KPF hap rrugë për një investim tjetër privat
Gjilan- Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e së premtes, të cilën e ka udhëhequr Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, i ka hapur rrugë një investimi tjetër privat, i cili është paraparë të realizohet si projekt afarist e banesor në zonën urbane “Qendra”.
Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, ka thënë se në drejtori e kanë trajtuar kërkesën e një investitori nga Vushtrria për ndërtimin e një objekti shumë katësh banesor-afarist në rrugën “Adem Jashari” në Gjilan.
Me investitorin dhe me pronarët e lokaleve ekzistuese janë organizuar disa takime informuese, ku është diskutuar për nevojën e bashkimit të parcelave që përfshin ky bllok me një sipërfaqe prej 21ari.
Mahmuti ka sqaruar se për sipërfaqen prej më shumë se 17 arësh, është arritur marrëveshja me pronarët, ndërsa dy prej tyre, nuk janë pajtuar. Bëhet fjalë për 3 ari, ka thënë ajo.
Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka thënë se janë zhvilluar disa herë negociata me pronarët e shitoreve që gjenden në këtë bllok e që kanë leje të përkohshme. Ata kanë ndërtuar hapësira mbi lokale, pa leje.
Mustafa ka thënë se këtyre pronarëve iu është ofruar maksimumi i mundshëm nga investitori, që nënkupton lokal, një hapësirë tjetër në kat si dhe garazh. Më e rëndësishmja për ta është se vendosen në objekt të ri pa asnjë cent investim, ka thënë ai.
Nëse nuk pajtohen pronarët, kreu i Komunës nuk e ka përjashtuar mundësinë e fillimit të procedurave për shpronësim të këtyre ngastrave, ndonëse nuk beson se do të jetë e nevojshme kjo. “Ne si komunë kemi për obligim zhvillimin e qytetit dhe për këtë duhet të hapim rrugë për investime”, ka thënë Mustafa.
Projekti është përkrahur nga shumica e anëtarëve të KPF, të cilët kanë thënë se partneriteti është një mundësi e madhe për zhvillim të qytetit. Arben Mehmeti (LDK) kërkoi që propozimi të shtyhet për ndonjë takim tjetër, pasi t`i bëhet një analizë më e mirë gjendjes në terren, duke thënë se nuk është çështje e ngutshme.
KPF që njëkohësisht te partneriteti publiko-privat e ka edhe rolin e komisionit mbikëqyrës, është njoftuar nga nënkryetari i Komunës, Omer Daku për një ndryshim të hapësirave banesore në objektin te ish-kadastra, që po ashtu po realizohet në partneritet publiko-privat, para se të shpallet ankandi publik për shitjen e tyre nga komuna, e cila e ka pjesën e saj në këtë objekt.
Ndryshimi ka të bëjë me llojet e banesave, në mënyrë që blerësve t`u ofrohen oferta më atraktive dhe që ato të mos jenë të njëjta të gjitha, ka thënë Daku.
Ndërkaq, Izmi Zeka, kryesues i KPF tha se bëhet fjalë vetëm për njoftim, duke rikujtuar se vendimi për PPP është miratuar më herët në Kuvend Komunal dhe lëvizjet e tilla të aspektit teknik mund t`i bëjë edhe vetë ekzekutivi.
KPF ka diskutuar edhe për ndarjen e subvencioneve për fëmijë të familjeve të dëshmorëve si dhe për qira të partive politike. Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka sqaruar se familjet e dëshmorëve Agim Ramadani dhe Abdullah Tahiri janë ndihmuar në organizimin e ceremonive martesore për djemtë e tyre, por ka thënë se kjo duhet të vlejë për të gjitha rastet.
Anëtarët e KPF sugjeruan që familjeve të dëshmorëve t`iu lihet mundësia që subvencionin ta shfrytëzojnë për nevojat që ato i konsiderojnë më të rëndësishme, qoftë për ceremoni martesore, për shkollim, ose për ndonjë qëllim tjetër. /rajonipress/