Krimi i mposhti prokurorët

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se fatkeqësisht prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion, së bashku me mafio-oligarkët që janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, qoftë në nivelin qendror apo në nivelin lokal.
Sipas tyre, prokurorët si instrument në duart e mafisë politike shumicën e rasteve të kallëzimeve penale i heshtin, duke i mbajtur në sirtarë, për t’i hedhur më pas poshtë në “mungesë” të argumenteve ose si lëndë të vjetruara! Për rrjedhojë ata thonë se Kosova po vazhdon të vuajë nga mungesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve të mirëfilltë, të guximshëm, me etikë dhe integritet profesional, të cilët nuk e shesin dhe as nuk e trafikojnë drejtësinë.
Analisti Naim Kelmendi ka thënë se fatkeqësisht prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion së bashku me mafio-oligarkët. “Duke qenë e kundërligjshme, ndodh që prokurorët në Kosovë shumicën e rasteve të kallëzimeve penale i hedhin poshtë pas heshtjes së gjatë e mosndërmarrjes së veprimeve ligjore pa asnjë argument, apo këto lëndë i lënë të parashkruhen nëpër sirtarë”, u shpreh për “Kosova Sot” analisti Kelmendi.
Aferat korruptive të amnistuara
Analisti Naim Miftari thotë se gjendja e shokut për organet e drejtësisë do të vazhdojë gjersa nuk pastrohet politika nga politikanët e korruptuar dhe gjendja siç tha po ashtu nuk ndryshon gjersa nuk pranohen në punë me mënyra të rregullta, me konkurse korrekte dhe transparente, pra pa lojëra të ndyta prapa perdeve dhe kur vinë në detyrë prokurorët e pa korruptuar që do ta zbatojnë vetëm ligji e asgjë tjetër, vetëm atëherë do ndryshojnë gjërat për të mirë. ” Dhe sot gjithë ai mal me lëndë të pakryera mbi 420.000 lëndë dhe zakonisht kur janë në pyetje të pandehurit, kriminelët që kanë lidhje politike apo ekonomike, atëherë prokurorëve u rrah zemra sikurse një lepuri nga frika dhe zakonisht vetë prokurorët heqin dorë nga ndjekjet penale kur janë në pyetje kriminelët e mëdhenj, kjo tregon se krimi i organizuar ka kapur tërë aparaturën e funksionimit shtetëror në dorë”, theksoi ai.”Dhe kur dihen aferat korruptive të politikanëve kah bëjnë trampe politike pa kurrfarë kriteri dhe luajnë me prokurorë dhe gjyqtarë sikurse me figura të shahut, kjo tregon se ku është problemi kryesor i korrupsionit dhe i keqqeverisjes me njerëzit e korruptuar”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.
Nën hijen e shefave mafio-oligarkë
Analisti Florim Zeqa ka vlerësuar se sistemi korruptiv i qeverisjes në Kosovë, i instaluar nga e ashtuquajtura “Qeveri e Përkohshme” e pasluftës, po vazhdon edhe në ditët e sotme. Sipas tij, mafio- oligarkët janë shefa nën hije të prokurorëve, gjykatësve dhe të gjitha institucioneve në Kosovë, qofshin ato të nivelit qendror apo lokal, derisa, siç tha, prokurorët si instrument në duart e mafisë politike shumicën e rasteve të kallëzimeve penale i heshtin, duke i mbajtur në sirtarë, për t’i hedhur më pas poshtë në “mungesë” të argumenteve ose si lëndë të vjetruara! “Kështu pra Kosova po vazhdon të vuajë nga mungesa e prokurorëve dhe gjyqtarëve të mirëfilltë, të guximshëm, me etikë dhe integritet profesional, të cilët nuk e shesin dhe as nuk e trafikojnë drejtësinë. Rasti i përgjimeve “Pronto” i ka kthyer në iluzione shpresat e qytetarëve për një përmirësim të shpejtë në sistemin e drejtësisë”, potencoi ai.”Çdo ditë në pushtet e klasës së korruptuar dhe kriminalizuar do të thotë një ditë më pak për qytetarët e varfër dhe të nëpërkëmbur të Republikës së Kosovës, të cilët më me dëshirë do ta prisnin përmbysjen e botës sesa vazhdimin e jetës me këtë klasë kusarësh politikë në pushtet”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Florim Zeqa.
Të bëhet dekriminalizimi
Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka veçuar se, veç problemeve të shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës për çdo ditë, pa dyshim sipas tij njëri nga problemet kryesore është sigurisht sundimi i së drejtës dhe rendit e ligjit, pra është ushtrimi, kultivimi i shtetit të së drejtës, gjë e cila siç tha nuk po ndodh dhe dekriminalizimi e korrupsionimi i institucioneve përgjithësisht në të gjitha instancat, përfshirë nga niveli lokal e deri tek ai qendror, e që këto procese nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga qeveria e që do të duhej ta kishte. “Prandaj, vëmendja e qeverisë do të duhej që të shtrihej edhe në problemet e tjera, veçanërisht gjithnjë tek ato të rëndësishme, akute e kronike, për t’u zgjidhur gjithnjë duke e inkorporuar këtu edhe problemin e avancimit të drejtësisë dhe të sistemit gjyqësor dhe dekriminalizimit të atyre strukturave dhe segmenteve të caktuara ku eventualisht ka indikacione, madje ka edhe perceptime, fakte dhe argumente se mund të ketë korrupsion dhe kriminalizim”, theksoi ai.”Gjendja e krijuar në vend, tregon një gjendje notore publike që perceptohet dhe me sondazhet e ndryshme që janë bërë nga brenda e jashtë shtetit dhe organizatat e specializuara vendore e ndërkombëtare, verifikohet se vërtet ka indikacione se kjo shoqëri dhe segmente të caktuara institucionale relevante të kësaj shoqërie kanë elemente kriminalizuese dhe inkriminuese brenda në veprimtarinë e tyre dhe duhej liruar sa më parë nga kjo”, vijoi më tej Baraliu për “Kosova Sot”. Sipas tij, njëkohë- sisht do të duhej pastruar gjithë ato segmente dhe elemente të caktuara të këtyre strukturave që perceptohen dhe vlerësohen nga sondazhet e ndryshme të brendshme e të jashtme, si segmente të strukturave të kriminalizuara.
(Kosova Sot)