Kryeministri Haradinaj bëri homazhe dhe vizitoi familjen e ish-Presidentit Ibrahim Rugova

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për nder të ditëlindjes së 73-të, të ish-Presidentit Ibrahim Rugova bëri homazhe te varri i tij dhe vizitoi familjen Rugova.
Kryeministri Haradinaj para mediave të pranishme tha se sot në ditëlindjen e Presidentit Rugova, nderojmë jetën dhe veprën e vlefshme që ka bërë për Kosovën.
“Sot nderojmë te varri i Presidentit Rugova, e nderojmë në ditëlindjen e Presidentit Rugova. Jeta dhe vepra e tij ka qenë çdo herë lajm i mirë për Kosovën, pra një punë e vlefshme historike dhe sot në ditëlindje i themi faleminderit”, tha kryeministri Haradinaj.
Pas homazheve kryeministri Haradinaj vizitoi familjen e ish-Presidentit Rugova, ku u prit nga bashkëshortja e Presidentit, Fana, djemtë, vajza dhe familjarët e Presidentit Rugova.
Familjarët e Presidentit Rugova e falënderuan kryeministrin Haradinaj për vizitën dhe kujdesin e vazhdueshëm, duke thënë se bashkëpunimi i tij me Presidentin ka qenë çdo herë i mirëpritur në të mirë të vendit.
“Presidenti Rugova ka qenë lajm i mirë për Kosovën dhe ju, e ne jemi me fat që e patëm. Ishte Presidenti i parë, historik i Kosovës dhe ai do t’i mbijetojë shekujt.
Faleminderit President Rugova!”, ka thënë kryeministri Haradinaj./rajonipress/