ARKATANA

Krasniqi: PDK s’tërhiqet nga Kryeparlamentari, jemi të gatshëm për zgjedhje

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Blloku LDK-AAK –NISMA, për dallim prej 17 korrikut, nuk besojmë se do ta përsërisin shkeljen kushtetuese, në seancën e ardhshme të 12 shtatorit. Presim të votohet Kryeparlamentari i PDK’së ashtu siç parashihet në Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, deri më tash s’kemi biseduar me asnjë parti politike pasi dihet pozicioni i tyre bllokues edhe ndaj formimit të institucioneve. Si fituese, PDK është e gatshme edhe për zgjedhje të reja. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, flet për Express.

Express: Udhëheqësit e Bllokut kanë paralajmëruar se do të votojnë për Isa Mustafën si Kryetar të Kuvendit pas dështimit të PDK’së. Nëse ndodh një gjë e tillë, a do ta dërgojë sërish PDKnjë procedurë të tillë në Gjykatë Kushtetuese?

M. Krasniqi: Mendoj, se ajo që është e ditur edhe para seancës së kaluar, por që është konfirmuar si shkelje decidivisht edhe në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që ka nxjerrë disa hapa të ndërmarrë nga Blloku në seancën e 17 korrikut, si shkelje eksplicite të Kushtetutës së Kosovës. Nëse thuhet se do të përsëriten, atëherë, kemi të bëjmë me një situatë ku një bllok politik me vetëdije dhe në mënyrë shumë të hapur, paralajmëron, jo vetëm shkelje politike para opinionit politik se ne do ta shkelim Kushtetutën, pavarësisht, asaj që e dimë se po e shkelim. Dua të besoj se kjo është krejt në kuadër të, ta quaj, presionit të ndërsjellë politik dhe në kuadër të presionit të brendshëm që anëtarët e Bllokut ia bëjnë njëri-tjetrit sepse nuk dua të besoj se në Kosovë, si një vend demokratik, ku po mundohemi që të krijojmë një qasje pozitive në kuptim të respektimit të institucioneve, nuk duhet dhe nuk mund të ketë një nënçmim të tillë dhe shkelje të Kushtetutës dhe institucioneve me vetëdije vetëm sa për të arritur realizimin e interesave personale.

Express: Mirëpo, nëse përsëritet një situatë e tillë në Parlament, a do t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese?

M. Krasniqi:Është çështje hipotetike sepse unë sinqerisht shpresoj se nuk mund të jenë irancional deri në atë nivel liderët politik të opozitës për të shkelur Kushtetutën më dy këmbë dhe me vetëdije të plotë, posaçërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese i ka shpallur jokushtetues hapat që kanë ndërmarrë në seancën e kaluar. Por, ne besojmë se nuk do të vijë fare deri te kjo situatë, sepse, ne besojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të veprojnë duke u bazuar në nevojat e vendit dhe të konsolidimit institucional si prioritet momental që duhet ta kemi të gjithë. Dhe, jo të mbesim peng të interesave personale të liderëve të tyre.

Express: Mirëpo, dihet se PDK nuk i ka numrat në Kuvendin e Kosovës për të zgjedhur Kryeparlamentarin dhe as për ndërtimin e Qeverisë. Si do ta tejkaloni këtë problem për të pasur ju Kryeparlamentarin?

M. Krasniqi: Unë kam shpresë, personalisht, se deputetët si njerëz që kanë marrë mandatin nga qytetarët e Kosovës për t’i përfaqësuar interesat e tyre, në momentin e fundit do të duhej të vendosnin duke u bazuar pikërisht në interesat e qytetarëve dhe jo në interesat dhe inatet e liderëve. Shkoj në seancë me shpresën se aty do të mbizotërojë racionaliteti dhe arsyeja politike edhe institucionale, edhe shtetërore në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë shumë e panevojshme, por edhe realisht dëmtuese për vendin dhe që të kalohet përmes votimit të kryekuvendarit dhe pastaj t’i hapte rrugë edhe krijimit të Qeverisë.

Express: Partitë tjera po kërkojnë nga PDK të tërhiqet nga pozita e Kryeparlamentarit. A është në gjendje PDK të pranojë këtë kërkesë dhe të tërhiqet nga pozita më e lartë në Kuvend?

M. Krasniqi: Partia Demokratike e Kosovës, dihet botërisht, gjithmonë kur i ka fituar zgjedhjet ka pasur qasje inkluzive dhe një qasje të hapur ndaj diskutimeve dhe shkëmbimit të ideve me të gjitha partitë politike. Ne e kemi këtë qasje edhe tash. Ajo që vërehet bllokada në çdo aspekt nga ana e Bllokut dhe kjo bllokadë e tyre është jo vetëm ndaj veprimeve të PDK’së, por kjo bllokadë është ndaj themelimit të institucioneve. Realisht, kjo qasje e ka dëmtuar vendin në muajt dhe javët e fundit. PDK i ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kjo është konfirmuar se e ka besimin më të madh qytetar dhe se qytetarët e Kosovës duhan të vazhdohet qeverisja e PDK’së. Në këtë drejtim do të ishte, normalisht, do të ishte një tërheqje nga mandati që neve na e kanë dhënë qytetarët. Është krejtësisht e pakuptimtë kur humbësit e zgjedhjeve, të cilët realisht do të duhej të jepnin llogari, së pari instancave të tyre partiake por edhe elektoratit të tyre për dështimet që i kanë pësuar, tash, është e pakuptimtë që të kërkojnë prej partisë fituese që të lëshojnë rrugë kur dihet se gara politike bëhet për të marrë mandatin e qytetarëve për të udhëhequr me vendin. Ne këtë e kemi bërë duke marrë mandatin dhe planifikojmë ndërtimin e institucioneve.

