimeve nëpër bashkësitë lokale dhe ‘zvogëlimit në kohë’.
Administratat komunale në përqindje bajagi të madhe janë edhe joprofesionale!… Institucionet tona komunale, madje vendet kyçe profesionale janë të mbuluara me personel joprofesional në vendin e punës, madje shumica janë me shkollë të mesme e ka edhe me shkollë fillore fatkeqësisht.
Kryetarët e rinj duhet ta riorganizojnë administratën, sektorët kyç me njerëz profesional në të njëjtën kohë t’i ngritin profesionalisht shërbyesit civil dhe ti trajnojnë ata si e vetmja mënyrë për të bërë administratat funksionale në shërbim të institucionit dhe qytetarit.
Prandaj, kryetarë në ardhje “përvjeluni deri në bërryl” se ju pret punë sfiduese!.


