KKVITI

Kosova, në duart e mafisë dhe parapolitikës!

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Ndikimet dhe ndërhyrjet, nga më të ndryshmet, në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë në vend, nga politika dhe grupet e ndryshme të interesit, po del të jenë një njollë e zezë për sistemin e drejtësisë kosovare.

“Drejtësia si koncept e parim ka mbetur vetëm në letër, pasi si vlerë e parim e ka marrë epitetin e një gardiani, për të mbrojtur e amnistuar një pakicë njerëzish të pushtetshëm e duke i bërë edhe të paprekshëm. Kjo vlerë universale në aspektin e një shtylle pushteti, ku balancon të mirën publike e private, ku zhvendos anarkinë në shtet për të gjitha etnitetet që jetojnë brenda shtetit, brenda një rregulli e norme për të gjithë, në Kosovën e pasluftës drejtësia i ka shërbyer nëntokës kriminale të ndihmuar nga mbitoka kriminale, e duke qenë në funksion të të dyjave”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Hidajet Ahmeti.

“Interferimi politik dhe ndikimet e ndryshme, format e ndryshme dhe të përcjella mbase nga jashtë e nga brenda në drejtësi, janë evidente. Në radhë të parë janë interesat e njerëzve, qarqeve e grupeve të ndryshme formale dhe joformale, grupeve të interesit me ndikim, të cilat kanë pangopësi për përfitime të ndryshme në forma të ndryshme dhe për ndikime politike dhe për kapje të drejtësisë. Sikurse janë evidente edhe kapja e shtetit, partizimi i shtetit, partisë, ndikimet partiake dhe politike për dominim, që ta mbajnë pushtetin nën tentakulat e ndikimit të tyre. Kjo është gjendja dhe shkaku që dikush ka interes që institucionet t’i mbajë jo vetëm nën kontroll, por edhe nën mbikëqyrje dhe nën ndikim”, ka pohuar për gazetën “Kosova Sot” profesori Mazllum Baraliu

PRETENI: PARAPOLITIKA VENDOS PËR LEGJISLACIONIN, PËR EKZEKUTIVIN DHE GJYQËSORIN

Hasan Preteni, analist dhe njohës i fushës së sundimit të ligjit, ka thënë për “Kosova Sot” se nuk ka sistem të pavarur të drejtësisë, pasi, siç ka pohuar ai, sistemi është i kapur nga politika. Në Kosovë, sipas tij, nuk funksionojnë pushtetet e ndara, nuk ka pavarësi dhe se parapolitika vendos për legjislacionin, për ekzekutivin dhe gjyqësorin.”Ndarja është vetëm në teori. Në praktikë është parapolitika, muskujt vendosin për të gjitha. Fuqia e vetme është fuqia e muskujve, fuqia e frikës, shantazhit dhe nëntokës. Askush nuk u beson institucioneve, të gjitha janë të kapura. Paraja është te një pjesë e parapolitikës dhe ata vendosin për gjithçka. Nuk ka institucione të pavarura, nuk ka zyrtarëtitullarë me integritet dhe të pavarur”, ka pohuar Preteni për gazetën “Kosova Sot”. Ai ka shtuar se në burgje janë fakirët dhe të varfrit, pasi, siç thotë ai, mjafton të dëgjohen çka flasin ata dhe kë e akuzojnë ata.”Muskulorët vendosin për të gjitha. Ata që kanë vullnet për punë shantazhohen dhe frikësohen. Kosova është projekt i dështuar në duart e mafisë dhe parapolitikës. Ata që i kanë muskujt i kanë edhe lekët. Kush i ka lekët e ka edhe pushtetin. Mjerim!”, ka thënë Preteni, ish-drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, për gazetën “Kosova Sot”.

