Konvikti i nxënësve“ Gjon Serreçi” feston ditëlindjen e tridhjetë

Gjilan – Konvikti i nxënësve “ Gjon Serreçi “ në Kamenicë , ka festuar të hënën ditëlindjen e tridhjetë. Në këtë solemnitet të pranishëm ishin edhe Kryetari i Komunës së Kamenicës Shaip Surdulli, drejtor të drejtorive komunale, përfaqësues nga konvikti i komunës së Gjilanit, si dhe përfaqësues të tjerë institucional.
Nijazi Kastrati, drejtor në konviktin “ Gjon Serreqi”, foli edhe për historikun e dëshmorit që mbanë emrin ky institucion, si dhe historikun e këtij institucioni.
Ai tha se konvikti i nënshtrohet të gjitha furtunave politike të asaj kohe të cilat filluan që në themelim të tij si institucion publik. “Ende pa e shijuar jetën, gëzimin, dhe harenë e nxënësve për të cilët edhe ishte i dedikuar, në pranverën e vitit 1981 në këtë objekt vendosen Njësitë e policisë Speciale të ish Federatës Jugosllave, për shkak të ngjarjeve të njohura tashmë të vitit 1981”.
Ai ndër të tjera tha se konvikti fillon punën më 1 shtator të vitit 1983, por dy muajt e parë kalojnë në përgatitje të objektit dhe pranim të kuadrin, dhe më 1 nëntor 1983, duke u kompletuar me staf punues, e fillon punën me 32 nxënës konviktorë, kryesisht të zonave të largëta si, Desivojcë dhe fshatrave tjera kodrinoro-malore, por edhe nxënës nga Lugina, si nga Muhovci, Breznica, Konquli, Lluqani etj.
“Në konvikt tani janë të vendosur 40 nxënës, 24 meshkuj dhe 16 femra, kryesisht të zonave malore dhe brezit kufitar, nxënës të familjeve me kushte të vështira ekonomiko-sociale, për të cilët komuna heq të gjitha shpenzimet” ka thënë drejtori Kastrati, duke shtuar se kjo është e një rëndësie të veçantë, sepse përveç që po u mundësohet shkollimi këtyre fëmijëve, është edhe një mesazh i mirë për ato familje që kanë mbetur atje që të mos lëvizin, sepse pushteti lokal në Kamenicë, në krye me Shaip Surdulin Kryetar, po mendon dhe po vepron në lehtësimin e jetës këtyre fshatrave në të gjitha aspektet.
Ndërsa, për mbarëvajtjen e punës në konvikt janë të angazhuar gjithsej dhjetë punëtorë, nga të cilët dy kuzhinierë, një ndihmës servuese, dy rojtarë, dy edukatorë, një pastruese, një mirëmbajtës dhe një drejtor.
Kurse, Kryetari i komunës së Kamenicës Shaip Surdulli, tha se si komunë jemi munduar që të ndihmojmë nxënësit që banojnë këtu, duke i liruar nga pagesa, ngase në këtë institucion banojnë një numër i madh i nxënësve nga viset rurale. “Andaj, për mos të pasur arsye në mos vijimin e tyre në shkollë, për shkak të mungesës së mjeteve për tu shkolluar, ne kemi mundësuar që këto shpenzime të kryhen nga komuna” ka thënë Surdulli.
Surdulli ka thënë se jemi krenarë që ky institucion mbanë emrin e dëshmorit të njohur “ Gjon Serreçi”, e njëherit jemi në dijeni që ky institucion nuk i plotëson të gjitha kushtet e domosdoshme për banim të nxënësve dhe për punë të stafit që punon këtu, por ne jemi në përpjekje që të gjejmë ndonjë shoqatë ose organizatë, në mënyrë që të bëjmë renovimin e këtij konvikti tha Surdulli. /rajonipress/