Mobi Casa

KPF rekomandoi për Kuvend Komunal raportin financiar

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Komiteti për Politikë dhe Financa, të mërkurën, në mbledhjen e radhës, që e ka drejtuar Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, ka shqyrtuar raportin financiar për periudhën janar-mars 2013 dhe m shumicë votash e ka rekomanduar për Kuvend Komunal.

Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka thënë se shpenzimet e kësaj periudhe janë 4.227.518 euro, prej të cilave mbi një milion janë investime kapitale, rreth 139 mijë euro janë subvencione, 141 mijë euro janë shpenzime komunale, ndërsa të tjerat janë paga për punëtorët e shërbimit civil, arsimor dhe shëndetësor. “Shpenzimet e këtij tre mujori janë në kufijtë e lejuar”, ka thënë Nuhiu.

Të hyrat vetanake në këtë periudhe janë realizuar rreth 21 për qind, përkatësisht janë inkasuar 739.838 euro, ka thënë Nuhiu, duke shtuar se kohëve të fundit ka një përmirësim të dukshëm dhe është shfaqur optimist se plani vjetor prej 3.6 milionë euro, do të realizohet deri në fund të vitit.

Opozita ka bërë vërejtje te shpenzimet, që sipas saj janë të mëdha. Arben Mehmeti (LDK) ka kërkuar sqarime më të hollësishme për disa shpenzime, ndërsa Sadudin Berisha (LDK), ka thënë se trendet financiare të periudhës janar-mars janë negative, duke kërkuar arsye për të gjitha shpenzimet.

Sokol Haziri (AAK), ka kërkuar më shumë informacione rreth dinamikës së përmbushjes së obligimeve të mbetura nga viti i kaluar dhe ka thënë se do të ishte mirë që viti të mbyllet pa borxhe. Ndërkaq, Jakup Bajrami (LDK) kërkoi të merren masa për përmirësimin e dinamikës së të hyrave vetanake, meqë ato janë të ulëta në këtë periudhë. Ai ka kërkuar që autoritetet komunale të jenë më të përgjegjshëm me shpenzimet.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës ka sqaruar se te planifikimi i shpenzimeve, janë planifikuar edhe obligimet e mbetura nga viti paraprak, sepse dihet që obligimet barten gjithmonë në vitin vijues financiar. Ndryshe, ai ka thënë se sivjet jemi në vitin e racionalizmit të skajshëm dhe bëhen vetëm shpenzimet që janë të domosdoshme. Ai u shpreh i bindur se në vitin e ardhshëm do të dalim me shumë pak obligime të mbetura.
Sa u përket disa vendimeve të gjykatave, të cilat kanë ndikuar në buxhetin e Komunës, Mustafa tha se bëhet fjalë kryesisht për projekte para vitit 20008, që i ka lënë qeverisja e përparshme, siç janë shpronësimi për rrugën “Jugu 1”, për qiranë e KASABANKES dhe disa të tjera.

Eco Higjiena

Ndërkaq, Nuhi Nuhiu, në sqarimet plotësuese që ka thënë, ka thënë se 90 për qind e pagesave të borxheve që janë kryer në këtë tre mujor, janë obligime të bartura nga viti i kaluar, kurse shpenzimet e këtij viti nuk janë as 10 për qind e totalit të pagesave të kryera.

KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe propozim-vendimin për shpalljen e interesit të ligjshëm publik të një sipërfaqe prej 69 ari në Shurdhan, që është e nevojshme për realizimin e projektit të shkollës së re, i cili financohet nga Komisioni Evropian, në vlerë prej 668 mijë euro. Arsyetimin e ka paraqitur Sali Fazliu nga drejtoria e Kadastrës.

Po ashtu është rekomanduar për Kuvend Komunal edhe plani rregullues për lagjen “Arbëria 1”, që ka një sipërfaqe prej 120/hektarësh, të cilin e ka prezantuar Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm.

Ajo ka thënë se revidimi i planit në këtë zonë është i nevojshëm për të harmonizuar me nevojat për zhvillim publik dhe individual.

KPF rekomandoi për Kuvend edhe kërkesën për ridestinimin e mjeteve në vlerë prej 120 mijë euro për nevoja të palestrës sportive dhe të terreneve sportive, të cilat ishin planifikuar për Bibliotekën e qytetit, por ky projekt, i cili investohet nga Komisioni Evropian, ka ngecje në realizim.

Ndërkaq, rregullorja për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së subjekteve afariste, u vendos që të kthehet në rishikim te komisioni për akte normative dhe të sillet në Kuvend Komunal për miratim, në seancën e muajit maj./rajonipress/