Krimea e paligjshme
Nga Arton Musliu – Gjithsesi se mënyra më e mirë për vlerësimin e proceseve është komparacioni i tyre. Ky komparacion, para se të jetë subjektiv dhe politik, duhet të jetë objektiv dhe profesional.
Zhvillimet e fundit në Ukrainë, me ç’rast Krimea u shpreh se dëshiron të jetë nën juridiskionin e Rusisë, kanë ngjallur reagime gjithandej. Nga më të ndryshmet. Shumë opinionist e politikolog kanë shprehur qëndrimet e tyre pro dhe kontra shkëputjes së Krimes nga Ukraina dhe bashkimit të saj me Rusinë. E në këtë kontekst e drejta për vetëvendosje është përdorur si mjet legjitimues për shkëputjen e Krimesë nga shteti i Ukrainës. Sidoqoftë, është i nevojshëm një vështrim analitik dhe profesional mbi këtë çështje me rëndësi fundamentale në bashkësinë dhe në të drejtën ndërkombëtare.
Historiku i shkurtër
Në vitin 1921 Krimea u konstituua si Republikë Autonome e Tatarëve Krimean nën Federatën Socialiste Sovjetike Ruse. Lufta e dytë botërore, ashtu si edhe në luftën e parë botërore, shënon pushtimin e Krimesë nga forcat gjermane, të cilën e mbajtën deri në pranverën e vitit 1944. Njeriu i cili është më meritori për ruajtjen e identitetit të tatarëve krimean është Kryeministri i BRSS-së, Nikita Hrushov. Ky njeri ndaloi politikën staliniste të depërtimit të tatarëve krimean dhe gjithashtu mundësoi kthimin e familjeve të depërtuara në Krime. Në vitin 1954 Hrushovi, një njeri i lindur në Ukrainë, e ktheu Krimenë nën juridiksionin e Ukrainës. Dhe kështu 37 vite më vonë, më 1991,, me shpërbërjen e BRSS-së, Ukraina shpalli pavarësinë e saj.
Tani pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe pas hyrjës së trupave ushtarake ruse në krime, me ç’rast ushtria ukrainase u largua, me 16 mars të këtij viti 96 % të atyre që votuan u deklaruan pro shkëputjes nga Ukraina dhe Bashkimit më Rusinë. Ndërsa një ditë më vonë parlamenti i Krimesë deklaroi pavarësinë e tij nga Ukraina dhe kërkesën për bashkim me federatën Ruse. Pas këtyre zhvillimeve termi vetëvendosje është instrumenti ligjor i cili përdoret më së shumti nga përkrahësit e shkëputjes së Krimesë nga Ukraina. Por sa është një hap i tillë i ligjshëm në bazë të së drejtës ndërkombëtare?! Për ta dhënë një përgjigje sadopak relevante duhet që gjithsesi të reflektojmë mbi parimin dhe të drejtën për vetëvendosje.
Vetëvendosja si një parim dhe koncept politik dhe si një e drejtë shfaqet fuqishëm me përfundimin e luftës së dytë botërore. Në aspektin praktik vetëvendosja është përdorur si mjet legjitimues për përpjekjet e entiteteve të ndryshme për arritjen e lirisë dhe pavarësisë. Shumica e konflikteve të përgjakshme gjithandej nëpër botë kanë ndodhur si pasoj e mohimit të vetëvendosjes dhe si pasoj e angazhimit për materializimin e saj. Vetëvendosjen e hasim te dekolonizimi, e hasim tek shpërbërja e ish federatave komuniste dhe gjithsesi e hasim edhe te përpjekjet e entiteteve të ndryshme për arritjen e pavarësisë së tyre. Kjo në aspektin praktik. Në aspektin teorik e drejta e popujve për vetëvendosje, bashkë me parimin Uti Possidetis, kan dridhur konsiderueshëm parimin e integritetit territorial dhe kanë gërryer pashmangshëm parimin e mosndërhyrjës në punët e brendshme të shteteve.
Derisa stabiliteti ndërkombëtar është mundësuar nga parimi Uti Possidetis, përmes së cilit është mundësuar vetëvendosja territoriale, por jo ajo etnike. Stabiliteti ndërkombëtar mbetet pika referuese e komunitetit ndërkombëtar përkitazi me tendencat pashmangshëm të kundërta në mes të vetëvendosjes dhe integritetit territorial. Vetëvendosja si një ndër konceptet më me ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare, sfidon pareshtur integritetin territorial dhe stabilitetin ndërkombëtar. Këtë e tregoi edhe rasti i Krimesë.
