Kosova, sa banorë aq votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të enjten ka miratuar listën përfundimtare të votuesve potencialë për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Si rezultat ka dalë, që kutive të votimit formalisht mund t’i drejtohen 1.779.357 qytetarë. Ky numër është vetëm për 36 248 mijë më i vogël se numri i përgjithshëm i popullsisë në vend. Në regjistrimin e fundit të popullsisë ka dalë se në Kosovë jetojnë 1,815,606 banorë.
Krahasuar me numrin e zgjedhësve të vitit 2009, në këto zgjedhje është rritur numri i tyre për 191.103 votues apo për 11.72 për qind. Zyrtarë të KQZ-së nuk e kanë cilësuar si të pazakontë që lista e votuesve të jetë e barabartë me numrin e popullsisë, duke u arsyetuar se në listat e votuesve ende figurojnë emra të njerëzve që tashmë nuk jetojnë, apo edhe të atyre që e kanë humbur të drejtën e votimit.
Sipas tyre, lista e votuesve nuk duhet të shërbejë si motiv për keqpërdorim të procesit të votimit nga ana e partive politike. Zgjedhjet e fundit, megjithatë janë përcjellë me parregullsi të mëdha dhe për rrjedhojë në disa komuna janë përsëritur votimet. Për qindra qytetar janë ngritur kallëzime penale, por jo të gjithë kanë marrë dënimin e merituar… (Tribuna).