Fundamenti

‘Kosova e Re’ pa alternativë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Rexhepi – Duke iu përgjigjur dilemës se cilat do të jenë burimet energjetike ku duhet të mbështetet kërkesa e tregut, një ekspert i energjetikës, me ironi tha se 100 për qind është qymyri, kurse të tjerat janë një plus më shumë. Ai nuk la shumë hapësirë për burimet e tjera, qoftë edhe për ato të ripërtëritshme.

“Zoti ia ka dhuruar Kosovës qymyrin dhe ai është perspektiva e këtij vendi”, ka thënë ai.

Përgjigja e këtij eksperti mund të ketë qenë edhe emocionale, por ai e ka thënë një të vërtetë dhe çdo qasje tjetër duket e paqëndrueshme, përkatësisht larg mundësive reale që ofron ky vend.

Prandaj, resurset diktojnë se furnizimi i tregut, përkatësisht zhvillimi ekonomik i vendit duhet të mbështetet në energjinë e prodhuar nga qymyri, ndërsa burimet e tjera mund të ndihmojnë kur kërkesa arrin maksimumin, por edhe të rrisin shkallën e stabilitetit të sistemit energjetik.

Qasja e këtillë ndaj ardhmërisë së energjetikës nuk mbështetet në krenarinë false se “kemi qymyr për krejt Evropën”, e as mbi injorancën ndaj burimeve të tjera, siç janë: uji, era, dielli, nafta, biomasa, gazi, etj. Pos qymyrit, të gjitha tjerat janë burime alternative që mund të ndihmojnë energjetikën, por jo edhe të bartin zhvillimin e saj. Kjo duket të jetë shumë e qartë.

Ndërkaq, dallimet e mëdha në qasje ndaj burimeve energjetike nuk mbështeten në ballafaqimin e argumenteve, por në dëshirën e individëve dhe të grupeve të ndryshme të interesit, me qëllim që edhe në Kosovë të aplikojnë modele, të cilat vështirë mund të akomodohen në ambientin tonë. Absurdi tjetër vjen kur tërësisht injorohen burimet alternative për energji dhe duke mbrojtur vetëm qymyrin, por pa ofruar fakte të mjaftueshme se djegia e tij nuk do ta shndërrojë vendin në një “Çernobil të dytë”, se kostoja e prodhimit nuk do të ngarkohet edhe me shpenzime shtesë për shkak të emetimit të dyoksidit të karbonit, ato për sigurimin dhe përkujdesjen shëndetësore ndaj popullatës së rrezikuar, për dëmet që mund të shkaktojnë ujërat e kontaminuara, apo për tokën bujqësore të humbur.

Në fund del edhe problemi që bazohet në bindjet dhe përvojat e këqija me hirin, tymin dhe pluhurin e termocentraleve aktuale. Por, këtu gjithmonë duhet pasur parasysh një fakt: TC “Kosova e Re” nuk do të jetë varr për kosovarët, së paku bazuar në parametrat që ofron “Contur Global”. Ajo në asnjë variant nuk paraqet kopje të termocentraleve ekzistuese.

Ndërkaq, përderisa vazhdojnë debate të këtilla, situata energjetike në vend vazhdon të përkeqësohet. Nuk ka shenja as se mund të përmirësohet shpejt në të ardhmen. Sipas studimit të Bankës Botërore kërkesa për energji në Kosovë do të shënojë rritje të vazhdueshme, ndërsa ajo do të përkeqësohet deri atëherë kur nuk do të jetë gati “Kosova e Re”. Madje, zgjidhje afatgjatë nuk është aq termocentrali me fuqi prej 500 magavatësh, për çka qeveria aktuale duhet të përgatitet që në momentin kur nis ndërtimi i termocentralit të ri të shpallë tenderin tjetër edhe për 500 megavat, si edhe të hapë për investitorë të gjitha mundësitë për investime në energjinë e gjelbër.