Sanksionimi i të drejtës për vetëvendosje në të drejtën ndërkombëtare fillon me Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të vazhduar inkorporimi i saj në Deklaratën për Dhënien e Pavarësisë dhe Vendeve dhe Popujve Kolonial, Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike, Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore, Deklaratën mbi Marrëdhëniet Miqësore, Aktet e Helsinkit, e shumë dokument tjerë juridik pozitiv. Dokument i rëndësishëm i cili kristalizon sanksionimin juridiko pozitiv të vetëvendosjes në të drejtën ndërkombëtare është Deklarata mbi Parimet e të Drejtës Ndërkombëtare që lidhet me Marrëdhëniet dhe Bashkëpunimin Miqësor në mes Shteteve në Përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara (Deklarata e Marrëdhënieve Miqësore).
Kjo deklaratë i tejkalon përmasat e dekolonizimit dhe vetëvendosjes i jep karakter tejkolonial. Në të njëjtën kohë përmes kësaj deklarate afirmohet vetëvendosja e brendshme dhe hapet rruga që në rast të cenimit të vetëvendosjes së brendshme të ushtrohet vetëvendosja e jashtme, respektivisht secesioni. Pra siç po shihet nga kjo dispozitë kusht për realizimin e vetëvendosjes së jashtme është cenimi i vetëvendosjes së brendshme. Gjë e cila në rastin e Krimesë nuk ka ndodhur.
E drejta për Vetëvendosje Shprehet përmes shprehjes së lirë dhe të vërtetë të vullnetit, ashtu siç edhe ka konstatuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në rastin e Saharës Perëndimore. Shprehur në mënyrë koncize e drejta e popujve për vetëvendosje është normë e pakundërshtueshme e të drejtës ndërkombëtare dhe njëkohësisht është parim thelbësor i të drejtës ndërkombëtare bashkëkohore.
Ajo për të cilën nuk ka asnjë dyshim është përcaktimi i komunitetit ndërkombëtar përmes të drejtës ndërkombëtare për natyrën territoriale të vetëvendosjes. Ka vetëvendosje territoriale. Nuk ka vetëvendosje etnike. Përveç kuadrit territorial është shumë e rëndësishme të caktohet edhe titullari ( subjekti) i të drejtës për vetëvendosje. Përveç popujve kolonial si titullar të së drejtës për vetëvendosje kategorizohen edhe popujt nën sundim të huaj apo sundim ushtarak, grupet racore që ju mohohet qasja në qeverisje (këtu bëhet fjalë për Afrikën Jugore dhe Rodezinë Jugore ku shumicës i është mohuar qasja në qeverisje), popujt e shteteve federative (janë titullar të së drejtës për vetëvendosje të jashtme), popujt në kuptimin e të gjithë popullatës të një shteti ekzistues (popujt e shteteve kontraktuese të Pakteve Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut), dhe popujt apo nëngrupet që janë popuj minoritar ( minority people).
Dy dokumentet juridike ndërkombëtare të cilat në mënyrë implicite e përkrahin secesionin, në kushte të veçanta, janë Deklarata mbi Marrëdhëniet Miqësore dhe Deklarata e Vienës e vitit 1993, e miratuar nga Konferenca Botërore mbi të Drejtat e Njeriut. Mbi bazën e kësaj shumica e autorëve pajtohen se secesioni si njëra nga mënyrat e materializimit të vetëvendosjes së jashtme mund të lejohet nëse plotësohen këto kushte apo parametra: duhet të ekzistoj një popull i cili, edhe pse është minoritet në aspektin numerik në krahasim me pjesën tjetër të popullatës në shtetin amë, formon shumicën në një pjesë të caktuar të territorit të atij shteti dhe njëkohësisht shtrihet në një pjesë kohezive territoriale të atij shteti; këtij populli i është mohuar vetëvendosja e brendshme dhe u janë shkelur në shkallë të gjerë liritë dhe të drejtat e njeriut të anëtarëve të tij; duhet të jenë shterur të gjitha mjetet për arritjen e një zgjidhjeje politike dhe nuk duhet të ketë shpresë reale për arritjen e ndonjë marrëveshje në mes të popullit i cili dëshiron të shkëputet dhe shtetit nga i cili ai popull dëshiron të shkëputet.
