Fundamenti

Krejt po dalin!

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Dikush po del nga shoqëria civile në parti politike, kryeministri po del gjithandej për t’i bindur qytetarët t’ia besojnë dhe një mandat, e krimet e supozuara ka gjasë të dalin shpejt në shesh. Krejt po dalin.

Reklama e njërës nga kompanitë e telefonisë mobile asnjëherë nuk ka qenë më aktuale se këto ditë në Kosovë. Pjesëtarë të shoqërisë civile e politikanë që s’kanë më çfarë të japin nga vetja po dalin nëpër parti, kryeministri po del nëpër biznese e fotografi, deputetë po dalin të votojnë kundër vullnetit të tyre, qeveria ka nxjerrë në aksion aktorë që t’i bindin qytetarët të mos dalin jashtë, e më në fund ka shansa që krimet e kryera në Kosovë të dalin në dritë dhe autorët të marrin dënimin e merituar. Gjithçka në prag të zgjedhjeve që s’po dihet kur po mbahen e qysh po mbahen.

* * *

Sa herë që në politikë futet ndonjë aktivist i shoqërisë civile, reagimet janë të pritura. Zakonisht iu zihet për të madhe pse kanë zgjedhur t’i bashkohen një opsioni politik, por ua kujtojnë edhe ndonjë deklaratë a qëndrim të mëhershëm pro ose kundër partisë së cilës i janë bashkuar.

Në vendin ku opozita jo rrallë nuk e kryen punën që i takon, shoqërisë civile kosovare i mbetet barra që të reagojë e ta çojë zërin kundër të këqijave që ndodhin, duke e deformuar kështu në njëfarë mase rolin që duhet ta ketë. Madje, parti politike opozitare shpesh reagojnë ndaj bëmave të pushtetit vetëm pasi ato bëhen publike nga shoqëria civile. Kështu, duke u parë si opozitë e vërtetë (të paktën një pjesë e saj), aderimet e aktivistëve në parti politike bëjnë bujë kaq të madhe. Më shumë nga droja se zërat kritikë po pakësohen, sesa nga zgjedhja personale që ata bëjnë.

Përfshirja e aktivistëve të shoqërisë civile në politikë do të duhej të sjellë vlerë në partitë politike, por siç ka ndodhur deri tash, pavarësisht vlerave që mund t’i kenë pasur individë të caktuar, ata nuk kanë mundur të rezistojnë dhe janë zhytur thellë në batakun e injorancës së politikës.

* * *

Uji Dea

Hiç më të mirë të krijohet përshtypja të mos jenë as ideatorët e një fushate që synon t’i vetëdijesojë qytetarët e Kosovës të mos migrojnë ilegalisht. Me fjalë të tjerë, kosovarëve iu thuhet të mos provojnë të shkojnë në Europë ilegalisht. Në vendin-burg ku jetojnë, shumë qytetarë migrimin diku jashtë e kanë zgjidhje të vetme. Natyrisht, në mënyrë ilegale, sepse ende jetojnë në vendin më të izoluar të kontinentit – jo për fajin e tyre, por për fajin e atyre që i udhëheqin, e të cilët kishin premtuar se vizat do të hiqeshin shpejt. Dhe tash kur durimi po prek fundin, të lodhurve nga varfëria e papunësia, të ngulfaturve nga korrupsioni e hajnia iu thuhet të mos ikin. Të rrinë këtu, të vazhdojnë të vuajnë.

Nëse njerëzve iu bëhet thirrje të mos e braktisin vendin, atyre duhet siguruar mirëqenie e prosperitet. Ndryshe, gjithçka është poshtërsi e llojit të vet dhe del jashtë logjikës së shëndoshë.

E, po jashtë logjikës së shëndoshë po del të jetë edhe fushata e ashpër e Hashim Thaçit për të premtuar dhe shpërblyer gjithandej, pa zgjedhur formë as mjete, në përpjekje që të fitojë edhe një mandat në krye të qeverisë. Ashtu siç s’ka lidhje me logjikë edhe mosreagimi adekuat dhe rehatia e çuditshme e pjesës më të madhe të opozitës, që duket se është zënë aq e befasuar nga lideri i PDK’së, sa që është dorëzuar keq në garë me të për t’ia argumentuar të kundërtën e atyre që thotë e bën.

* * *

Se tjetër gjë thonë, e tjetër veprojnë, e dëshmuan edhe shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Të thuash se je kundër themelimit të gjykatës speciale, e në anën tjetër të votosh që ajo të themelohet nuk shkon. Por, ja që kjo ndodhi. Kuvendi votoi për themelimin e gjykatës që do të hetojë pretendimet e ngritura për krime të supozuara në raportin e Dick Martyt.

Shumica e deputetëve u arsyetuan të mos kenë pasur tjetër zgjidhje, ndërkohë që pati nga ata që me çdo kusht deshën të tregohen patriotë, sa për të fituar ndonjë poen politik. Por asnjërit, ama asnjërit nuk i ra ndërmend t’i thotë dy fjalë për përgjegjësinë që e ka shoqëria kosovare që ta pastrojë veten nga krimet që s’po e lënë të shkojë përpara. Për përgjegjësinë që e ka secili prej nesh të mbështesë çdo përpjekje të kujtdoqoftë, që secilin që mund të ketë kryer krime në emë të luftës për liri, ta vejë para drejtësisë. Kjo është e shëndetshme për shoqërinë dhe sa më shpejt që të bëhet, aq më mirë. Ndryshe mbetemi peng të së kaluarës tonë aspak të lavdishme, të mbushur me krime të kryera në emër të lavdisë.

Në këtë atmosferë “daljesh” gjithandej, le të dalin krejt. Edhe ashtu hesapi na del se më keq që jemi, s’ka ku të shkojë.