Kriza politike ka ndikuar në nivelin e korrupsionit

Kosova në raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2015 të “Transparency International” është ranguar në vendin e 103-të (nga gjithsej 168 shtete), ndërsa në vitin e kaluar ishte ranguar në vendin e 110 (nga gjithsej 175 shtete).
Njohësit e çështjeve ekonomike dhe të integrimeve kanë thënë se ky vlerësim i dalë nga “Transparency International” është lajm i keq për Kosovën, pasi niveli i lartë i korrupsionit do të ndikojë në proceset integruese të Kosovës.
Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se niveli i lartë i korrupsionit do të ndikojë në proceset integruese të Kosovës siç është integrimi në Bashkimin Evropian dhe liberalizimi i vizave. “Vazhdimi i prodhimit të lajmeve negative nga Kosova dhe raporti i fundit i ‘Transparency International’, që e rëndit Kosovën në një pozitë të palakmueshme sa i përket shkallës së korrupsionit në vend, nuk e ndihmon asnjëherë Kosovën qoftë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë në procesin e liberalizimit të vizave”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se niveli i korrupsionit e pengon Kosovën për avancimin e pozitës në planin ndërkombëtar. “Një nga elementet kritike për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme midis vendeve në organizatat ndërkombëtare është pikërisht emalimi i qeverisjeve të mira me vendet përkatëse. Prandaj, renditja e Kosovës në një pozitë të palakmueshme nënkupton se Kosova nuk po vazhdon të prodhojë një qeverisje stabile, e cila do të ishte efektivisht e mundur të futej në marrëdhënie ndërkombëtare”, ka deklaruar Mazreku.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se Kosova nuk ka shënuar progres në zvogëlimin e luftës kundër korrupsionit. “Kosova nuk ka shënuar asnjë progres. Qysh nga viti 2013 Kosova vlerësohet me 33 poenë, koeficienti 3.3 në tabelë. Ky është një vlerësim shumë i keq, bile më i keqi në rajon. Vlerësim i njëjtë është për Republikën Dominikane, Moldavinë dhe Etiopinë”, është shprehur Preteni.
Njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, ka thënë se në Kosovë ka përkeqësim sa i përket nivelit të korrupsionit. Sipas tij, raporti i “Transparency International” është valid, duke pasur parasysh se ka pasur përkeqësim të gjendjes politike. Sipas Sylës, nivelit të korrupsionit i ndihmon edhe gjendja politike në vend. “Duke pasur parasysh gjendjen politike në Kosovë dhe mosfunksionimin adekuat të institucioneve të tjera për kontrollim të ligjeve, Zyrës së Prokurimit dhe Organit Shqyrtues, ka ardhur deri te rritja e nivelit të korrupsionit, sepse praktika të tilla tregojnë se kur ka siguri jopolitike dhe kur ka probleme të tilla, siç janë në gjashtë muajt e fundit në Kosovë, niveli i korrupsionit ka prirje për t’u rritur, pasi ka mungesë të kontrollit së shtetit dhe, si rezultat i kësaj, ka pasur edhe ngritje të korrupsionit”, ka deklaruar Syla, duke shtuar se niveli i korrupsionit është indikatori i drejtpërdrejtë i cili i largon investitorët e huaj.
“Korrupsioni është duke i dëmtuar bizneset jashtëzakonisht shumë. Ndërkaq, sa iu përket investimeve të huaja, korrupsioni ndikon shumë, sepse investitorët e jashtëm u referohen dokumenteve zyrtare për zhvillimin ekonomik. Prandaj, duke u bazuar në këto raporte, ata edhe i marrin vendimet e tyre për investimet jashtë vendit”, është shprehur ai.