UBT

“Kosova e Re” dogji milionat

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Investitorë potencialë ia mbathën të tmerruar për vonesat e projektit më të përfolur energjetik, termocentralet e reja, derisa miliona euro kanë shkuar huq për shkak të neglizhencës së zyrtarëve qeveritarë të dy koalicioneve tash gjashtë vjet.

Kah mesi i këtij viti, termocentrali i ri, në atë kohë “Kosova C”, e tash “Kosova e Re”, është dashur të nisë të prodhojë energji elektrike, madje edhe për eksport.

Por, përkundër angazhimeve dhe shpenzimeve për këshilltarë, deri më tash Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë veprim konkret për ndërtimin e këtij termocentrali, i cili do ta nxjerrë Kosovën nga kriza energjetike, por edhe do t’i kursente shtetit dhjetëra miliona euro që tash vendi ynë i shpenzon për import të energjisë nga vende të rajonit, por edhe më gjerë.

Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thonë se projekti për ndërtimin e termocentralit të ri është në proces. Lorik Haxhiu, menaxher i Zyrës së projektit, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 19.07.2012 mori vendimin për heqjen e termocentralit “Kosova B”, e cila ishte pjesë përbërëse e projektit për ndërtimin e termocentralit te ri “Kosova e Re”.

“Pas kësaj periudhe Komiteti Drejtues i Projektit është duke u konsultuar dhe po shqyrton modalitetet e vazhdimit tutje me projektin duke pasur parasysh ndryshimet që duhet bërë dhe që rrjedhin pas këtij vendimi. Në ndërkohë se sa do të jetë kosto e ndërtimit do të varet nga kapaciteti i prodhimit që do të ketë termocentrali, e që duhet të jetë i mjaftueshëm për të mbuluar konsumin vendor dhe për të arritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, tha ai për “Zëri”.

Sipas tij, kompanitë e parakualifikuara të projektit TC Kosova e Re janë: “Adani Power &PT Adani Global”, konsorcium nga India dhe Indonezia, “AES Electric Ltd&Demir Export A.S”,konsorcium nga SHBA dhe Turqia, “Park Holding”, ofertues nga Turqia dhe “PPC& Contour Global LLP”, konsorcium nga Greqia dhe UK/SHBA.

Në anën tjetër, ish- ministri Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, thotë se zvarritja e këtij projekti ka dëmtuar zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Sipas tij, sikur projekti të ishte realizuar ashtu siç ishte paraparë, Kosova do të ishte në pozitë krejt tjetër.

“Prej vitit 2006, projekti vetëm e vetëm është dëmtuar, nuk ka asnjë ecje para. Përkundrazi, kompani të fuqishme energjetike kanë hequr dore nga ky projekt, sepse në momentin kur janë bërë ndryshimet nga Qeveria e re, kompani të fuqishme janë tërhequr nga gara, pasi që për to projekti me ndryshime nuk ka qenë atraktiv”, tha ai.

Përndryshe me formimin e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, në vitin 2005, u hartua strategjia për zhvillimin e energjisë, me të cilën u vendos që të fillojë ndërtimi i një termocentrali të ri “Kosova C”, ku dhe përgatitjet filluan menjëherë.

Uji Dea

Nga dhjetë kompanitë e interesuara, në dhjetor të vitit 2006, janë kualifikuar katër kompani potenciale për ndërtimin e këtij termocentrali, ku në atë kohë kostoja e ndërtimit llogaritet të jetë 3.5 miliardë euro.

Ndërtimi i termocentralit “Kosova C” ishte paraparë të bëhet me kapacitet të prodhimit prej 2100 megavatësh, e që ishte llogaritur si projekti më i madh kapital në Kosovë.

Por, në vitin 2007, me ndryshimet në përbërjen e qeverisë, projektin “Kosova C”, për gati një vit, e mbulon heshtja, për, siç thuhej atëherë, rishikim të tij.

Në kohën kur kanë filluar përgatitjet për projektin, Ministria e Energjisë dhe Minierave udhëhiqej nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, pas zgjedhjeve të vitit 2007 dhe me formimin e qeverisë se re, kjo ministri udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Me marrjen e mandatit, qeveria filloi rishikimin e projektit dhe vendosi që termocentrali të mos quhet “Kosova C”, por “Kosova e Re”.

Duke bërë përgatitjet për shpalljen e kompanisë fituese për realizmin e këtij projekti, vendet më të fuqishme botërore i kaploi kriza ndërkombëtare financiare.

Pas kësaj, Qeveria e Kosovës mori vendim që të fillojë realizimi i projektit “Kosova e Re”, por duke zbritur kapacitetin e tij prodhues, fillimisht në 1000 megavatë.

Por, vetëm një ditë më vonë, nga procesi tenderues u tërhoq kompania gjermane “RVE AG”. Një muaj pas u largua edhe konsorciumi gjermano-amerikan “ENBW/WGI” dhe së fundi u tërhoq edhe kompania çeko- amerikane “CEZ”.(zeri)