Fundamenti

Krasniqi: Nuk jemi të gjithë mashtrues

/ 6 minuta lexim

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk pranon të hyjë në një “thes” me të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se në Legjislativ ka edhe deputetë të mirë. Krasniqi nuk e hedh poshtë mundësinë se një numër i konsiderueshëm i deputetëve janë mashtrues, por tha se jo të gjithë janë të tillë.

Kjo deklaratë e kryeparlamentarit ndërlidhet me një shkrim të botuar në gazetën “Zëri”, ku janë publikuar emrat e disa deputetëve të cilët mashtruan Legjislativin duke marrë goxha para në emër të udhëtimeve, ndërsa qëndrojnë në Prishtinë. Krasniqi kërkoi që të dihen emrat e këtyre ligjvënësve, edhe pse në gazetë janë publikuar disa nga emrat e deputetëve që për vitin e kaluar kanë marrë të holla në emër të shpenzimeve të udhëtimit me arsyetimin se gjatë seancave plenare dhe punës nëpër komisione kanë udhëtuar me dhjetëra kilometra.

Vetëm për vitin e kaluar më shumë se 170 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kuvendit udhëtimet jashtë Prishtinës të 75 deputetëve të Kuvendit, me arsyetimin se gjatë seancave plenare apo punës nëpër komisione kanë udhëtuar nga vendlindjet e tyre drejt kryeqendrës.

Gazeta ka përmendur deputeten Ganimete Musliu, Donika Kadaj Bujupin, Valbona Dibren…etj, të cilat mësohet se jetojnë në Prishtinë dhe në një formë apo tjetër posedojnë banesa apo shtëpi, por që kanë përfituar në emër të shpenzimeve të udhëtimit. Por, gjatë ditëve në vijim do të publikohen dhe emrat e disa deputetëve tjerë të cilët mësohet se jetojnë në Prishtinë, por që figurojnë në listën e përfituesve.

Deputetët reagojnë për ngritje të akuzave

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës më në fund të enjten u është kthyer punimeve në një seancë të re pas bojkotit për një periudhë të gjatë kohore pikërisht për shkak të përplasjeve në mes pozitës dhe opozitës për privatizimin e Post Telekomit të Kosovës.

Fillimisht ka pasur reagime nga deputetët e Kuvendit rreth ngritjes së aktakuzës për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si grupi i Drenicës, në mesin të cilëve gjenden edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Deputetët shfaqin besimin e plotë të tyre se përfundimisht do të vërtetohet pafajësia dhe pastërtia e luftës së UÇK-së. Në pikat jashtë rendit të ditës, deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku ka thënë se akuzat e ngritura ndaj ish-guerilëve të UÇK-së janë të padrejta.

Uji Dea

“Ne besojmë në luftën e drejtë dhe të pastër të luftëtarëve të UÇK-së. Ne besojmë se lufta e pastër e luftëtarëve nuk mund të gjykohet as nuk duhet të dënohen”, ka thënë ajo. Sipas saj, prokurori i EULEX-it, Mauricio Salustro, por edhe vetë ky mision, duke ngritur akuza kryesisht për pjesëtarët e UÇK-së po amnistojnë kriminelët e vërtetë serbë, të cilët siç tha ajo dihen me emra e mbiemra.
Aktakuza e ngritur kundër bashkëluftëtarëve të Adem Jasharit, tha ajo, prekin lirinë dhe themelet e shtetit të Kosovës.

Në anën tjetër, derisa Izmaku ka fajësuar EULEX për ngritjeve të akuzave ndaj luftëtareve të lirisë, deputeti Ahmet Isufi i AAK-së ka përshëndetur lirimin e grupit të Gjilanit nga Gjykata e Beogradit. Edhe Isufi i ka quajtur montime politike të gjitha gjykimet e ndodhura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke kërkuar nga gjykatat që të heqin dorë nga faqet e historisë.

“Ne kërkojmë nga prokuroritë dhe gjykatat vendore e ndërkombëtare që të merren me krimin e organizuar e korrupsionin dhe veprimet antiligjore në Kosovë, por jo edhe me luftën e lavdishme të UÇK-së për liri dhe pavarësi”, ka thënë Isufi. Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka shprehur shqetësimin e thellë rreth veprimit të fundit nga policia serbe e cila konfiskoi rreth 5 mijë libra shqip të nxënësve të Luginës së Preshevës, të cilat ishin donacion nga Ministria e Arsimit e Kosovës.

Kritikohet qeveria për mosdisiplinë

Në pikat jashtë rendit të ditës, deputeti Glauk Konjufca kritikoi kryeministrin Hashim Thaçi për takimet që po i zhvillon me homologun e tij serb, Ivica Daçiq. Duke iu referuar deklaratave të shefit të qeverisë serbe se “nëse në Mitrovicën e veriut zgjidhet kryetar komune një shqiptar, atëherë atje do të ketë konflikt të armatosur”, deputeti i VV-së tha se kësaj deklarate i thonë kërcënim me luftë .

“Nuk e dëgjova askënd nga Bashkimi Evropian që ta qortojë Daçiqin për këtë deklaratë luftënxitëse”, ka thënë ai. Gjithashtu, edhe në këtë seancë plenare sikurse është bërë praktikë që deputetët e Kuvendit mos të marrin përgjigje në pyetjet e shtruara nga anëtarët e kabinetit qeveritar. Kreu i Kuvendit , Jakup Krasniqi adresoi kritika në drejtim të qeverisë për këtë gjë.

“Qeveria ka marrë kritika në raportin e progresit për shkak të mosgatishmërisë për t’iu përgjigjur në pyetjet e deputetëve”, rikujtoi Krasniqi.

Në një moment, Kuvendi serish u përball me mungesë të kuorumit, derisa në pjesën e pasdites u arrit që më shumicë votash të aprovohet projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik sikurse dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, të cilëve iu kanë dhënë mbështetje.