UBT

Kosova s’i ndalon librat nga Serbia

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Konfiskimi i më shumë se pesë mijë ekzemplarëve me libra në fshatin Raincë të Preshevës nga Policia e Serbisë është mohim i të drejtave elementare të lirisë së njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare, të cilat parashihen edhe në konventën evropiane.

Kështu vlerësojnë zyrtarët e lartë të institucioneve dhe përfaqësuesit e KMLDNJ-së, sipas të cilëve, nxënësit serbë në Kosovë mësojnë edhe me plan-program të Serbisë dhe nuk pengohen nga institucionet e Kosovës.

Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka pranuar për “Zërin” se pavarësisht se nxënësit serbë në Kosovë mësojnë me libra dhe plan-program të Serbisë, ata nuk pengohen nga institucionet e Kosovës.

“Ky është një rast i ri që e tregon fytyrën e vërtetë shoviniste dhe nacionaliste të shtetit serb, sepse askund në botë nuk konfiskohen dhe as nuk ndalohen librat, pasi që ka kaluar koha kur librat digjeshin në formë të drunjve”, ka pohuar Gjoshi.

Më 8 nëntor 2013 në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës, forcat e Policisë serbe në bashkëpunim me inspektoratin arsimor, kanë hyrë në këtë shkollë në mënyrë të dhunshme dhe konfiskuan gjithsej 5060 ekzemplarë librash, të cilat ishin donacion nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vazhdimësi janë duke kërkuar kthimin e këtyre librave nga autoritetet policore serbe.
Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Nacional Shqiptar në Luginë të Preshevës ka deklaruar për gazetën “Zëri” se institucioni që ai drejton dhe partitë politike po bëjnë përpjekje që këto libra t’i tërheqin nga ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Serbi.

Uji Dea

“Ne si Këshill dhe faktori politik në Luginë kemi bërë ankesa dhe shpresojmë që këto libra ose të kthehen në shkolla, ose të kthehen prej nga kanë ardhur, me qëllim që të mos qëndrojnë në depot e Ministrisë së Punëve të brendshme. Ne kemi përcjellë shqetësimin tonë edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit dhe njëherësh edhe në zyrën e OSBE-së që është në Bujanoc”, ka treguar Beqiri, duke shtuar se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga këto institucione ku ata janë ankuar.

Ndërsa Dukagjin Popovci, ekspert i arsimit, ka thënë se nuk është dashur që të ndodhë ky incident që ndodhi në Luginë të Preshevës, pasi që, sipas tij, shqiptarët e Luginës punojnë me plan-program serb dhe i raportojnë shtetit serb për çdo libër që hyn në atë pjesë të Serbisë.

“Shqiptarët e Luginës punojnë me plan-programe të Serbisë, por me libra shqip, vetëm që shqiptarët e Luginës me leje të autoriteteve serbe importojnë tekste nga Kosova, kurse serbët e Kosovës pa leje të askujt zbatojnë edhe plan-programe edhe tekste të Serbisë”, ka deklaruar Popovci.

Ndërkaq Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka dënuar këtë akt që ka bërë shteti serb ndaj shqiptarëve të Luginës. Sipas tij, Serbia në këtë mënyrë ka shkelur të drejtat elementare të lirisë së njeriut dhe të drejtat e pakicave kombëtare, të cilat parashihen edhe në konventën evropiane.

Ai ka dëshmuar se Serbia edhe një herë ka dëshmuar se nuk respekton asnjë të drejtë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Serbia po ua cenon të gjitha të drejtat shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Aktualisht shqiptarët e Luginës së Preshevës janë populli më i diskriminuar në Evropë e ndoshta edhe ndër shumë shtete të tjera dhe këtu nuk ka asnjë dyshim”, ka deklaruar Shala për gazetën “Zëri”.