Fundamenti

Krizat “made in Albania”

/ 6 minuta lexim

Nga Armand Shkullaku – Ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë e kanë cilësuar ndërkombëtarët votimin e djeshëm në parlament të tre ligjeve të famshme që penguan deri më sot marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Nëse dikush do t’i pyeste ambasadorët apo zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së se përse shqiptarët nuk i miratuan në kohë këto ligje, në rastin më të mirë përgjigjja do të ishte tepër e gjatë, e në rastin më të keq, e pakuptueshme.

Sepse arsyet, si të bllokimit ashtu dhe të miratimit, janë tipike shqiptare, rezultat i lojërave dhe interesave të ngushta politike, të cilat nuk lidhen fare me përmbajtjen e vetë ligjeve. Ky absurd, ku ngërçi shkaktohet si grackë apo hile ndaj tjetrit dhe jo si kundërshtim ndaj një ligji apo reforme të caktuar në vetvete, nuk është i lehtë për t’u shpjeguar. Do të ishte e pranueshme që disa ligje të miratohen ose jo në varësi të trysnisë së grupeve të interesit, të shtresave shoqërore të caktuara, të partive politike me ndikim, etj, por kur të gjithë bien dakord dhe asgjë nuk ndodh, kjo është e vështirë për t’u kuptuar. Ky absurd arsyeton në një masë të madhe edhe distancën që ndërkombëtarët po mbajnë me palët në Shqipëri sa herë që bëhet fjalë për konflikte të këtij lloji, që janë pasojë e një manovre lokale politike dhe jo e një parimi me interes të përgjithshëm.

Ambasadorët u gëzuan që Shqipëria më në fund i ka ato tri ligje, ndërkohë që miratimi i tyre është në një linjë si dhe bllokimi. Këtu të gjithë e dinë se votimi i djeshëm nuk ishte rezultat i maturimit të klasës politike apo i një fryme kompromisi që të bën të shpresosh për të ardhmen. Miratimi i tri ligjeve erdhi përsëri si pjesë e një kurdisjeje të mëparshme politike: LSI, për t’i dhënë një veshje të pranueshme kalimit të saj me PS u angazhua që në emër të integrimit t’i fusë socialistët në sallë dhe t’i bëjë të votojnë atë që kishin kundërshtuar për muaj me radhë. Ky skenar ishte pjesë e marrëveshjes PS-LSI dhe jo ndonjë ndërgjegjësim i opozitës për të lëshuar nga vetja në emër të një interesi më të madh. Prandaj edhe ajo që ndodhi dje, nuk përbën ndonjë ngjarje të shënuar, pavarësisht se ambasadorët e vlerësuan si të tillë.

Produkt i kësaj politike të vogël ishte edhe bllokimi deri tani i tre ligjeve. Berisha nuk pranonte të kushtëzonte miratimin e tyre nga opozita me lëshimin në qarkun e Fierit. Politikisht motivonte të vetët në atë qark por fitonte edhe një kartë elektorale duke e paraqitur opozitën si bllokuese të integrimit të Shqipërisë. Edi Rama nuk i votonte ligjet sepse marrja e statusit të vendit kandidat do t’i jepte pikë Berishës në prag të zgjedhjeve dhe do ta dobësonte autoritetin e tij. Këto ishin shkaqe thellësisht të ngushta politike e që nuk lidheshin me përmbajtjen apo efektet e tri ligjeve në fjalë. Në këto rrethana asnjë prej faktorëve ndërkombëtarë nuk do të mund të hynte në lojën e përcaktimit të fajit më të madh apo më të vogël për secilën nga palët në Tiranë. Këto interesa të vogla, tipike shqiptare, shpjegojnë se përse si BE ashtu dhe SHBA përgjegjësinë ia lënë gjithë klasës politike dhe jo njërës palë në veçanti. Në të kundërt do të hynin në një shteg interpretimesh pa krye duke rrezikuar orientimin, sepse si Berisha ashtu dhe Rama edhe shenjën më të vogël të animit do ta përdornin në mbështetje të qëllimit të tyre personal politik.
Edhe ajo që po ndodh sot me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ngjan si dy pika me uji me rastin e tre ligjeve. Berisha ndërhyri në KQZ, sepse pavarësisht ligjit, politikisht ai nuk mund të pranonte të figuronte si pakicë pas bashkimit PS-LSI. Do të ishte një lloj dorëzimi pa filluar gara akoma, prandaj i shkoi deri në fund zëvendësimit të anëtarit të LSI në KQZ.

Uji Dea

Rama u kundërpërgjigj gjithashtu politikisht duke i tërhequr anëtarët e tij në KQZ, së pari për të shmangur debatet dhe shijen e keqe nga bashkimi me LSI dhe së dyti për të pasur një alibi në rast humbje më 23 qershor. Arsyet e prishjes së KQZ-së janë përsëri në funksion të interesit të ngushtë të palëve dhe ata që jetojnë këtu i kanë të qarta. Por për ndërkombëtarët që po e ndjekin nga afër procesin zgjedhor në Shqipëri, ky është një tjetër rast bajat i konfliktit absurd shqiptar. Absurd sepse palët kanë rënë dakord që shumica të ketë edhe shumicën në KQZ e vendimet e rëndësishme të kushtëzohen, por në fund rezulton që përsëri nuk merren vesh për diçka që në parim e pranojnë. E të ndash përgjegjësi në këtë lëmsh shqiptar është një ndërmarrje tepër delikate. T’ia lësh fajin opozitës që nuk plotëson vendet në KQZ, do të thotë të justifikosh ndërhyrjet arbitrare të shumicës. Të bësh me faj qeverinë se kërkon të ketë shumicën në KQZ do të krijonte precedentin që çdo opozitë nesër të refuzonte pjesëmarrjen në institucione. Prandaj edhe ata që kanë pritur që Jonathan Moore të fliste ndryshe, e kanë pasur gabim.

Ndërkombëtarët e kanë kuptuar që e vetmja rrugë mbetet që shqiptarët t’i japin vetë zgjidhje krizave e konflikteve që sajojnë. Të përpiqesh të hysh më thellë e t’i gjesh fillin lëmshit që krijojnë politikanët shqiptarë është një mision i pamundur e që mund të prodhojë keqkuptime. Në kohën kur piketat kryesore janë ngulur, rruga është e qartë edhe për Shqipërinë. Ata që e devijojnë le të gjykohen nga vetë shqiptarët.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)