Uji Dea

Kryeministria shpenzoi 500 mijë € në bisedime

/ 9 minuta lexim

Vetëm Zyra e Kryeministrit të Kosovës shpenzoi këtë vit, deri në korrik, rreth gjysmë milioni euro për udhëtimet e delegacioneve në bisedimet me Serbinë. Por, qeveria ende nuk ka treguar shpenzimet e plota dhe detajet e tyre për takime me delegacionet serbe për afër dy vjet e gjysmë që kur kanë filluar bisedimet. Në muajin korrik për këto qëllime ajo ndau edhe një fond të ri prej 700 mijë eurosh.

Qeveria e vendit ka dhënë vetëm përgjigje të pjesshme për taksapaguesit në lidhje me koston e deritashme financiare të bisedimeve. Zyra e kryeministrit Hashim Thaçi, e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, Ministria e Arsimit, Policia, Ministria e Punëve të Brendshme dhe autoriteti rregullativ i telekomunikacionit të Kosovës (ART) nuk kanë bërë publike shpenzimet e plota që kanë bërë si pjesëmarrëse në bisedimet me Serbinë prej se ato kanë filluar. Në bazë të kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, Zyra e kryeministrit më 7 gusht i tha Gazetës Jeta në Kosovë se shpenzimet për delegacionet për bisedime të paguara prej saj gjatë vitit 2013, deri në fillim të korrikut, janë 495,000,000 euro.

“Këto shpenzime janë mbuluar nga buxheti i rregullt i Zyrës së Kryeministrit për vitin 2013”, tha ajo. Zyra më e lartë ekzekutive e vendit megjithatë ende nuk ka lëshuar të dhëna të detajuara të këtyre shpenzimeve dhe as faturat e tyre për gazetën. Në të kaluarën, kjo zyrë ka refuzuar kërkesa tjera për fatura të shpenzimeve të kryeministrit. Ministria e Arsimit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia thanë se detajet e shpenzimeve të zyrtarëve të tyre duhet t’i japë qeveria ose Zyra e Kryeministrit.

ART thotë se ka mbuluar shpenzimet nga buxheti i saj por as ajo nuk dha detaje të mëtejme. Vetëm tri institucione kanë ofruar të dhëna për shpenzimet që kanë bërë zyrtarët e tyre për bileta avioni, akomodim, ushqim dhe mëditje – Dogana e Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Bisedimet me Serbinë kanë nisur në mars 2011 në nivel teknik dhe më pas janë shtrirë edhe në rrafshin politik në tetor 2012. Takimi i fundit në Bruksel është mbajtur të martën më 6 gusht. Përveç se përgjatë tyre qeveria në vazhdimësi ka lëshuar të dhëna të pakta për publikun si dhe për Parlamentin për detajet politike të bisedimeve, ajo mban kryesisht të mbyllura edhe shpenzimet përkatëse të saj.
MST: Shpenzuan mbi 86 mijë euro

Tri institucionet që kanë lëshuar të dhënat del se kanë shpenzuar së bashku 86 mijë e 232 euro për vizita në Bruksel. Dogana e Kosovës, e cila ka shpenzuar më së paku, është përfaqësuar nga vetëm një zyrtar i saj si pjesë e delegacionit për çështje teknike në bisedime. Për tetë takime, këtë dhe vitin e kaluar, ky zyrtar ka shpenzuar afërsisht 8800 euro. Sipas zëdhënësit Adriatik Stavileci, mesatarisht janë harxhuar nga 1100 euro të buxhetit të doganave për takim, me biletat që mesatarisht kanë kushtuar 500 euro. Prokuroria e shtetit ka treguar se në bisedimet teknike për temat të cilat janë ndërlidhur me fushën e gjyqësorit kanë marrë pjesë dy përfaqësues të saj.

Totali i shpenzimeve të tyre është 28 mijë e 611 euro për bileta avioni, akomodim, mëditje, taksi etj.Dy zyrtarët e Prokurorisë së Shtetit që nga 24 prilli deri më 9 korrik 2013 kanë qenë pjesëmarrës në gjithsej gjashtë takime. Prokuroria ka treguar edhe datat se sa kanë zgjatur takimet. Shpenzimet janë mbuluar nga Prokuroria. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shpenzuar në total 48 mijë e 821 euro në shtatë udhëtime sa ka bërë si pjesëmarrës i dialogut. Për shembull, vetëm takimi i fundit është përmbyllur me një shpenzim prej 1 mije 280 për akomodim, 1 mijë e 73 për ushqim e mëditje dhe 2 mijë e 378 për biletat.
MST: Institucionet tjera heshtin shpenzimet

Fidanishtja

Ministria e Brendshme, ajo e Arsimit dhe Policia referuan tek Zyra e Kryeministrit si koordinuese e bisedimeve ose organet përkatëse të qeverisë për shpenzimet. ART ndërkohë tha se të gjitha shpenzimet janë të buxhetit të vetë dhe të shpenzuara në përputhje me standardet dhe procedurat për menaxhimin e financave publike. Ky institucion nuk dha detaje tjera. As Zyra e Kryeministrit dhe ajo e zëvendëskryeministres Edita Tahiri nuk lëshuan këso të dhënash për periudhën prej dy vjet e gjysmë që kur gjenden në bisedime. Zyra e Kryeministrit tregoi vetëm shumën e tërësishme që ka paguar për pjesën e parë të vitit 2013. Më 3 korrik 20013, në një mbledhje të saj, qeveria mori vendim të ndaheshin 700 mijë euro si fond për bisedimet për mbulimin e shpenzimeve për të gjithë përfaqësuesit e Zyrës së Kryeministrit dhe të ministrive të tjera pjesëmarrëse në delegacionet e bisedimeve.

