Krenare Latifi Kqiku viziton Qendrën Down Syndrome në Gjilan: Duhet të krijojmë mundësi të barabarta për çdo fëmijë
Gjilan – Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Krenare Latifi Kqiku, ka vizituar Qendrën Down Syndrome në Gjilan në kuadër të aktiviteteve të organizuara për fushatën tradicionale të 21 marsit – Ditës Botërore të Sindromës Down.
Gjatë kësaj vizite, përmes nismës “Një Kartolinë për ty”, është përcjellë një mesazh mbështetjeje dhe solidariteti për fëmijët me sindromën Down dhe familjet e tyre.
Latifi Kqiku tha se kjo ditë është një kujtesë e rëndësishme se çdo fëmijë është unik dhe i çmuar, duke theksuar se fëmijët me sindromën Down sjellin dashuri, energji dhe një mesazh të fortë për shoqërinë.
“Sot pata kënaqësinë dhe nderin të jem këtu me ju në këtë ditë të veçantë. Kjo ditë na kujton se çdo fëmijë është i mbushur me dashuri, talente dhe ëndrra”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se fëmijët me sindromën Down na mësojnë çdo ditë vlera të rëndësishme si dashurinë, durimin dhe gëzimin në gjërat e vogla të jetës, ndërsa buzëqeshja e tyre përçon një mesazh të fuqishëm për mirëkuptim, respekt dhe përfshirje.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit shtoi se është përgjegjësi e institucioneve dhe e shoqërisë që të krijojnë mundësi të barabarta për çdo fëmijë, në mënyrë që ata të ndihen të pranuar, të mbështetur dhe të vlerësuar.
Në fund të vizitës, ajo falënderoi stafin e qendrës dhe fëmijët për mikpritjen dhe për momentet e ngrohta të ndara së bashku, duke i inkurajuar ata të vazhdojnë të buzëqeshin dhe të ndajnë energjinë dhe sinqeritetin e tyre me të gjithë./rajonipress/


