Eko Higjiena

Kosova ka rini të kristaltë

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Flamur Hyseni profesor në Të drejtën Kushtetuese dhe Administrative dhe Burim Haliti master i shkencave Juridike – Financiare kanë mbajtur një ligjëratë në Kolegjin “Gjilani” , ku kanë folur për punën vullnetare sipas legjislacionit në Republikën e Kosovës.

Instituti për Studime Ekonomike, Politike dhe Juridike, të premten ka mbajtur trajnimin me temën: “Puna vullnetare sipas legjislacionit në Republikën e Kosovës”.

Ky trajnim i cili zgjat një muaj është udhëhequr nga Flamur Hyseni dhe Burim Haliti të cilët në Kolegjin “Gjilani” studentëve pjesëmarrës u kanë folur për rolin e vullnetarizmit dhe rolin e rinisë kosovare në proceset e gjithëmbarshme të shoqërisë kosovare. Këtë trajnim dhe përfshirje të të rinjve e ka përshëndetur edhe dekani i Kolegjit “Gjilani” , Naim Mustafa.

Flamur Hyseni në ligjëratën e tij tha se pasuria e vetme e kristaltë e shoqërisë kosovare është rinia dhe perspektiva e saj e ndritur për të ardhmen, por sa jemi duke e trasuar këtë rrugë në binarë të shëndoshë është çështje tjetër dhe kërkon më shumë angazhim, vullnet dhe mirëbesim jo vetëm nga të rinjtë por nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
“Shoqëria kosovare nuk është që nuk ka punuar në këtë drejtim sepse ka bërë një punë relativisht të mirë në aspektin e rregullimit të kësaj çështje në aspektin ligjor, por këto akte ligjore duhen mbikëqyrë për tu zbatuar, duhet krijuar mekanizma të mirëfilltë për tu marrë vetëm me këto akte ligjore dhe me këto institucione që merren me rininë” ka thënë Hyseni.

Hyseni pastaj ka përmendur bazën ligjore që e përcakton fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë. “Ky ligj e obligon MKRS-ën që të aplikojë dhe zbatojë dispozitat ligjore së bashku me drejtoratet e rinisë, kulturës dhe sportit të komunave të Kosovë dhe po ashtu edhe KVQR – Këshillin e Veprimit Qendror Rinor dhe njësitë lokale të tij KVRL-ët që t`i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme dhe t’i respektojnë procedurat ligjore kur kemi të bëjmë me organizimin e punës vullnetare tek të rinjtë” ka sqaruar Hyseni.

UBT

Hyseni ka thënë se ky është një ligj i vonshëm sepse në Kosovë ka shumë raste dhe të rinj të cilët kanë kryer punë vullnetare si me organizatat vendore po ashtu edhe me ato ndërkombëtare, por atyre nuk ju njihet kjo si përvojë pune, sepse ligji nuk e rregullon këtë çështje në mënyre retroaktive.

Edhe Burim Haliti ka thënë se puna vullnetare e të rinjve përveç bazës ligjore ka edhe institucionet e saj qendrore dhe lokale të cilat janë përgjegjëse për të mbikëqyrë organizimin e aktiviteteve të punës vullnetare.

Haliti ka thënë se duhet më shpesh të mbahen takime dhe trajnime në komuna ku janë nxjerrë rregulloret për vullnetarizmin dhe në ato komuna ku nuk janë nxjerrë që të nxjerrjen rregullore të tilla për punën vullnetare.

Në komunat ku ekzistojnë rregulloret për vullnetarizmin, drejtoritë për kulturë, rini dhe sport të mbajnë takime informuese në bashkëpunim me organizatat e interesuara dhe ato që janë aktive për çështje të rinisë, në veçanti me KVRL-ët për sqarimin e rregulloreve të tilla, që organizatat përkatëse të mos kenë probleme dhe paqartësi rreth organizimit të një pune vullnetare dhe statusi i vullnetarit të fitohet konformë ligjit, udhëzimit dhe rregullores për punën vullnetare ka shtuar Haliti.

Edhe Hyseni edhe Haliti kanë kërkuar që të bëhet rregullisht sensibilizimi i opinionit për organizimin e punëve vullnetare në komuna nga subjektet përkatëse./rajonipress/