Mobi Casa

Ta ketë parasysh se kërkesa për energji elektrike edhe më tej do të jetë e madhe. Sipas parashikimeve afatgjata, Evropës Juglindore deri në vitin 2025 do t’i mungojnë së paku nga 10 mijë gigavatorë për secilin vit.

Kjo tregon se Kosova gjendet në një ambient ku energjia elektrike është mall deficitar, apo ku mund të lulëzojë tregtia me energji të shtrenjtë. Të gjitha këto së bashku edhe më shumë forcojnë arsyen që sa më shpejt të ngrihet termocentrali i ri, meqenëse alternativat e tjera nuk janë shumë optimiste. Kjo nguti nuk nënkupton se ndërtimi i tij të bëhet jashtë standardeve teknologjike dhe atyre mjedisore.

Burimet e ripërtëritshme edhe për shumë kohë mbeten vetëm dëshira, së pari pse Qeveria e Kosovës nuk është shumë e fokusuar në këtë çështje edhe për shkak të mungesës së studimeve të plota dhe të besueshme për potencialet reale.

Ndërtimi i Hidrocentralit të Zhurit me fuqi prej 305 megavatësh ende bazohet në vlerësimet nga shekulli i kaluar, ndërsa rifreskimi i pjesshëm i tyre ka treguar se ai mund të shfrytëzohet pak ditë gjatë vitit, apo vetëm në momentet kur kërkesa arrin maksimumin. Mungesa e ujit limiton investimet në hidrocentrale, meqenëse studimet tregojnë se mund të ngrihen vetëm 20 minihidrocentrale me fuqi të përgjithshme 64 megavatë. Burimet e tjera më shumë mbesin si alternativa të supozuara, kurse mangësitë ligjore dhe burokracia e madhe nuk trimërojnë investitorët që të fusin paratë në “energjinë e gjelbër”.

Stabilizimi i prodhimit dhe i furnizimit kërkon edhe masa për ngritjen e efiçiencës dhe shfrytëzimin më ekonomik të energjisë elektrike. Kjo mund të ndodhë duke stimuluar programe përkrahëse për amvisërinë, e cila shpenzon 65 për qind të energjisë elektrike. Pos izolimit të objekteve, problemi më akut është ngrohja e vendbanimeve urbane. Aktualisht sistem të ngrohjes (madje të pjesshëm) kanë vetëm Prishtina, Gjakova dhe Mitrovica. Do të thotë se numri më i madh i amvisërisë si burim ngrohjeje e kanë energjinë elektrike, që do të thotë se ajo vazhdon të shfrytëzohet për qëllime joekonomike dhe joracionale.

Krejt në fund ndërlidhet domosdoja e liberalizimit të tregut, proces i cili një ditë do të ndodhë edhe në Kosovë. Duhet të ofrohet mundësia për konkurrencë të hapur dhe ajo që konsumatori të zgjedhë furnizuesin. Kjo imponon efikasitet dhe nivel shumë të lartë profesional të rregullatorëve të tregut, meqenëse nga ta varet edhe lufta efikase kundër “mafisë energjetike”, e cila Kosovën e sheh si treg potencial për shitjen e energjisë me çmime të larta.

Të gjitha tregojnë se energjetika është problem kompleks dhe nuk është terren “krejt jeshil”. Për më shumë, në këtë sektor mbështeten shpresat për jetë dhe për zhvillim ekonomik të vendit. Prandaj, momenti i tashëm nuk duron shumë hamendje e eksperimentime, pasi që çdo ditë e humbur vetëm sa e rëndon krizën energjetike. Nuk duhet vënë në dilemë asnjë burim mbi të cilat duhet mbështetur zhvillimi i kësaj dege. Por, gjithmonë të mbahet mend thënia – “100 për qind nga qymyri, kurse burimet e tjera janë një plus më shumë”.

Duke pasur parasysh nevojën emergjente për ngritjen e termocentralit të ri, Qeverisë dhe askujt tjetër nuk i lejohet që të mos përfillë problemet mjedisore e sociale, të punojë shkel e shko, apo “me ligj, e pa ligj”.