Ajo që David Raič e quan “e drejta e kualifikuar për secesion”. Në rastin e Krimesë kushti i parë plotësohet derisa dy kushtet tjera për materializimin e vetëvendosjes nuk ekzistojnë. Sepse Krimea ka pasur institucionet e veta vetëqeverisëse dhe të drejtat e qytetarëve të Krimesë nuk janë cenuar nga Ukraina në at shkallë sa për të ardhur në shprehje secesioni unilateral. Në suksesin e secesionit luan një rol të konsiderueshëm edhe mbështetja ndërkombëtare. Kjo vërehet qartë në praktikë. Shkëputja e Bangladeshit nga Pakistani është një tregim i suksesshëm i secesionit të njëanshëm, i cili nuk do të ndodhte po të mos ishte mbështetja ndërkombëtare. Sepse kemi shume raste gjithandej nëpër botë ku përpjekja për secesion nuk është përkrahur. Dështimi i shkëputjes së Katangës nga Kongo dhe Biafrës nga Nigeria, refuzimi i njohjes së Abkhazisë dhe Osetisë Jugore si shtete të pavarura dhe shumë raste të tjera tregojnë për mbizotërimin e integritetit territorial karshi vetëvendosjes së jashtme.
Rasti i Krimesë është më kompleks sepse Krimea ka ushtruar njërën nga mënyrat e vetëvendosjes të parapara me rezolutën 1541 të AP të OKB. Evoluimi i të drejtës ndërkombëtare ka reflektuar edhe në parimin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Kushtet tradicionale për shtetësi, të parapara me Konventën e Montevideos, kanë evoluar. Sipas Konventës së Montevideos, njëri ndër kushtet kryesore për shtetësi ishte ekzistimi i kontrollit efektiv mbi një territor të caktuar. Tanimë ky kusht u relativizua.
Me fjalë të tjera tanimë kontrolli efektiv i territorit nuk llogaritet pengesë për arritjen e shtetësisë. Pra tani formimi i shteteve nuk është çështje fakti, është çështje e së drejtës. Shtetësia faktike ka evoluar gradualisht dhe sigurt në shtetësinë juridike. Rasti i Bangladeshit, rasti i Gjeorgjisë (mungesa e kontrollit të territorit në Abkhazi dhe Oseti Jugore), rasti i Kroacisë por edhe ai i Kosovës tregon për margjinalizimin e kritereve tradicionale për shtetësi dhe aktualizimin e kritereve moderne. Mirëpo nuk duhet harruar edhe një fakt.
Materializimi i të drejtës për vetëvendosje varet edhe nga fuqia dhe ndikimi që shteti, prej të cilit dëshiron të shkëputet një entitet, ka në komunitetin ndërkombëtar. Këtë fakt e ilustron dështimi i pavarësimit të territoreve kurde nga Turqia dhe Iraku, dështimi i pavarësimit të territoreve Punjabi, Assami, Nagalandi dhe Mizorami nga India, Morot nga Filipinet, Çeçenia nga Rusia. Sfidë për komunitetin dhe të drejtën ndërkombëtare paraqesin kërkesat e parreshtura të grupeve etnike për shtetësi.
Pasi në njërën anë parimi i integritetit territorial është ende aktual dhe i fuqishëm, në anën tjetër komplementimi i të drejtës për vetëvendosje me dimensionin e të drejtave të njeriut pashmangshëm ngritë plotë dilema.
Përfundim
Personalisht mendoj se pavarësimi i Krimesë nga Ukraina dhe bashkimi i saj me Rusinë, edhe pse me referendum, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.Kjo për shkak se dy prej tri kritereve për të ushtruar secesionin, të përmendura më lart, nuk janë plotësuar. E drejta për vetëvendosje të jashtme, respektivisht secesioni, vjen në shprehje vetëm atëherë kur popullit i cili jeton në një hapësirë kohezive territoriale ju mohohet vetëqeverisja dhe ju shkelen në masë të madhe liritë dhe të drejtat e njeriut.
Pra cenimi i vetëvendosjes së brendshme është kusht për materializimin e vëtevendosjës së jashtme. Derisa në anën tjetër hyrja e ushtrisë ruse në territorin e Ukrainës është në kundërshtim të plotë me parimin fundamental të së drejtës ndërkombëtare, e që është parimi i sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial. Ndërkaq shprehja e lirë e vullnetit për pavarësi apo bashkim me ndonjë shtet tjetër ( atëherë kur plotësohen tri kushtet e lartpërmendura për secesion), në këtë rast me Rusinë, nuk është në kundërshtim me praktikën ndërkombëtare, por që me evoluimin e të drejtës ndërkombëtare, duhet gjetur përkrahje, mbështetje të komunitetit ndërkombëtar. Gjë që në rastin e Krimesë nuk ka ndodhur.
Autori është Njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Ka përfunduar Masterin me temën : E Drejta e Vetëvendosjes në të Drejtën Ndërkombëtare


