FITORJA

Kosova mobilizohet për ardhjen e mërgimtarëve

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Ministria e Diasporës dhe komunat e Kosovës kanë shtuar kapacitetet për pritjen dhe akomodimin sa më të mirë të diasporës. Janë parashikuar qindra takime kulturore, sportive e argëtuese për mërgimtarë.

Institucionet qendrore dhe ato lokale në Kosovë kanë filluar përgatitjet për pritjen sa më të mirë të mërgimtarëve. Ministra e Diasporës ka koordinuar raportet edhe me dikasteret e tjera qeveritare për lehtësimin e procedurave të ardhjes, ndërsa shumica e komunave tashmë kanë hartuar agjendat e pritjes dhe takimeve me mërgimtarë.

Ky angazhim shtesë i institucioneve në Kosovës ka ardhur në kohën kur pritet të vijë fluksi i parë i mërgimtarëve nga Zvicra dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Gjatë dy muajve të ardhshëm në Kosovë do të ketë takime kulturore, politike, sportive e argëtuese me mërgimtarë.

“Ministria e Diasporës vëllimin më të shtuar të punës e ka gjatë sezonit të verës, duke pasur parasysh fluksin e shtuar të ardhjeve të mërgimtarëve për pushime. MD është në finalizim edhe të detajeve më të vogla të projektit “Ditët e Mërgatës në Kosovë”, që tashmë është tradicional dhe organizohet çdo vit”, tha për albinfo.ch Xhevdet Sfarça, zëdhënës i Ministrisë së Diasporës.

Edhe kësaj here, sipas tij, është paraparë organizimi i manifestimeve të ndryshme për mërgimtarët, në mënyrë që ata, në veçanti fëmijët e tyre, të njihen më mirë me kulturën dhe traditat e vendit të tyre të lindjes, ose të origjinës.

“Në bashkëpunim edhe me qeveritë lokale nëpër disa komuna do të ketë manifestime muzikore, teatrale, promovime librash, ekspozita fotografish, aktivitete sportive etj., ndërsa dita e parë e manifestimeve është paraparë të mbahet në Prekaz”, tha Sfarça.

Në këto manifestime përveç pjesëmarrësve që veprojnë në Kosovë, zëdhënësi i MD-së tha se do të ketë edhe nga radhët e diasporës, shoqata dhe shoqëri të mërgimtarëve që veprojnë në vende të ndryshme të botës.

Edhe komunat e Kosovës, secila veç e veç, kanë marrë obligim institucional që t’i presin sa më mirë mërgimtarët. Për ardhjen e tyre në vendlindje ata tashmë kanë krijuar agjendat kulturore, sportive, arsimore e edukative.

Komuna e Mitrovicës në fillim të vitit ka krijuar agjendën për diasporën. Sipas zëdhënësit të kësaj komune, Ahmet Jashari, ditët e mërgimtarëve fillojnë që në muajin qershor, ndërsa me agjendë komunale 15 korriku është “Dita e Mërgimtarëve”, kurse pritja bëhet në Bajgorë në orën 12.

FITORJA

Po ashtu zëdhënësi i Komunës së Mitrovicës tha për albinfo.ch se kjo komunë ka parashikuar edhe shumë takime me mërgimtarë, ndërsa për hirë të tyre ka planifikuar edhe aktivitete kulturore, siç është Festivali i Rokut më 17 dhe 18 korrik, festa e ushqimeve tradicionale, që po ashtu mbahet në pjesën e dytë të korrikut në Bajgorë, etj.

Edhe Komuna e Prishtinës, sipas zëdhënësit Asdren Osaj, ka planifikuar një varg takimesh me mërgimtarë, si dhe ka përcaktuar takime të veçanta edhe kulturore, argëtuese, sportive etj. Ai tha se takimi tradicional mbahet në Gërmi në mesin e muajit korrik, ndërsa afër pishinës, si zakonisht organizohen lojëra e ahengje.

Komuna e Gjilanit ndërkaq është më e avancuara në këtë drejtim, për faktin se ka hapur edhe Zyrën e Diasporës, e cila do të jetë në shërbim të mërgimtarëve gjatë gjithë periudhës që ata janë në Kosovë.

Shefik Surdulli, zëdhënës i Komunës, tha për albinfo.ch se komuna është në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës në mënyrë që t’i presë sa më mirë vëllezërit nga mërgimi.

Edhe Surdolli tha se Komuna ka parashikuar takime tradicionale me mërgimtarët, si dhe një varg aktivitetesh gjithandej komunës. Ai tha se agjendën akoma nuk e ka, sepse me të është marrë kryesisht Departamenti i Kulturës, por tha se është shumë e ngjeshur me takime e aktivitete.

Ministra e Diasporës, siç tha më tej zëdhënësi Sfarça, edhe sivjet është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha dikasteret e Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që mërgimtarët të kalojnë një pushim sa më të mirë dhe të lehtë në vendlindje.

“Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, vazhdimisht ka kërkuar që gjatë sezonit të verës të shtohen kapacitetet në zyrat civile dhe kësisoj mërgata jonë ta ketë më të lehtë pajisjen me dokumente personale”, tha ai, duke iu bërë thirrje mërgimtarëve që t’i shfrytëzojnë konsullatat e Kosovës për pajisje me dokumente personale, në mënyrë që të mos krijohen tollovi në administratë.

Pavarësisht kësaj, MD dhe ministri Makolli, sipas Sfarçës, ka kontaktuar me kolegë nga ministritë përkatëse dhe institucionet e tjera shtetërore, siç janë Policia dhe Doganat, që të punojnë me kapacitete të shtuara që edhe gjatë hyrjeve të mërgimtarëve në kufi me automjetet e tyre të mos krijohen radhë të gjata.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.