Krimet që nuk vjetërohen kurrë

/ 5 minuta lexim

Nga Blerim Shala – Nuk mund të ndodhë normalizimi i marrëdhënive në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa ndodhë normalizimi i politikës serbe me të kaluarën e afërt, apo, njohja e përgjegjësisë për krimet e bëra në Kosovë.

Çfarë po shohim dhe po lexojmë ditëve të fundit nga ana e udhëheqësisë më të lartë të Serbisë, nuk është gjë e re. Dhe ky është lajmi më i keq i mundshëm për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe për synimin e kahmotshëm për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes një Marrëveshjeje Gjithpërshirëse.

Shkurt: Është e pamundur të ndodhë normalizimi i marrëdhënive në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa ndodhë normalizimi i raportit të politikës serbe me një të kaluar të afërt, që matet me njëzet a tridhjetë vjet, ku kjo politikë është shfaqur, botërisht, si para nesh, ashtu edhe para gjithë të tjerëve, si kryepërgjegjëse për të gjitha tragjeditë që përcollën zhbërjen e ish-RSFJ-së (Jugosllavisë).

Kur të mirret parasyshë diskursi publik i instancave më të larta të Serbisë, karshi rastit të Reçakut, i cili nuk ka ndryshuar që nga janari i vitit 1999-të e tutje, dhe që sivjet, kur u shënua njëzet vjetori i fushatës së Aleancës Veri-Atlantike dhe çlirimi i Kosovës, u shfrytëzua sërish me të njejtin qëllim, nuk duket që politika serbe e ka ndërmend ta ndryshojë këtë relacion me historinë.

Krimi i Reçakut, nuk është emri i vetëm i të vërtetës për luftën në Kosovë, në vitet 1998-të, 1999-të.

E vërteta e kësaj lufte, njeh shumë emra të këtillë, të cilat bëjnë të madh dhe të pafalshëm krimin e pushtetit të atëhershëm të Serbisë në luftën e atyre viteve ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ky krim zatën është adresuar edhe në ICTY (Tribunalin e Hagës për krime lufte), me ndëshkimin e gjithë elitës së atëhershme politike, ushtarake dhe policore të Serbisë.

Përmasat e këtij krimi, siç po shihet edhe sot e kësaj dite, janë ende të papërballueshme për politikën e Serbisë.

Me qëllim të ndryshimit të vërtetës së tërësishme për krimet dhe tragjeditë e shkaktuara në Kosovë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, prijësit politikë serbë (dhe jo vetëm politikë, fatkeqësisht), nuk janë ndalur në përpjekjet e tyre që dy rastet më të njohura të fajësisë së tyre për këto tmerre që ishin të pashoqe në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, t’i klasifikojnë si falsifikime dhe fabrikime të shqiptarëve dhe Amerikës, apo, boshnjakëve dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Bombardimi i tregut të Markales në Sarajevë (që do të ndodhë dy herë, madje), dhe ekzekutimi i civilëve shqiptarë në Reçak, do të jenë cak i vazhdueshëm i politikës serbe, për të ‘dëshmuar’ falsitetin e tyre.

Nëse politika serbe nuk është fajtore për këto dy rastet e njohura për politikën dhe mediat ndërkombëtare, atëherë, politika serbe nuk është përgjegjësja kryesore për tragjeditë e atyre viteve.

Uji Dea

Këtë e ka synuar gjithmonë politika zyrtare serbe.

Apo, në variantin tjetër, e vërteta për autorësinë e këtyre krimeve relativizohet deri në atë masë, saqë askush nuk del të jetë ai kryeautori i tyre.

Këtë na e përsërisin edhe ata politikanë kryesorë në Serbi sot, të cilët vetëm para pak vitesh, patën guximin ta tregojnë të vërtetën për krimin në kafeterinë ‘Panda’ në Pejë (në dhjetor të vitit 1998-të), ku dilte që Shërbimi Sekret i Serbisë e jo UÇK-ja apo shqiptarët, ishin kryes të vrasjes së gjashtë djemve të ri serbë, të urdhëruar nga instancat sipërore të shtetit të Serbisë.

Nuk është i gabuar, i shëmtuar dhe i turpshëm vetëm synimi i politikës serbe për t’i dhënë një kuptim tjetër ngjarjes së rëndë të Reçakut.

I tillë është edhe konkludimi i kësaj politike, që vendosë lidhjen e drejtpërdrejtë në mes të krimit të Reçakut dhe fushatës së Paktit NATO të pranverës së atij viti.

Aleanca Veri-Atlantike kishte ndërmarrë fushatën 78-të ditëshe, jo për shkak të Reçakut, por në vijim të dështimit të Konferencës së Rambouilletit (shkurt, mars, 1999-të), kur pushteti i atëhershëm i Serbisë refuzoi paqen e ofruar nga Grupi i Kontaktit dhe politikanët dhe ushtarakët e Kosovës.

E kaluara nuk mund të ndryshohet dot, prej askujt as këndejpari, as askund në Botë.

Ajo, me të gjitha tragjeditë që janë shkaktuar këndejpari, ka bërë që Kosova ta fitojë lirinë dhe të bëhet shtet i pavarur.

Çfarë mund të bëjë politika e sotme e Serbisë është që ta gjejë paqen me këtë të kaluar të rëndë, duke e marrë atë të tillë çfarë ka qenë dhe duke pranuar gjithë përgjegjësinë për ate, dhe pastaj, ta bëjë paqen e përhershme me Kosovën, përmes një Marrëveshjeje politike që do të mundësonte që Kosova dhe Serbia, si dy shtete të pavarura, të jetojnë në fqinjësi të mirë.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)