UBT

KQZ: Deri në orën 15 kanë votuar 27,92 për qind e qytetarëve

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 15 në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar gjithsej 27,92 për qind e qytetarëve, ose 328.971 votues.

Siç u tha, deri në orën 15, dalja më e madhe në votime ka ndodhur në komunën e Parteshit, ku kanë dalë 51,52 për qind e votuesve, ndërsa dalja më e vogël e votuesve është shënuar në Klinë – 15,26 për qind.

Në Prishtinë kanë dalë deri në orën 15, 28.14 për qind e votuesve.

Në Tunelin e Parë koordinatorët e PDK-së dhe AKR-së përleshen në vendvotim

Prishtinë, 1 dhjetor – (E plotësuar) Demokracia në Veprim ka evidentuar një incident në Mitrovicë, konkretisht te Tuneli i Parë, ku dy koordinatorë të PDK-së dhe AKR-së janë përleshur fizikisht brenda vendvotimit. Policia i ka arrestuar këta person dhe ka ftuar prokurorin për të proceduar më tutje, transmeton KTV.

Sipas Demokracisë në Veprim, në shkollën “Yll Morina” në Gjakovë, menaxheri i qendrës së votimit ka votuar pa dokument identifikimi përkatës dhe pas reagimit të vëzhguesve, procesi i votimit është ndërprerë për rreth 20 minuta. Pas intervenimit të organeve ndjekëse, është hapur vendvotimin dhe ka vazhduar procesi i votimit. Ndërsa në Ferizaj, në fshatin Varosh, dyshohet që një automjet civil ka poseduar brenda tij një kuti votimi, ka thënë Driton Selmanaj nga Demokracia në Veprim. Sipas tij, një dëshmitar e ka pyetur ngasësin e veturës se pse e posedon këtë kuti, ndërkohë ka marrë një përgjigje se bëhet fjalë për një të tillë të dëmtuar dhe se do të zëvendësohet në një vend. Vëzhguesit e DV-së kanë pyetur edhe KKZ-në nëse ka ndonjë problem me kuti votimi, por të cilët kanë mohuar një gjë të tillë.

DnV: Deri në orën 12, kanë votuar 13 për qind e qytetarëve

Prishtinë, 1 dhjetor – 15:05 – (E plotësuar) Demokracia në Veprim ka raportuar se deri në orën 12:00 kanë votuar rreth 13 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, çfarë tregon se është rritur numri i votuesve krahasuar me orët e para të ditës.

Driton Selmanaj nga DnV tha të kenë evidencuar disa parregullsi dhe incidente që kanë ndodhur në disa qytete.
Sipas tij në Mitrovicë ka ndodhur një përleshje mes koordinatorit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atij të Aleancës Kosova e Re, që për pasojë është mbyllur vendvotimi.

Gjithashtu një vendvotim është mbyllur për 20 minuta edhe në Gjakovë pasi menaxheri i një qendre të votimit ka votuar pa dokument identifikues.

Më herët, sot, Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, Laura Pula, në konferencën e parë për media ka thënë se deri tash janë shënuar dy raste të parregullsive.

Sipas Pulës, rasti i parë ka ndodhur në fshatin Zhegër të Gjilanit, ku një vajzë ka fotografuar votën dhe pastaj e ka postuar atë në Facebook. Ajo ka thënë se ajo është duke u marrë në pyetje nga policia. Ndërsa rasti tjetër ka ndodhur në qytezën e Shtërpcës, por ka thënë se detajet për të do të jepen gjatë ditës. Koordinatorja e zgjedhjeve ka thënë se janë angazhuar 60 prokurorë kujdestarë, ndërsa ka lutur qytetarët që të mos lajmërojnë raste të rreme, ngase edhe ata do të ndiqen penalisht për to. “Kemi pasur edhe një lajm të rremë në Prishtinë, e po ashtu një zyrtar i një subjekti politik ka lajmëruar për një rast të fotografimit të votës, por i cili pas 15 minutave e ka tërhequr njoftimin, pasi ka thënë se ai nuk ka qenë i saktë”, ka theksuar ajo. Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se më se 5100 policë janë angazhuar në procesin zgjedhor për të ofruar siguri për qytetarët. Kelani ka thënë se situata e sigurisë është e mirë, me përjashtim të dy rasteve, për të cilat ka thënë se nuk kanë ndikuar në procesin zgjedhor.

Në ndërkohë Pula ka njoftuar se përveç dy rasteve ka ndodhur edhe rasti tjetër në Prizren, ku një zyrtarë i lartë i KKZ-së, dyshohet për manipulim të votave.

Deri në mesditë, dalje më e vogël në votime se më 3 nëntor

Prishtinë, 1 dhjetor – 13:17 – (E plotësuar) Pjesëmarrja e qytetarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po mbahen sot në Kosovë është e vogël, madje shumë më e vogël se në votimet e mbajtura me 3 nëntor, në raundin e parë të votimeve.

Zyrtarët, pak a shumë, kanë tendencë ta relativizojnë daljen më të vogël në votime, qoftë duke e hedh “fajin” te moti i lig, qoftë duke thënë se rëndom në Kosovë votimet bëhen më msive në orët e pasditës.

Sipas numrit një të KQZ-së, Valdete Dakës, deri në orën 11:00 kanë votuar 102 mijë e 5 votues, apo 7.67 për qind, që është më pak se sa në raundin e parë në të njëjtën kohë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se duke u bazuar në raportet e KKZ-ve, dalja e votuesve në zgjedhje është 102 mijë e 5 votues apo 7.67 për qind.
Ndërsa, rreth ecurisë së procesit zgjedhor, ajo ka thënë se ecuria e votimit deri në orën 11:00, nuk kanë raporte për parregullsi apo ngjarje që do ta prishnin imazhin e këtyre zgjedhjeve.

