Kos: Ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme, pengojnë rrugën e Kosovës drejt BE-së
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme dhe se miratimi e zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.
Në një postim, Kos ka bërë të ditur se ka diskutuar për rrugën e integrimit evropian të Kosovës me kryenegociatorin e Kosovës, Jeton Zulfaj.
Ajo ka vlerësuar se, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy vjetëve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe Planin e Rritjes, si dhe ka bërë hapa të rëndësishëm drejt përfshirjes në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Megjithatë, komisionarja evropiane ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve të fundit në ligjin që rregullon Dhomat e Specializuara.
“Por, ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj BE-së. Ato do të përbënin një hap serioz prapa në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar Kos.
Ajo ka theksuar se respektimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve të pavarura gjyqësore është thelbësor për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Respektimi i sundimit të ligjit dhe i institucioneve të pavarura gjyqësore është thelbësor për përgatitjen e hapave të ardhshëm në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka theksuar komisionarja evropiane.

