UBT

Kritikat edhe për sistemin e shëndetësisë, edhe për individët

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Halil Ajvazi – Gjykoj se sjell reflektim individual apo kolektiv si dhe dobi që rastet e vdekjeve në klinikat apo qendrat e urgjencës mjekësore në Shqipëri janë bërë shkas për debate mediatike edhe në qarqe profesionale në Kosovë. Në këtë kuadër ishte edhe opinioni i një kolegut tonë, shprehur në mediat lokale para disa dite.

Pa pasur ndërmend polemikën me kolegun, dëshiroj të theksoj se përgjithësisht në Shqipëri dhe në Kosovë, në qëndrimet zyrtare, profesionale dhe civile dhe në debatet për rastin e vdekjes më 14-15 shtator 2016 të një nëne dhe foshnjës së saj në Spitalin Gjinekologjik “Koço Gliozheni” të Tiranës, bie lehtësisht në sy një tendencë subjektive dhe e dëmshme. E kam fjalën për prirjen që gjithçka, të gjitha gabimet, paaftësitë apo papërgjegjshmëritë e individëve, pra të mjekëve dhe të personelit të infermierëve, të fshihen pas dobësive dhe kritikave ndaj sistemit.

Nuk mund as të mendohen mbrojtja apo justifikimi dhe jo më kundërshtimi i hapur i mangësive, dobësive dhe të këqijave të sistemeve shëndetësore në Shqipëri dhe në Kosovë. As prapambetja e tyre e ndjeshme në krahasim me sistemet shëndetësore në vendet e zhvilluara në përbërje të Bashkimit Evropian dhe jashtë tij, si dhe më larg, në SHBA, Kanada, Australi, Zelandën e Re, Japoni, Korenë e Jugut, etj.

As diferenca e madhe në drejtim të trajtimit financiar në formën e pagave, të kushteve dhe të infrastrukturës teknologjike të punës dhe të disa avantazheve të tjera, të cilat tek ne janë akoma shumë vite larg. Por, mendoj se më shumë prishin punë dhe i shërbejnë mbetjes për një kohë bajagi të gjatë në vend, luajnë me shëndete dhe jetë njerëzore, nëqoftëse vazhdohet të vështrohet dhe kërkohet vetëm nga lart, tek sistemi dhe jo edhe poshtë, tek vetvetja dhe bashkëpunëtorët, nëqoftëse nuk pranohen me sinqeritet dhe guxim rastet e papërgjegjshmërisë, të joprofesionalizmit apo të prapambetjes profesionale. Kjo nënkupton se nuk është në të mirë të punës, të emrit dhe imazhit të secilit mjek, mbi të gjitha të shëndetit dhe jetës së njerëzve, nëqoftëse ai apo ajo mjaftohet dhe kënaqet me gjithçka ka përfituar gjatë viteve të universitetit apo nga praktika e përditshme.

Apo, nëqoftëse e shikon dhe e shfrytëzon pacientin thjeshtë si burim përfitimi dhe pasurimi. Do të ishte në të mirë, së pari të vetë ne mjekëve, pastaj të pacientëve tanë dhe të institucioneve ku shërbejmë, shtetërorë apo private, që secili nga ne të ketë kurajon qytetare dhe profesionale të gjejë, shohë dhe pranojë edhe të metat, dobësitë, gabimet, papërgjegjshmëritë individuale apo kolektive, duke mos i fshehur ato me jorganin apo baltën e sistemit. Në fund të fundit, sistemet, politike, ekonomike, juridike, arsimore…, bëhen dhe përbëhen, dëmtohen ose përsosen, meritojnë lavdërime ose kritika nga individët që i jetësojnë, konkretizojnë apo i bëjnë ato funksionalë. Në këtë kuadër, edhe niveli relativisht i lartë dhe shqetësues i korrupsionit edhe në sistemin e shëndetësisë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, deri në rastet flagrante dhe të dënueshme moralisht dhe ligjërisht sa të mos hidhet sy tek i sëmuri pa futur në xhep nga të afërmit e tij një dorë të mirë në lekë apo euro, gjykoj se ka si burime apo shkaktarë si dobësitë dhe mangësitë e sistemit, ashtu edhe papërgjegjshmëritë apo shpërdorimet e individëve.