Fondet ndaheshin nga rezervat e qeverisë dhe kursimet e ministrive. Gazeta Jeta në Kosovë më 16 korrik i është drejtuar me kërkesë zyrtare Ministrisë së Financave për qasje në shpenzimet para krijimit të fondit dhe atyre pas krijimit të tij. Por kjo thotë se nuk posedon dokumentet e shpenzimeve të kërkuara. Zyra për informim e kësaj ministrie e ka përcjellë kërkesën në Zyrën e kryeministrit të Kosovës, ashtu siç e parasheh ligji për qasje në dokumentet publike. Në një raport për qasje në dokumentet publike, të publikuar nga BIRN-i muajin e kaluar, Zyra e Kryeministrit të Kosovës printe për mostransparencë pasi nga njëqind kërkesa kishte kthyer përgjigje në më pak se tridhjetë prej tyre. Zyra e zëvendëskryeministres Edita Tahirit ka ofruar qasje në listën e pjesëmarrëseve në takimet për bisedimet teknike dhe në kronologjinë e temave të diskutuara.

Por sa i përket kërkesës për shpenzime, Ramize Sejdiu asistente personale e Tahirit, tha se duhet drejtuar kërkesë për qasje në dokumente me qëllim që pastaj Zyra për Buxhet dhe Financa e Zyrës së Kryeministrit të përgatisë një përgjigje. Visar Xani, këshilltari politik i zëvendëskryeministres Tahiri, tha se deri në krijimin e fondit të bisedimeve, shpenzimet janë mbuluar nga buxheti i rregullt i zyrës së kryeministrit dhe ministritë e tjera për anëtarët e tyre të delegacioneve. Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar gjatë muajit shkurt se Zyra e Kryeministrit gjithashtu kishte vendosur që publiku të dijë vetëm për përmbajtjen e dialogut teknik, por refuzonte të bëjë transparente se çka bisedohej dhe çfarë marrëveshjesh janë arritur në Bruksel gjatë takimeve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që nisën në tetor 2012. Për mungesë informacioni ishin ankuar edhe deputetët e Parlamentit të Kosovës. Institucionet publike janë të detyruara të ofrojnë qasje në dokumente bazuar në nenin 4 të ligjit për qasje në dokumente publike.

Të dhënat për shpenzimet e buxhetit të Kosovës nga zyrtarët e lartë konsiderohen si dokumente publike pasi që nuk parashihen në ndonjërën nga 11 përjashtimet të cilat ia mundësojnë institucioneve publike mos publikimin e dokumenteve. Disa nga këto arsye përfshijnë sigurinë kombëtare, publike, privatësinë, politikat ekonomike dhe mjedisit. Më 23 korrik Zyra e Kryeministrit publikoi një doracak me ligje për të drejtën e qasjes në dokumente publike. Autori i doracakut është Besim Kajtazi, drejtor i zyrë ligjore në Zyrën e Kryeministrit. Gjatë publikimit të përmbledhjes Kajtazi kishte deklaruar se transparenca është një nga vlerat dhe parimet e përbashkëta të një administrate të mirë. “Parimi i transparencës, e bashkë me të edhe e drejta e qasjes në dokumente publike, është jetësuar me Kushtetutën tonë dhe me një varg të ligjeve”.

Mirëpo, Zyra e Kryeministrit ka pasur probleme të vazhdueshme në lëshimin e dokumenteve zyrtare. Kjo gazetë ka raportuar në dhjetor 2012 se atë muaj Zyra e Kryeministrit kishte nxjerrë një vendim sipas të cilit për të gjitha kërkesat për qasje në fatura të shpenzimeve të zyrtarëve si kryeministri ose ministrat duhej referuar në një opinion të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të marsit 2012. Vendimi nënkuptonte se faturat më nuk bëheshin publike pasi agjencia pretendonte se “publikimi i faturave tejkalon qëllimin e kërkesës për transparencë të shpenzimeve publike dhe cenon privatësinë e kryeministrit dhe të zv.kryeministrave”, pasi “faturat e ushqimit mund të përmbajnë të dhëna të cilat mund të zbulojnë përkatësinë fetare apo gjendjen shëndetësore të zyrtarëve”.

Po kjo agjenci kishte paralajmëruar se do t’i kërkonte Agjencionit Kundër-Korrupsion largimin e deklaratave të pasurisë së zyrtarëve të lartë nga interneti. Në fund të korrikut 2013 gazeta raportoi se një draft-ligj i ri i sponzoruar nga Ministria e Drejtësisë hapte rrugë për largimin e këtyre deklaratave. Gazetarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile reaguan duke thënë se hapi ishte prapakthyes për sa i takon transparencës dhe se përcjellja e pasurisë së zyrtarëve dhe shpenzimit të parasë publike do të pamundësohej. Javën e kaluar ndërkohë gazeta zbuloi se Ruzhdi Jashari, mbikëqyrësi kryesor shtetëror i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, vjen nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet. (GAZETA JNK)