Mobi Casa

Krimi i organizuar në Viti

/ 11 minuta lexim
Hidromorava

Nga Arton Musliu- Ashtu siç dallon e drejta ndërkombëtare nga drejtësia ndërkombëtare , në të njëjtën mënyrë dallon e drejta e shtetit nga drejtësia shtetërore.

Në kontekstin e funksionimit të shtetit gjithmonë janë dy kategori të cilat pashmangshëm dhe vazhdueshëm ballafaqohen njëra me tjetrën. Në njërën anë është shteti dhe në anën tjetër është shoqëria. Në një shtet tradicional ku demokracia dhe llogaridhënia janë të instaluara prej shumë kohësh shteti dhe shoqëria nuk e shkelin njëra tjetrën.

Në rastin më të keq mund të ketë shkelje të izoluara të të drejtave të njeriut të cilat gjykata e pavarur, qoftë ajo vendore apo ndërkombëtare, u jep vendimin meritor. Mirëpo si është gjendja tek ne? Tek ne shteti është lartë, shoqëria poshtë. Meqenëse shteti është më lartë shoqërisë natyrisht se ndjehet me komod. Komoditeti i shtetarit, që e përfaqëson shtetin, në korelacion me individin, që e përfaqëson vetën dhe shoqërinë, imunizon të parin dhe margjinalizon qytetarin.

Margjinalizimi i qytetarit është i pashmangshëm në një shoqëri ku krimi i organizuar bëhet në objektet e shtetit dhe nga bartësit e shtetit. Madje ky margjinalizim dhe përçmim ka konsekuenca të pariparueshme për ne si shtet dhe si shoqëri. Në një shtet ku organet e gjyqësisë koekzistojnë frikshëm me politikanët në oqeanin e pafund të korrupsionit e krimit të organizuar, shoqëria është në rrezik të madh. Në këtë situatë denoncimi është mëse i nevojshëm.

Mbase i domosdoshëm. Në vitin e kaluar përmes shkrimeve autoriale, përveç që kanë dekontruktuar lidhjen e kontratave me të njohshëm, favorizimin e disa kompanive të caktuara dhe harxhimin e madh të parasë publike, kam eksplikuar dhe denoncuar cenimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Ndërmarrjet Publike në rastin e ndërmarrjes Universal.

Për rrjedhojë organet e hetuesisë kanë ngritur aktakuzën kundër Kryetarit të Komunës së Vitisë. Ky nuk është ballafaqimi i vetëm i tij me organet gjyqësore. Me 5 mars të vitit 2010 Kuvendi Komunal i Vitisë, me votim edhe të opozitës, miratoi vendimin për ndarjen e 60.000 eurove për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e pendës në Viti.

Kjo natyrisht se u mirëprit nga të gjithë qytetarët e komunës së Vitisë. Mirëpo ashtu nuk ndodhi. Përveç që nuk u bë studimi i fizibilitetit na i vodhën paratë tona. 60.000 euro të taksapaguesve të varfër të komunës sonë u vodhën nga djali i vëllait të Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Vitisë, Fehri Qerimi.
Fehri Qerimi, një stereotip averziv dhe i përçudshëm, bashkë me kryetarin e Komunës së Vitisë, për të cilin shumë herë kam thënë se është njeri me aftësi të kufizuara politike, me këtë rast janë autorët e këtij krimi të organizuar. Ky krim u realizua shumë shpejt. Brenda një jave atëbotë djali i vëllait të Fehri Qerimit, Astrit Qerimi, bashkë me një qytetarë nga Zvicra, përmes autorëve të krimit të organizuar, morën 60.000 euro.

Sot e asaj ditë nuk ka asnjë vendim gjyqësor nga ana e organeve të gjyqësisë për këtë krim. Krim nuk do të thotë vetëm të vrasësh. Krimi është shumëdimensional. Krimi në këtë rast është ekonomik Nuk mund të jetë e rastësishme që një i afërm i Fehri Qerimit të jetë i involvuar në këtë rast.
Nexhmedin Arifi dhe Fehri Qerimi përveç që duhet të japin përgjegjësi politike, ata në të njëjtën kohë duhet të përgjigjen penalisht për këtë krim makabër. Këta pushtetarë janë të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm. Ky krim i pakontestuar nga skena politike në Viti reflekton gjendjen e rënd morale dhe politike në të cilën ndodhët kjo skenë.