Natyrisht janë tejet joshëse, me fuqi të madhe tërheqëse apo thithëse, shumat e parave në dorë, xhepa apo përpara syve, pasurimi sa më i madh dhe sa më i shpejtë individual dhe familjar. Po kështu, nuk mund të thuhet me sinqeritet se nuk i ke ëndërruar apo se nuk i dëshiron që të keshë një vilë të madhe me komoditet luksoz; një klinikë të madhe private; një veturë të re dhe të bukur; që t’i bësh familjarisht pushimet në hotelet me 5 yje të Turqisë, Greqisë, Spanjës, Italisë, Kroacisë, Shqipërisë dhe gjetiu, afër apo më larg. Por, gjykoj se nuk mund të jetë krejt pa ndjesi njerëzore, morale, profesionale nëse do të analizosh dhe gjykosh vetveten.

Nëse arrin ta bësh dhe përjetosh këtë vetëgjykim do të ndjeshë së pari turp nga vetvetja kur të rezultojë se pasurimi yt si mjek, ashtu si i plot politikanëve dhe qeveritarëve qendrorë dhe lokalë.., është mundësuar apo arritur duke varfëruar ndjeshëm apo duke rrënuar përjetësisht një individ tjetër dhe familjen e tij. Apo, në rastin më të keq, më flagrant dhe më të dënueshëm, duke i shkaktuar një të sëmuri apo të aksidentuari humbjen e parakohshme të jetës. Më ka mbetur në kujtesë një fakt i dalë nga Ministria e Shëndetësisë dhe mediat e Gjermanisë, pas analizave të tyre për vitin 2013. Gjatë atij viti në klinikat gjermane u regjistruan 195 mijë gabime të mjekëve dhe si rrjedhojë e tyre pati 19.000 të vdekur. Në analizat dhe debatet që u bënë për këtë shifër alarmante më bëri përshtypje se shumica absolute e vetë personelit mjekësor dhe infermjerik si dhe sindikatat përkatëse nuk shprehën tendencën që t’i fshihnin gabimet e tyre pas sistemit shëndetësor gjerman.

Padyshim sistemi shëndetësor gjerman vlerësohet si një ndër më të përparuarit dhe modernët jo vetëm në Evropë. Megjithatë, si drejtuesit e këtij sektori në nivel qendror apo landi, ashtu edhe vetë personeli mjeko-sanitar, kërkojnë dhe punojnë pareshtur për përmirësimin e sistemit të tyre shëndetësor dhe të përkujdesjes ndaj shëndetit dhe jetës së qytetarëve, për të ulur sa më shumë shifrën e gabimeve të mjekëve, sidomos të kirurgëve. Është kjo edhe një nga arsyet që Gjermania ka kërkuar dhe vazhdon të mirëpresë ardhjen e mjekëve të kualifikuar dhe me njohje të mirë të gjermanishtes nga vende të tjera të botës, pra edhe nga Ballkani, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë.

ARKATANA

Pra, nuk është mirë që të vazhdohet me mentalitetin, traditën apo praktikën që sistemi të përdoret si alibi apo justifikim për të fshehur lakuriqësinë e së vërtetës, qoftë ajo krejt e pastër apo e pistë.

Nuk është e lehtë, por as e pamundur. Gjithsesi, nuk duhet vazhduar pafundësisht sipas thënies së lashtë se gabimet e mjekëve i mbulon dheu mbi varre. Në analizën dhe vlerësimin e gabimeve, gjykoj se lipset të bëhet shqyrtimi i tyre i vëmendshëm, serioz, objektiv, transparent, me synimin për të ndarë gabimet krejt të pavullnetshme dhe padashje nga ato si rrjedhojë e pakujdesisë, paaftësisë, papërgjegjshmërisë profesionale dhe morale. Nëse bëhet kjo ekspertizë e plotë dhe e ndershme shmanget trajtimi i njëllojtë i gabimeve, arkivimi i tyre duke lënë për një kohë të gjatë tek familjet e viktimave dyshime dhe pakënaqësi ndaj individit dhe sistemit.

