Kriminelët e rajonit bashkëpunojnë më mirë se qeveritë

Prishtinë – Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile vlerësojnë se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe vendeve tjera rajonit është relativisht i mirë.
Ata konsiderojnë se një ndër segmentet kryesore të bashkëpunimit rajonal duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik, i cili duhet të intensifikohet më shumë.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se duhet të thellohet më tej bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik në mes të Kosovës dhe vendeve të rajonit, si dhe përshpejtimi i realizimit të projekteve të përbashkëta.
Zeka vlerëson se autoritetet kompetente në Prishtinë prioritet në këtë kuadër kanë bashkëpunimin politik, pastaj atë ekonomik.
“Edhe ky bashkëpunim, i cili ekziston, më tepër reflektohet në shkëmbimet tregtare se sa në ndonjë projekt të përbashkët, që do të kishte për qëllim ndonjë zhvillim ekonomik të gjithëmbarshëm. “Po flas këtu për mungesë bashkëpunimi ose koordinimi në nivel shtetëror ose në nivel të ministrive përkatëse për projekte madhore, që do të përfshinte një numër më të madh të shteteve. Besoj se shumicën e herëve bashkëpunimi politik është ai i cili dominon bashkëpunimin ekonomik”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se viteve të fundit marrëdhëniet tregtare me vendet fqinje janë duke u përmirësuar.
Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), thotë se Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve të vendeve të rajonit.
“Nëse marrim vetëm dy vjetët e fundit, eksporti i mallrave kosovare për në vendet si Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia, kanë shkuar duke u ngritur nga viti në vit”.
“Mirëpo, është shqetësuese se importi prej këtyre vendeve ka shënuar rritje shumë më të madhe sesa eksporti”, shprehet Demi.
Përderisa bashkëpunimi ekonomik në nivel shtetëror mbetet në nivel të ulët, sipas këtyre përfaqësuesve, persona nga vende të ndryshme të rajonit (edhe Kosovës), të cilët merren me kontrabandë, bashkëpunojnë në nivel të lartë. Arian Zeka thotë se këta persona tejkalojnë çdo barrierë për t’u përfshirë në aktivitete kriminale.
“Zakonisht, njerëzit të cilët janë të përfshirë në ekonominë joformale, janë më të shkathtë dhe shumë më të zottë sesa bashkëpunimi në nivel institucional, i cili mungon”.
“Në anën tjetër, janë pikërisht kontrabanduesit ose njerëzit që janë të përfshirë në ekonominë joligjore ata të cilët gjejnë rrugët e bashkëpunimit, duke i tejkaluar të gjitha pengesat tjera dhe duke u përfshirë në aktivitet kriminale, ilegale”, thekson Zeka.
Ditë më parë disa qeveri ballkanike kanë paraqitur idenë e formimit të të ashtuquajturit Beneluks Ballkanik apo bashkim ekonomik dhe politik i Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, që do të ndikonte për bashkëpunim më të madh midis vendeve të këtij rajoni.
Kjo ide është përshëndetur edhe nga BE-ja, ndërsa është përkrahur nga qarqe qeveritare shqiptare në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, derisa zyrtarët shtetërorë maqedonas dhe ata të Serbisë kanë shprehur doza dyshimi dhe kundërshtimi, duke thënë se bëhet fjalë për projekt me prapavijë krijimin e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.