Kritikohet presidentja Jahjaga që asnjëherë zyrtarisht nuk e ka vizituar Gjilanin

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Flamur Hyseni, njohës i çështjeve kushtetuese dhe profesor i së drejtës në Universitet thotë se është për tu habitur fakti se, deri më tani, kur dihet se, janë bërë më shumë se dy vite në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga ende zyrtarisht se ka pa të arsyeshme ta vizitojë Komunën e Gjilanit dhe rajonin e Anamoravës, kur dihet se në kompetencat kushtetuese të saj është edhe përfaqësuese e “parimit të unitetit të popullit.”

Janë bërë dy vite dhe presidentja e vendit Atifete Jahjaga ende nuk e ka vizituar Gjilanin zyrtarisht. Ky “mosinteresim” i saj për këtë regjion ka ngjallur pakënaqësi tek shtresa intelektuale, shoqëria civile , por edhe institucionet komunale.

Flamur Hyseni, njohës i çështjeve kushtetuese dhe profesor i së drejtës në Universitetin Publik thotë për rajonipress se është për tu habitur fakti se, deri më tani, kur dihet se, janë bërë më shumë se dy vite në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga ende zyrtarisht se ka pa të arsyeshme ta vizitojë Komunën e Gjilanit dhe rajonin e Anamoravës, kur dihet se në kompetencat kushtetuese të saj është edhe përfaqësuese e “parimit të unitetit të popullit.”

“Brenda kësaj periudhe prej më shumë se dy vite në postin e Presidentes, në Gjilan, dhe rajonin e Anamoravës ka pasur shumë arsye të jetë për vizitë Presidentja e Republikës. Ndër arsyet kryesore janë, se ka pasur tendenca të rrezikimit të tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, kanë qenë disa tentim kërcënime të sovranitetit territorial të Republikës, në dy pikat, te Zahirajt dhe në Karaqevë” shprehet Hyseni.

Sipas Hysenit vizita e Presidentes do të ishte një interesim i treguar institucional dhe ushtrim i kompetencave të saj kushtetuese për këto veprime që ishin provokim dhe kërcenim territorial dhe ndaj sovranitetit shtetëror.

UBT

Ai mendon se trajtimi në mënyrë të barabartë i Komunave edhe duke vizituar ato nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës nënkupton ushtrim të funksionit kushtetues të saj. “Deri më tani, kur institucioni i Presidentit të Kosovës njihet edhe zyrtarisht edhe në aspekt ndërkombëtarë (nga 2001) edhe Presidenti Rugova, edhe Presidenti Sejdiu e kanë vizituar Gjilanin dhe Anamoravën disa herë gjatë mandatit të tyre” tha Hyseni.

Edhe kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa thotë se presidentja e vendit deri tash e ka vizituar Parteshin dhe Artanën, por jo edhe Gjilanin.”Është vlerësim i saj. Ajo po vrapon pas multietnicitetit dhe kjo është punë e mirë, por do të duhej që komunat të vizitoheshin për të diskutuar për nevojat e tyre, për të arriturat dhe sfidat jo vetëm për kurtuazi qysh po ndodhë shpesh nga nivelet e larta” u shpreh Mustafa.

Megjithatë Mustafa tha se beson në kthim të sinqeritetit dhe të thjeshtësisë në politikë.

Ndryshe banorët e Zahirajve një vend me probleme dhe konteste kufitare asnjëherë nuk janë vizituar nga asnjë zyrtar i lartë qeveritar apo shtetëror.

Ngjashëm po ndodhë edhe me Karaqevën e cila ka probleme me xhandarmërinë serbe. Kërkesave të këtyre fshatrave kufitare asnjë zyrtarë i lartë deri tani nuk i është përgjigjur pozitivisht./rajonipress/