Fundamenti

Kryeministri priti Rona Nishliun

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot këngëtaren kosovare, Rona Nishliu, pas suksesit që tregoi ajo në Festivalin Evropian të Këngës “Eurovision 2012”, në të cilin Rona u rendit në vendin e pestë në natën finale.

Kryeministri Thaçi i shprehu këngëtares Rona Nishliu urimet më të thella për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz të vlerave të Kosovës nën flamurin kombëtar shqiptar në festivalin e Këngës Evropiane” Eurovision 2012”.

“Me interpretimin tuaj të veçantë dhe shumë profesional, me emocionet prej një artisteje të vërtetë, treguat cilësi kulmore, duke u vlerësuar lartë prej publikut evropian dhe prej profesionistëve evropianë të muzikës”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi, në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Fundamenti

“Suksesi juaj në skenën impozante të Eurovizionit është dëshmia më e mirë që të rinjtë e Kosovës kanë vlera dhe potencial të madh në të gjitha fushat, posaçërisht në kulturë, art, shkencë dhe sport. Ju me performancën tuaj muzikore përfaqësuat në mënyrën më të mirë të mundshme evropianët e rinj, prezantuat vlerat evropiane të shtetit demokratik të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi në takimin me këngëtaren kosovare, Rona Nishliu.

Kreu i ekzekutivit të vendit tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur dhe po punon fuqishëm që në një periudhë të afërt të rinjtë tanë të kenë mundësi të përfaqësojnë Republikën e Kosovës në gara të ndryshme anë e kënd botës.

Këngëtarja kosovare, Rona Nishliu falënderoi kryeministrin Thaçi për mbështetjen e treguar dhe u shpreh e inkurajuar nga përkushtimi dhe vizioni i Qeverisë së Kosovës për të fuqizuar angazhimet në krijimin e mundësive që edhe artistët kosovarë në mënyrë zyrtare të përfaqësojnë shtetin e Kosovës në festivale të ndryshme ndërkombëtare. /Telegrafi/