Ky krim evidentohet edhe nga Raporti i GAP-it, i cili do të trajtohet më poshtë. Mirëpo lind pyetja kush është ky njeri të cilin Ferizaji e kishte përzënë nga organet e veta dhe Nexhmendin Arifi e bëri gabimin diletant duke e emëruar drejtor të arsimit. Si mund të jetë një njeri i tillë përgjegjës për arsim kur ka shkaktuar konflikte fizike të shpeshta me kolegët e tij nëpër institucionet arsimore dhe nuk ka asnjë vlerë me të cilën do të mburrej.
Ky njeri është antivlerë. Ky tip averziv është përleshur fizikisht me një punëtorë arsimorë sa ishte në Ferizaj, ndërkaq këtë zanat e vazhdoi edhe në Viti. Arroganca e tij në korelacion me punëtorët arsimorë pranohet nga të gjithë. Dëmi që ky stereotip i shkakton shoqërisë sonë është i pariparueshëm. Po të emërohej Drejtor i Rinisë dhe Sporteve ky njeri me siguri se do ta zhvillonte sportin e boksit me përvojën e tij në këtë sport!

Krimi në arsim

Pasi është përleshur fizikisht me disa veteran të arsimit në Viti, ka bërë pikë e pesë krejt strukturën e punonjësve të arsimit, ka përçarë kolektivet shkollore, ka fshehur vazhdimisht orët mësimore, ka demotivuar punëtorët arsimorë me mungesën e profesionalizmit dhe kompetencës profesionale, Fehri Qerimi krimin më të madh kundër qytetarëve të Vitisë e ka bërë me diferencimin e tyre në baza partiake, klanore dhe shoqërore, duke rrezikuar seriozisht ekzistencën e tyre.

Nexhmedin Arifi dhe Fehri Qerimi duhet të përgjigjen penalisht për të gjitha diferencimet politike, klanore e shoqërore që kanë bërë si dhe për fshehjen e orëve mësimore nëpër shumicën e shkollave të komunës sonë. Është një rast shumë interesant i fshehjes së orëve. Në shkollën fillore të fshatit Budrikë, drejtor i së cilës është Nezir Hasani nga PDK, fshehën orët e edukatës fizike tash e sa vite.
Për rrjedhojë këto orë nuk shpallën asnjëherë sepse ky drejtor është duke i ruajtur për vete në momentin që nuk do të jetë më drejtor. Pse plotë profesor të edukatës fizike presin për punë kjo për Fehri Qerimin nuk është me rëndësi! Kjo gjithsesi është në kundërshtim flagrant me Ligjin e Punës, me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Ligjin për Arsimin Fillor dhe të Mesëm. Fehri Qerimi tanimë është paditur për këto shkelje ligjore. Derisa edhe Nexhmedin Arifi është gjithashtu i paditur për krime ekonomike. Këta të paditur janë stërkequr tejmase në krim të organizuar, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe harxhim të parasë publike.

Gjetjet e Auditorit të Pavarur

UBT

Se krimi i organizuar ka marrë trajtë në Komunën e Vitisë tregon edhe Raporti i Auditorit të Pavarur për vitin 2011. Në këtë raport vërehen plotë çështje të cilat shpërfaqin dhe vërtetojnë lulëzimin e krimit të organizuar në komunën tonë. Paragrafi i parë i këtij raporti shkruan se “Komuna nuk e mban listën e pagesave nga palët e treta”. Kjo sipas auditorit është në kundërshtim flagrant me dispozitat bazë të funksionimit të një komune.

Më tej në paragrafin 2 Auditori shpreh dështimin e komunës në regjistrimin e tokës në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës. Pra as këtë obligim ligjor nuk e ka kryer. Gjithashtu në çështjen e rindërtimit të murit të shkollës fillore “Hasan Alia” Organi Shqyrtues i Prokurimit ka dënuar komunën e Vitisë me 10.000 euro gjobë për mosrespektim te procedurave të prokurimit.

Gjithnjë sipas Raportit të Auditimit. Argument tjetër për ekzistimin e krimit të organizuar në Komunën e Vitisë është edhe fakti i evidentimit të shumë fituesve të tenderëve të cilët nuk kanë pasur leje pune. Auditori Gjeneral ka evidentuar këto shkelje ligjore në këtë drejtim : furnizim me kompjuterë, furnizim me material për zyre, furnizim me kompjuter dhe makina të fotokopjes për Kadastër dhe departamentin e bujqësisë. Ky Auditorë evidenton edhe shkelje flagrante të procedurave ligjore me rastin e realizimit të numrit enorm të drekave dhe darkave zyrtare të cilat nuk kanë asnjë mbulesë.