Daka ka thënë se nuk ka raporte për parregullsi që do të mund të prishin imazhin e zgjedhjeve. Ndërsa për numrin e vogël të votuesve Daka ka thënë se mund të ketë ndikuar edhe moti i ftohtë. Ndërsa sa i përket numërimit të votave në qendrat e votimit në Veriun e Mitrovicës, ajo ka thënë se ende nuk është marrë ndonjë vendim.

DnV : Parregullsi në disa vendvotime

Prishtinë, 1 dhjetor – 10:57 – (E plotësuar) Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” (DnV) , në konferencën për media ka raportuar për disa parregullsi që janë evidentuar deri tash, transmeton Telegrafi.

Driton Selmanaj nga DnV tha se parregullsi janë evidentuar në komunën e Gjakovës. “Në shkollën ‘Yll Morina’ është evidentuar një rast i fotografimit të votës. Gjithashtu edhe në shkollën ‘Hasan Prishtina’ në Gjakovë dyshohet për fotografim të votës”, ka theksuar ai.

KKVITI

“Ndërsa prezenca e materialit propagandues është vërejtur në disa vendvotime nëpër disa komuna të Kosovës. Në shkollën ‘Remzi Ademi’ dhe ‘11 Marsi ne Prizren, pastaj në fshatin leshin dhe varosh në Ferizaj. Prezenca e materialit është prezente edhe në komunën e Mitrovicës – në Shkollën ‘Bedri Gjina’, pastaj në fshatin Zhilivodë në komunën e Vushtrrisë”.

“Një rast tjetër i evidentuar nga vëzhguesit e ‘Demokracisë në Veprim’ është votimi i hapur nga ana e një qytetari. Në shkollën ‘Dardania’ në Prishtinë mungon faqja e 34 e listës së votuesve. Deri në këtë kohë dalja e qytetarëve është e vogël, megjithatë qytetarët le të votojnë dhe ta shfrytëzojnë të drejtën demokratike dhe kushtetuese që e kanë ata. Konferenca e radhës e ‘Demokracisë në Veprim’ do të mbahet në orën 14”, ka thënë Selmanaj.

Nis balotazhi, monitorohet dhe vëzhgohet i tërë procesi

Prishtinë, 1 dhjetor – 08:04 – Në 25 komuna të Kosovës ka nisur sot, që nga ora 7 e mëngjesit, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Këto zgjedhje legjitimojnë kryetarët e rinj të komunave të Kosovës.

Hapjen e të gjitha vendvotimeve në komunat ku zhvillohet balotazhi, e ka konfirmuar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën e parë për sot të orës 8, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë problem.

“Duke u bazuar në raportet e Komisioneve Komunale të zgjedhjeve, janë hapur të gjitha vendvotimet që në orën 7 të mëngjesit”, ka thënë Daka.

Në garë janë kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

Partia Demokratike e Kosovës sot garon në 12, Lidhja Demokratike e Kosovës në 15, kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që janë edhe kandidat të Lidhjes Demokratike të Dardanisë votën e kërkojnë në gjashtë komuna, Aleanca Kosova e Re në dy, ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje sikurse edhe Iniciativa Qytetare e Malishevës garojnë vetëm në një komunë, në Prishtinë dhe në Malishevë.

Në gjashtë komuna të tjera garojnë parti të minoritarëve, kryesisht serbe. Përderisa Partia Liberale Serbe garon në pesë komuna, Iniciativa Qytetare Serbe në pesë komuna, dhe në dy komuna tjera do të garojnë kandidatët e dy subjekteve tjera, SNPK-ja dhe IQ-ja e Oliver Ivanoviqit, i cili është kandidat për kryetar të Mitrovicës veriore.

Vëmendja sot është përqendruar në Prishtinë, ku për kryetar komune garojnë Isa Mustafa i LDK-së dhe Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes.

Në qendër të interesimit janë edhe Gjakova, përkatësisht gara ndërmjet kandidates së AKR-së, Mimoza Kusari-Lila dhe atij të AAK-së, Palë Lekaj dhe Peja ku garojnë Gazmend Muhaxheri i LDK-së dhe Ali Berisha i AAK-së.

Të gjitha organet dhe instancat përgjegjëse janë shprehur të gatshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të raundit të dytë në 25 komuna. Votime do të ketë edhe në Zveçan, ku do të përsëriten zgjedhjet në tri vendvotime.

Presidentja Atifete Jahjaga tha sot se gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit institucionet e drejtësisë u treguan efikase dhe të mobilizuara për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Jahjaga tha se pjesa tjetër e testit ka mbetur që të dëshmohet në votimet e balotazhit më 1 dhjetor.

Nga aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës ka angazhuar 5.100 zyrtarë policorë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se plani operacional parasheh krijimin e kushteve normale të sigurisë gjatë gjithë procesit.

“Prioritetet e këtij operacioni policor janë: Nën një, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në vend para gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve të balotazhit, sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunalë të zgjedhjeve, i depove komunale, Qendrës së Numërimit dhe depos qendrore”, tha ai.

I gjithë procesi i balotazhit do të monitorohet dhe vëzhgohet nga afër nga organizata vendase e ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian ditën e zgjedhjeve do të ketë 71 vëzhgues.

Një numër të caktuar vëzhguesish do të kenë edhe ENEMO dhe organizata tjera ndërkombëtare. Kurse, me mbi 1.600 vëzhgues do t’i përcjellë votimet edhe koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”./koha/