Fundamenti

Express: Mirëpo, shumëkush po e sheh si dështim të PDK’së, e cila nuk po arrin t’i sigurojë numrat për të votuar Kryeparlamentarin dhe Qeverinë?

M. Krasniqi: Është çështje relative kjo, sepse, në fund të fundit, ne kemi dalë, siç thuhet para opinionit publik dhe kemi publikuar ofertat tona, programet tona. Kemi pasur pas vetes edhe një regjistër të punëve të kryera gjatë mandatit tonë dhe në garë të hapur dhe demokratike me të gjitha këto parti politike, jo vetëm që kemi dalë të parët, por kemi arritur të rrisim edhe numrin e votave për dallim prej zgjedhjeve të kaluara. Andaj, është e pakuptimtë që të thuhet ose të relativizohet kjo fitore shumë e rëndësishme e PDK’së nga ata të cilët gjatë zgjedhjeve që më shumë janë sharë mes vete sesa me PDK’në. Duke u nisur krejtësisht nga interesat e ngushta të liderëve të tyre kanë bërë një koalicion paszgjedhor, i cili, realisht, po tregohet bllokues për themelimin e institucioneve.

Express: PDK shkon me një marrëveshje me partitë politike për t’i marrë votat për Kryeparlamentar apo vetëm shpresoni se do të merrni votat?

M. Krasniqi: Ne jemi shumë komod para kësaj seance, për arsyen e thjeshtë, se edhe Gjykata Kushtetues e ka konfirmuar se ne kemi pasur të drejtë edhe në seancën e kaluar me të drejtë atë që kemi thënë, dhe në veprimet e tona, po ashtu. Dhe, tash normalisht se shkojmë më komod për faktin se është e ditur botërisht se sipas Kushtetutës së Kosovës i vetmi grup parlamentar që mund të propozojë Kryetarin e Kuvendit është grupi më i madh parlamentar, që në këtë rast, është Grupi Parlamentar i PDK’së. Andaj, ne shpresojmë se për dallim prej seancës së kaluar do të ketë një arsyeshmëri dhe racionalitet politik shumë të lartë, i cili do të mundësonte daljen nga kjo situatë momentale dhe do të hapte rrugë krijimit të institucioneve. Ne nuk kemi zhvilluar biseda me asnjë prej partive politike sepse dihet qëndrimi i tyre. Ne mendojmë që në fazën tjetër për themelimin e Qeverisë do të jetë e nevojshme bisedimet, por para se gjithash, së pari duhet ta kalojmë këtë moment të rëndësishëm, pra, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Express: Në këtë situatë të bllokadës politike, a është e gatshme PDK të lëshojë rrugë dhe të mbetet në opozitë?

M. Krasniqi: Besoj se përgjigjen për një gjë të tillë, para se gjithash, duhet ta japin dhe e kanë dhënë qytetarët e Kosovës. Nëse qytetarët e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe fjala e tyre është që të vazhdohet qeverisja nga një koalicion i udhëhequr nga PDK’ja, atëherë, nuk kemi as të drejtë dhe as mandat që të veprojmë në kundërshtim me vullnetin qytetar sepse qytetarët e Kosovës në zgjedhje të lira dhe demokratike e kanë treguar këtë duke i dhënë mbështetjen më të madhe PDK’së. Andaj, do të ishte thjeshtë një tërheqje sikur ne tani të tërhiqeshim nga qeverisja e vendit. Nuk do të lëshojmë pe në asnjë mënyrë nga e drejta jonë legjitime e dhënë prej anës së qytetarëve të Kosovës për formimin e institucioneve.

Express: Shumëkush po e përmend se nëse dështon formimi i institucioneve do të shkohet në zgjedhje ose do të ndërhyjnë ndërkombëtarët. Cilat janë pritjet e PDK’së?

M. Krasniqi: E mira e të mirës do të ishte sikur në të kishim një situatë shumë më normale dhe një sjellje normale politike nga ana e Bllokut LDK-AAK-NISMA. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur prej publikimit të rezultatit zgjedhor dhe kjo situatë vazhdon sot e kësaj dite. Tani, ne si Shtet i pavarur dhe sovran, që ka arritur të konsolidojë institucionet si dhe të përmbushë përmbylljen e pavarësisë së Kosovës do të ishte shumë më mirë ta zgjidhnim këtë situatë pa pasur nevojë që të ketë ndërhyje ndërkombëtare. Unë kam besim se kjo do të arrihet edhe pa ndihmën e ndërkombëtareve. Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve, pa dyshim, se nuk do të ishte zgjidhja më e mirë e kësaj situate sepse do të na duhej që të humbnim edhe disa muaj deri te konsolidimi i i institucioneve të reja. Përsëri, rezultati i zgjedhjeve nuk do të ndryshonte sepse PDK do t’i fitonte zgjedhjet, por nëse vije deri te ajo situatë, ne jemi të gatshëm për zgjedhje në çfarëdo kohe që ato mund të mbahen.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.