Kryetar, ne po kërkojmë asfaltimin rrugor, e jo deklarata të pavërteta!
Nga Xhemajl Zeneli – Pas reagimeve tona të njëpasnjëshme rreth kërkesës për asfaltimin rrugor në fshatin Kravaricë, kryetari reagon ndaj nesh në mediet lokale, me aq komoditet, sa që të devijojë të vërtetën e takimit të fundit të banorëve me të. “Pasi e kam parë nervozizmin e banorëve u kam thënë se ju keni të drejtë dhe mos na votoni” – është shprehur Mustafa.
Së pari, vetë ka qenë ai që ka thënë: “Mos më votoni! S’dua vota ma!”. Pra, nuk është e vërtetë që ne i kemi thënë atij dhe jemi dëshmitarë të takimit pesë banorë nga fshati Kravaricë dhe herë pas herë, hynte e dilte, edhe shoferi i tij personal, Milazim Hoxha, nga fshati Cërnicë. Edhe ai mund të pyetet rreth këtij takimi si dëshmitar, ndonëse është vështirë të hiqet ndikimi i kryetarit më pas në deklaratat e tij. “Hashimi më ka rrejtën, unë po ju rrej juve. S’dua vota! Mos më votoni ma! Nuk ka pare. Nuk ka rrugë!” – janë fjalët e Qemajl Mustafës, të cilat i ka thënë vetë ai dhe janë qind për qind vetëm fjalë të tij, pa ndryshuar asgjë nga teksti.
Së dyti, banorët nuk kanë qenë të nervozuar asnjëherë, madje po të ishin të nervozuar nuk do të reagonin në këtë formë aq të butë, ndonëse kemi pasur të drejtë të reagojmë në mënyra shumë më të vrazhda, sepse ne jemi mashtruar. Nervozizmi ka rrjedhur vetëm prej kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafës, ngase banorët ka disa vite që e kanë shprehur këtë kërkesë elementare, të cilën edhe vetë e ka premtuar kryetari i komunës. Kryetari Mustafa, para zgjedhjeve elektorale, ka ardhur tri herë radhazi në fshat dhe u ka kërkuar votat banorëve të Kravaricës, për t’i gënjyer më vonë. Premtimi madje ka qenë edhe për shkollë, kanalizim, ujësjellës, shtyllat e betonit për rrymë elektrike (i kemi shtyllat elektrike të drurit dhe shpesh kemi probleme me rrymë, sidomos gjatë ndonjë ndryshimi klimatik dhe meteorologjik, por ne shpesh organizohemi vetë dhe i hapim gropat për këto shtylla), ndërsa ne banorët e Kravaricës, atëbotë, i patëm thënë kryetarit: “Jo të tjerat njëherë, por kjo është e domosdoshme, ndonëse kanalizimi dhe rruga duhet të shkojnë krah për krah me njëra tjetrën. Nëse kanalizimi nuk rregullohet, dhe bëhet asfaltimi i rrugës, atëherë i bie se do të dëmtohet edhe asfaltimi i realizuar dhe ndërtimi i mëparshëm do të huqej!
Ne banorët e fshatit Kravaricë, e dënojmë rëndë sjelljen e papërgjegjshme të kryetarit dhe deklaratat e tij të pavërteta, i cili jo vetëm ka gënjyer me premtimet e tij për dy mandate, por po gënjen përsëri, rreth takimit të fundit të mbajtur, ku ishim të pranishëm këta banorë: Ahmet Bucaliu, Lulëzim Osmani, Nehat Ahmeti, Selami Ahmeti, Xhemajl Zeneli.
Po ashtu, një banor me emër e mbiemër nga Kravarica, Rrahmon Ahmeti, gjatë takimeve të mëhershme me kryetarin e komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafën, i pati thënë kryetarit se do të organizojnë edhe protestë, ku 340 banorë do të organizojnë protestën pranë objektit të kryetarit të komunës, ndërsa kryetari me arrogancën e tij cinike ia ka kthyer Ahmetit: “Edhe 3 400 dilni në protestë, s’nie për këtë punë!” (më pas është lëvizur nga karrigia dhe ka ndërprerë takimin).
Një kryetar i përgjegjshëm do të kërkonte falje, të paktën, e jo të akuzonte qytetarët e gënjyer nga premtimet elektorale të tij.
Ne sigurisht se do të bëjmë takimin tonë brenda fshatit dhe do të vendosim së shpejti për masat e mëtutjeshme të reagimit dhe diskriminimit të fshatit tonë nga investimet. Kravarica jo që nuk do të votojë më këtë pushtet aktual, por do ta ndëshkojë rëndë atë.
Xhemajl Zeneli është banor i fshatit Kravaricë.