Uji Dea

AHMETI: SHTETI KONSIDEROHET SI PRONË PRIVATE

Kurse analisti dhe njohësi i fushës së drejtësisë, Hidajet Ahmeti, ka thënë për “Kosova Sot” se pushtetet e inkriminuara e zhvendosën shtetin nga funksioni i trupit publik në funksion të interesave të ngushta politike, nepotike e klanore. Ai ka thënë se të gjithë mekanizmat e shtetit i transformuan në funksion të tyre, duke konsideruar shtetin si pronë private. Ahmeti ka thënë se drejtësia si koncept e parim ka mbetur vetëm në letër, pasi drejtësia si vlerë e parim e ka marrë epitetin e një gardiani për të mbrojtur e amnistuar një pakicë njerëzish të pushtetshëm e duke i bërë edhe të paprekshëm. “Kjo vlerë universale në aspektin e një shtylle pushteti, ku balancon të mirën publike e private, ku zhvendos anarkinë në shtet për të gjitha etnitetet që jetojnë brenda shtetit, brenda një rregulli e norme për të gjithë, në Kosovën e pasluftës drejtësia i ka shërbyer nëntokës kriminale të ndihmuar nga mbitoka kriminale, e duke qenë në funksion të të dyjave”, ka potencuar ai, duke shtuar se vazhdimi i kësaj gjendje anarkie është vazhdim i degradimit institucional e shtetëror, por njëkohësisht varfërim e zhgënjim të tejskajshëm qytetar.

Ndikimet dhe ndërhyrjet, nga më të ndryshmet, në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë në vend, nga politika dhe grupet e ndryshme të interesit, po del të jenë një njollë e zezë për sistemin e drejtësisë kosovare.

Por, kjo njollë, sipas analistëve, nuk mund të zhduket pa prokurorë e gjyqtarë të pavarur dhe profesionalë, të cilët nuk veprojnë nën diktatin e politikës së inkriminuar. Të gjitha raportet ndërkombëtare vënë në spikamë lidhjet e fuqishme të politikës me drejtësinë, theksojnë analistët, prandaj aq sa është fajtore drejtësia për ndërtimin e një sistemi të kalbur, aq fajtore është edhe politika, që vetë ka dashur ta ketë një sistem kaotik në drejtësi. Ky është konstatim nga ekspertë dhe njohës të fushës së drejtësisë në vend. Pangopësia për përfitime të ndryshme Mazllum Baraliu, ekspert dhe profesor universitar, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se ndërhyrja, interferimi nga jashtë dhe nga brenda i politikës në drejtësi, është evident dhe, siç ka thënë ai, janë shembujt të ndryshëm të deritanishëm që tregojnë rrëfime të shumta interesante dhe rrëqethëse, ku eksponentë kalojnë rrathët e ferrit, nëpër çështje të ndryshme të gjyqësorit. “Po, interferimi politik dhe ndikimet e ndryshme, format e ndryshme dhe të përcjella mbase nga jashtë e nga brenda në drejtësi janë evidente”, ka pohuar Baraliu për gazetën ‘Kosova Sot”. Kjo po ndodh, ka thënë ai, pasi në radhë të parë janë interesat e njerëzve, qarqeve e grupeve të ndryshme formale dhe joformale, grupeve të interesit me ndikim, të cilat kanë pangopësi për përfitime të ndryshme në forma të ndryshme dhe për ndikime politike dhe për kapje të drejtësisë.”Sikurse është evidente edhe kapja e shtetit, partizimi i shtetit, të partisë, ndikimet partiake dhe politike për për dominancë, që ta mbajnë pushtetin nën tentakulat e ndikimit të tyre. Kjo është gjendja dhe shkaku që dikush ka interes që institucionet t’i mbajë jo vetëm nën kontroll, por edhe nën mbikëqyrje dhe nën ndikim”, ka pohuar Baraliu. Kurse eksperti e çështjeve të sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë për “Kosova Sot” se duhet ndryshuar apo reformuar kuadrin gjyqësor dhe prokurorial, por, thotë ai, kjo nuk do të mund të ndodhë asnjëherë me këtë klasë politike dhe se pa ndryshim të këtyre njerëzve në qeverisje. Sipas tij, është humbje kohe, drejtësia nuk mund të funksionojë e kapur.”Kështu do të mbetet deri në ndryshim të qeverisjes. Këta njerëz që s’kanë lidhje me politikë, por janë zhvatës dhe plaçkitës do të mbeten në pushtet me vepra të shumta penale. Kur shkapet, kapet drejtësia, atëherë do të ketë drejtësi, rend dhe ligj e deri atëherë s’ka gjë, se këta e mbajnë në dorë apo e kontrollojnë drejtësinë”, ka pohuar analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)