Kosova është vendi më i pashpresë i Evropës

Nga Gani Sadiku – Në vendin e paradokseve, siç e kam quajtur në shumë shkrime, gjen dy anë të polarizuara të segmenteve shoqërore. Në njërën anë gjen politikanë të kapardisur, ndërsa në anën tjetër gjen qytetarë të tmerruar të një vendi që po rrezikon funksionalitetin e vet – Njerëz që luftojnë për të mbijetuar në një vend të mallkuar nga e shkuara, e cila sfidon çfarëdo lloj përshkrimi, sfidon një histori që nuk dëshiron t’i lëshojë qytetaret nga zgripi i ekzistencës.
E tashmja apokaliptike e Kosovës është produkt i drejtpërdrejtë i vendimeve dhe veprimeve të ndërmarra përgjatë 8 viteve të fundit nga klasa politike e vendit.
Është një vend që në njërën anë është bekuar me çdo lloj minerali si pasuri nëntokësore, ndërsa në anën tjetër është mallkuar nga shumë lloj politikanësh të pa cipë, të cilët në asnjë mënyrë nuk brengosen për të ardhmen dhe stabilitetit te vendit,. Megjithatë vazhdimisht renditet në fund të Indeksit të zhvillimit ekonomik në Europë.
Një vend ku edhe më fatlumët jetojnë në kushtet e varfërisë. Në këtë vend përjashtim nga varfëria bënë klasa e politikanëve të pa ndërgjegjshëm, (të cilët nuk janë edhe pak), që kanë arritur të krijojnë klane mafioze, por edhe bizneset që kanë arritur të përkëdhelen nga politika.