Kësisoj, shmanget edhe ndëshkimi i njëjtë i të dy llojeve të gabimeve, duke mos shkaktuar tek individi-mjek, autor i një gabimi krejt njerëzor, gjithashtu dyshime dhe pakënaqësi, sidomos tek kolegët apo njerëzit e drejtësisë që i bënë ekspertizën dhe procesin gjyqësor. Natyrisht nuk është e lehtë të kuptohet dhe vlerësohet me saktësi se një rast vdekjeje në duart e mjekëve apo pranë tyre është krejt e thjeshtë shkaktuar nga një veprim, mosveprim apo gabim i pavullnetshëm dhe i rastësishëm apo i shkaktuar nga pakujdesia, paaftësia apo papërgjegjshmëria deri në shkeljen e rregullave të shkruara të etikës profesionale e të ligjeve dhe të atyre të pashkruara, të moralit dhe të njerëzores.

Shprehur edhe më ndryshe, nuk është e lehtë që në rastet e gabimeve në pavionet apo klinikat mjekësore të bëhet lehtësisht, si ndarja në dy pjesë e një copë buke, djathi apo mishi, ekspertiza apo vlerësimi përfundimtar, i saktë dhe i pakundërshtueshëm nga askush, se mjeku i përfolur apo i akuzuar është krejt i pafajshëm apo mëkatar, engjëll apo djall. Sipas këtij këndvështrimi, një mjek që përflitet apo akuzohet për pakujdesi të pavullnetshme apo për papërgjegjshmëri të qëllimshme, të paramenduar, nuk meriton as të merret në mbrojtje apriori, me zjarr e besim absolut, as të vihet menjëherë me shpatulla në mur “për t’u kryqëzuar”, si kriminel ordiner. Bazuar në raste të mëparshme, të bëra publike ose jo, edhe duke qenë fajtor me dashje, falë një solidariteti dhe ekspertimi të pandershëm, mund t’i shmangesh lehtë ndëshkimit ligjor dhe profesional.

Por, nuk mund dhe nuk duhet të jetë lehtësisht e kapërcyeshme dhe e përjetueshme pa vrasje të ndërgjegjes, pa depresion dhe pagjumësi, kur mendon se në fund të fundit je bërë vrasës për pakujdesi apo për ambiciet e tua për pasurim sa më të madh, se ke marrë mallkimet e të vdekurve dhe të gjallëve në familjet e tyre, mallkime që nuk mund t’i harrosh lehtë dhe shpejt.

Mjekut individ, kur i ngarkohen pa merituar nga tri, katër apo edhe më shumë pozita në sistemin shëndetësor të cilin e vë në thumb të kritikës e për të cilat nuk posedon as ekspertizën etike por as edhe atë profesionale nuk e ngrit zërin kundër sistemit, sepse atëherë i shkon për shtati të marrë paga, meditje e privilegje të cilat asnjëherë ndoshta as që i kishte ëndërruar, e që sipas Konicës mund të i drejtohemi me këtë refren „ky fredi faqe ndërron dje shante sot lavdron“, vetëm këtu vlen e kundërta – „vice versa“! Prandaj mund të ju them se: nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë. Të gjithë mendojnë për të ndryshuar të tjerët, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten. Prandaj, cilido që nuk e merr të vërtetën seriozisht në çështje të vogla, nuk mund t’i besohet as në çështje të mëdha. Prandaj, mos të pyesim se çfarë bën sistemi për mua por çfarë bëra unë për sistemin?!.

Qofsha i gabuar, por më duket se disa individë, edhe nga fusha e mjekësisë, me kritikat e shumta ndaj sistemit të mjekësisë, në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në vendet përreth, shprehin apo fshehin, me ose pa dashje, kritika për sistemin kapitalist në përgjithësi dhe një dozë nostalgjie për sistemin e përmbysur, të ashtuquajtur komunist apo socialist.

Autori, është mjek okulist në Gjilan, i diplomuar për nivelin e 8 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka kryer doktoraturën dhe disertacionin, për Okulistikë – Oftomologji.