“Kosova” e Buxhovit edhe në anglisht
Prishtinë – Në prag të promovimit në gjuhën angleze, që do të bëhet këtë të enjte, botuesi i “Kosovës” – “Jalifat Publishing” nga Hjustoni i Teksasit dhe autori Jusuf Buxhovi, dolën para mediave të Kosovës me qëndrimin e përbashkët se përkthimi dhe botimi i kësaj vepre shënon një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për historiografinë tonë, por edhe për shtetin e Kosovës, i cili, me këtë vepër fiton mundësinë e legjitimimit në planin ndërkombëtar.Botuesi amerikan Ramiz Tafilaj, me këtë rast deklaroi se i sfiduar nga botimi në shqip i “Kosovës” iu ças përkthimit të kësaj vepre me bindjen se opinionit amerikan dhe atij botëror do t’i krijohet mundësia që nga një autor shqiptar, për herë të parë, të njihet me historinë e Kosovës si pjesë integrale të historisë shqiptare nga antikiteti e deri te koha jonë. Amerikanët, theksoi Tafilaj, kërkojnë libra, kërkojnë vepra të shkruara dhe jo fjalë.
Botuesi Tafilaj, njohtoi se interesimi në SHBA për “Kosovën” është shumë i madh. Deri më tash ka marrë shumë e shumë kërkesa nga intitucionet, por edhe nga bibliotekat amerikanë, të cila kërkojnë që sa më parë ta kenë këtë vepër. Me këtë rast ai tha se brenda një kohe të shkurtë “Kosova” do të promovohet në disa qytet amerikane, por edhe në Turqi, ku po ashtu ka intesim të madh.
Autori Jusuf Buxhovi, pasi që falemendëroi shtypin për ndihmesën e madhe që i dha afirmimit të këtij libri dhe pasi që falemendëroi botuesin dhe stafin e tij që punoi me përkushtim të madh për përkthimin sa më cilësor, tha se botimi në anglisht është një fitore e dyfisht: si për historiografinë shqiptare, si për shtetin e Kosovës, i cili, më në fund e ka historinë e shkruar, histori kjo që ndonëse autoriale, ajo paraqet një gurthemel të rëndësishëm edhe për veprat tjera të kësaj natyre.
Buxhovi, me këtë rast vlerësoi se suksesi tejet i madh i “Kosovës” në gjuhën shqipe (me pesë botime brenda një viti me një tirazh prej 30 mijë ekzemplaresh), tregoi se interesimi për historiografinë është intersim jo vetëm për të djeshmen, por për më tepër për të nesërmen, e cila nuk mund të jetë e sigurtë po qe se klasa e tanishme politike e Kosovës sillet mospërgjegjshëm ndaj të kaluarës./Rtv21/