Raporti i GAP-it

Instituti për Studime të Avancuara ,GAP, në raportin e tij për dy vitet e qeverisjes lokale të komunës së Vitisë, gjithashtu ka evidentuar shumë shkelje ligjore, shkelje të të drejtave të njeriut, shkelje të të drejtave të grave, dukurinë tashmë të njohur “me të njohshëm”, lidhje të kontratave në kundërshtim me dispozitat e sistemit juridik pozitiv të shtetit, si dhe shumë shkelje të tjera të cilat shpërfaqin krimin e organizuar në Viti. Sa për koincidencë plotë shkelje ligjore të cilat i kam denoncuar në shkrimet e mija autoriale përgjatë këtyre dy viteve ky raport i përmban. Sipas këtij raporti pozita e zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal është në kundërshtim me nenin 54 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Sipas këtij raporti komuna e Vitisë reflekton harxhime enorme të parasë publike në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

Gjithnjë sipas këtij raporti në vitin e kaluar për akomodim, mëditje dhe avancë për udhëtime janë harxhuar 48.000 euro. Ndërkaq për telefon janë harxhuar hiq më pak se 31.000 euro. Për dreka dhe darka zyrtare si dhe për ushqim dhe pije janë harxhua afërsisht 50.000 euro.

Vetëm për gjenerator për vitin 2011 janë harxhuar 3329 euro! Për derivate janë harxhuar 78.000 euro derisa për thëngjill e dru janë harxhuar 100.000 euro. Të gjitha këto mjete të harxhuara shpërfaqin më së miri aspektin biologjik të Nexhmedin Arifit e Fehri Qerimit të cilët koekzistojnë tmerrshëm në botën e krimit të organizuar.

Ky keqpërdorim i parasë së popullit kap vlerën e 310.000 eurove. Ky raport njëkohësisht vëren se ka ngecje serioze në drejtim të ofrimit të shërbimeve elementare për qytetarët e komunës së Vitisë, duke filluar nga mungesa e kanalizimit dhe ujësjellësit nëpër fshatra e deri të mungesa e asfaltimit të rrugëve të shumta. Ky raport ndër të tjera thekson se “ Mungesa e rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit, mosasfaltimi i rrugëve lokale, vjetërsimi dhe bllokimi i gypave të rrjetit të të reshurave atmosferike, cilësia jo e duhur e ujit të pijes, moszgjërimi i rrjetit të ndriçimit publik, dëmtimi dhe vjetërsimi i objekteve shkollore, mosrregullimi i shtretërve të lumenjve llogariten si problemet më të mëdha me të cilat përballën qytetarët e komunës së Vitisë”.

Shprehur në mënyrë koncize Nexhmedin Arifi dhe Fehri Qerimi, si njerëz të paditur, janë strumbullari i krimit të organizuar në komunën tonë ku për pasoj kemi shpërdorim të detyrës zyrtare, harxhime enorme të parasë publike, diferencime të vazhdueshme në punësim, përkeqësim të gjendjes sociale, ekonomike e shëndetësore, mungesë të shërbimeve elementare për një jetë normale dhe mbi të gjitha pakënaqësi të madhe tek qytetarët e Vitisë.

Të gjitha këto abuzime ligjore, të cilat ngufasin demokracinë dhe pamundësojnë zhvillimin e konkurrencës së lirë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, abuzime këto që bëhen kryesisht nga Nexhmdin Arifi e Fehri Qerimi, krijojnë përshtypjen reale të një gjendje anormale dhe kriminale në të cilën jetojmë ne.

Si për ironi Nexhmedin Arifi ka stabilizuar në njëfarë mase qeverisjen e tij me emërimin e Avdyl Bajramit në postin e nënkryetarit të komunës. Anipse bashkëshortja e Fehri Qerimit, edhe pse e akuzuar për keqpërdorim të barnave në vitet e kaluara, ka pushtet më shumë se nënkryetari komunës. Ky është absurdi i qytetit tonë të dashur. Objektivisht ky qytet është i të gjithëve, realisht qyteti më së shumti i takon Nexhmedin Arifit dhe Fehri Qerimit.

Mbase këta nuk kanë turp për dëmin historik që janë duke shkaktuar në qytetit tonë, historisë nuk do t`i vije turp të thotë se këta kanë qenë turpi i qytetit tonë.