Eko Higjiena

Kriza e kultivuar

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ibrahim Rexhepi – Qeveria e Kosovës kurrë nuk ka kuptuar se kriza energjetike mund të tejkalohet vetëm duke rritur kilovatët e prodhuar, e jo duke përmes importit të shtrenjtë, apo rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka gati të gjitha letrat për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Nëse ndodhë kjo, si arsyetim do të përmend avarinë në TC “Kosova A” dhe pamundësinë e furnizimit të tregut me energji elektrike nga vendi dhe nevojën për import të shtuar. Për këtë duhet të paguajnë konsumatorët, hiq më pak se 12 milionë euro. Këtu duhet shtuar se kjo do të jetë shtrenjtimi i dytë i energjisë elektrike brenda dy muajve të një viti, që njëherësh do të thotë edhe aktivizimi i dytë i një agregati që mund të nxitë një valë të shtrenjtimeve të produkteve të tjera. Dhe, që të gjitha rëndojnë mbi buxhetin e konsumatorëve, si nga sektori i amvisërisë, ashtu edhe ai komercial.

Nga ana tjetër shtrohen argumentet e KEK-ut dhe të KEDS-it. Ata thonë se nuk ka asnjë mundësi tjetër për sigurim të energjisë elektrike nga importi, pos përmes financimit shtesë të tij, që nënkupton edhe shtrenjtimin e sërishëm- meqenëse janë të kufizuara mundësitë për sigurimin parasë, për shkak se, në mungesë të prodhimit, nuk do të mund të realizojnë të hyrat e lejuara. Ato kanë parasysh edhe nevojën për intervenime në riparimin termocentraleve të vjetërsuara dhe në tërësi iu mungojnë hiq më pak se 60 milionë euro. Minusi është tepër i madh dhe është problem që të mbulohet ai.

Duke pasur parasysh këto probleme, atëherë kriza energjetike duket të jetë e pashmangshme, madje edhe nëse ndodhë shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe importimi i saj me çmim shumë më të lartë se kostoja e prodhimit në KEK. Pse vendi sërish vjen në këtë situatë, mund të gjinden shumë fajtorë dhe shkaktarë, duke filluar nga pakujdesi ndaj stabilimenteve, avaritë, të cilat mund të duken të vogla, por kanë kosto të madh për shkak se bllokojnë prodhimin në tre-katër gjeneratorë, e deri te investimet e pamjaftueshme në parandalimin e problemeve të mundshme teknike. E , si emërues i të gjitha këtyre është njeriu, qoftë në menaxhmentin e KEK-ut, ashtu edhe brenda strukturave të Qeverisë së Kosovës, si pronare e këtij aseti publik.

Prapa të gjitha këtyre arsyetimeve qëndron një fakt, të cilin askush nuk e pranon: Energjetika në Kosovë është sektor i anashkaluar dhe i neglizhuar! Së vërtetë ka krizë, dihet që moti, por asgjë nuk është punuar gati asgjë me qëllim të mundjes së saj; Ndërtimi i termocentraleve të reja ende është në fazën e kalkulimeve në letra, e për më keq, për shkak të paqartësive rreth ndërtimit të institucioneve që do të duhej të dilnin nga zgjedhjet e fundit, është problem të thuhet se cila është dita kur do të finalizohet ndërtimi i së paku një blloku me 300 MW; Duke iu nënshtruar presioneve, qoftë edhe komerciale, shuam herët është hequr dorë nga termocentralet e vjetra – “Kosova A”, të cilat, si po vërehet edhe tani, kanë një rëndësi të veçantë sa i përket ruajtjes së situatës “as në krizë, e as pa krizë”, meqenëse ato japin një të tretën e energjisë së prodhuar në vend. Vetëm mund të paramendohet situata energjetike sikur në tret të kishin afër 1,9 milionë megavatorë energji elektrike më pak, apo sikur kjo duhet të kompensohet nga importi i shtrenjtë.

UBT

Por, duhet pranuar edhe një fakt- privatizimi i Distribucionit të KEK-ut ishte hap i ngutshëm, meqenëse tregu ende nuk ishte në situatën që të pranoj një furnizuesi privat, i cili nuk mund të ngarkohet me përgjegjësinë për krizën energjetike. Ndërkaq, kriza ka qenë e pranishme edhe në momentin kur u bë ky pazar.

Për më keq, Qeveria e Kosovës nuk vizion të qartë rreth problemeve energjetike, apo, më mirë të thuhet, kurrë nuk e kuptoj se vendi është larg formulës “24:0” në favor të dritës. Apo, situatës që aktualisht vetëm mund të imagjinohet, meqenëse duhet shumë kohë, mund e para për të arritur deri te kjo. Në këto rrethana KEK-u e KEDS-i e kanë vështirë të bëjnë diçka më shumë, ose mund të gjejnë zgjidhje, por kjo ka kosto, të cilën duhet ta paguajnë konsumatorët. Kjo alternativë, sërish ka tagrin, i cili rëndon mbi xhepin e konsumatorit, rrit koston e prodhimit, e bënë jokonkurrent prodhimin vendor, dhe përgjithësisht ngufatë zhvillimin.

Zgjidhjet duken të paarritshme, së paku për një kohë të shkurtër. Prandaj, duhet të (ri)mësohemi me krizën energjetike dhe me presionet por shtrenjtimin e energjisë elektrike, si mundësi e vetme për sigurimin parasë. Nga ana tjetër, momenti social në të cilin është popullata nuk e përballon këtë shtrenjtim. Sipas kësaj, kriza energjetike shumë lehtë mund të transformohet në rebelim sociale, edhe me pasoja politike.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)