Fundamenti

Kosova pa veriun ka 1,739,825 banorë

/ 3 minuta lexim

Prishtinë – Kosova, pa tri komunat e veta në veri, ka 1,739,825 banorë. Nga ky numër 25,532 janë serbë, 18,738 turq, romë 8,824, ashkalinj 15,436, dhe 10,265 goranë, u tha sot gjatë një konference me rastin e publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, që u zhvillua në prill të vitit të kaluar.

Drejtori i Divizionit statistikor të OKB-së, Paul Cheung, tha sot se ky regjistrim tani mund t’iu shtohet regjistrave të suksesshëm që janë realizuar nëpër botë në programin botëror 2012 të regjistrimit të popullsisë.

Edhe drejtori i Zyrës Evropiane të Statistikave, Walter Radermacher, tha sot përmes një video incizimi, pasi nuk ka mundur të ishte prezent në Kosovë, se “Regjistrimi i popullsisë është kryer në mënyrë relativisht të suksesshme dhe ka rezultuar me shifra të besueshme”. Sipas tij, regjistrimi është zhvilluar në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare për regjistrimin e popullsisë me rajonin e Evropës.

“Ne kemi investuar 6 milion euro për këtë operacion, ku në këtë shumë hyjnë asistenca teknike për të kontribuar në fondin e e mirëbesimit të donatorëve dhe për të mbështetur monitorimin ndërkombëtarë”, ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, njëherit edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Gjatë konferencës u bë e ditur se Prishtina ka 198,897 banorë, Deçani 40,019, Gjakova 94,556; Gjilani 90,178; Istogu 39,289; Kamenica 36,085 dhe Podujeva me 88,499 banorë. U bë po ashtu e ditur në Kosovë janë 875,900 meshkuj dhe 863,925 femra.

UBT

Ky regjistrim nuk ishte bërë në pjesën veriore të Mitrovicës, në Leposaviq, në Zubin Potok dhe në Zveçan për shkak se ishte kundërshtuar nga serbët lokalë.

Sipas Entit të Statistikave të Kosovës është vlerësuar se në veri janë 40 mijë banorë, dhe kjo shifër do t’i bashkëngjitet rezultatit final të regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimin e fundit në Kosovë, në të cilin kishin marrë pjesë të gjitha etnitë, qe mbajtur më 1981. Sipas të dhënave të Agjencisë të Statistikave të Kosovës, në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.

Sipas vlerësimit të vitit 1991, në regjistrimin e bojkotuar atëbotë nga shqiptarët, Kosova kishte 1.956.196 banorë.

ASK sot ka bërë publike se 1 milionë e 739 mijë e 825 persona janë banorë rezidentë të Kosovës, ku nga ta 92.93% janë shqiptarë. Në këto rezultate thuhet se ka rënë lindja shumë në dekadën e fundit. Po ashtu 61% e popullsisë jetojnë në zonat rurale, ndërsa 35% janë ekonomikisht jo aktivë. (koha)