Mobi Casa

Kontrabandimi në kufirin Kosovë- Serbi shënon “rënie”

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Gjilan -Nebih Aliu drejtor në departamentin e policisë kufitare tha për rajonipress se patrullat e policisë kufitare më së shumti ndeshen me grupet kontrabanduese që merren me shitjen e kafshëve, kontrabandim të mallrave si gjëra ushqimore, prerjen ilegale të pyjeve etj.

Aliu tha se policia kufitare ka dhënë një kontribut edhe në pengimin e zjarreve në vijën kufitare në Dobrosin ku ka lajmëruar përherë ekipet e zjarrfikësve në Gjilan. Policia kufitare sipas tij është e pranishme në çdo kohë në vijën kufitare Stublinë – Dobrosin dhe në perimetrin e saj në vijat Pograxhë dhe Miresh.

“Kontrabanduesit nuk zgjedhin situatat, madje ata edhe në këtë kohë të zjarreve e shfrytëzojnë rastin dhe bëjnë kalime të mallit në mënyrë ilegale nga Serbia” tha Aliu.
Aliu nuk ishte në gjendje të jepte një vlerësim nëse ka ulje të kontrabandimit krahasuar me vitin e kaluar.

Por sipas tij kontrabanduesit më së shumti merren me kontrabandimin e kafshëve, kontrabandimin e mallrave dhe atyre ushqimore. Më pak vërehet kontrabandimi me emigrantët ose trafikimi me qenie njerëzore tha Aliu.

RCCOLA

Pikat më frekuentuese ku policia ndjek kontrabanduesit mbeten vijat Stublinë- Dobrosin , ku kontrabanda është më e theksuar.

Aliu ndërkaq rreth kalimeve ilegale me emigrant tha se ka rënie drastike. “Migrimi ilegal ka rënie në vitin 2012 dhe mund të themi se është zero krahasuar me vitet e kaluara”. Sipas tij kjo rënie lidhet me shtimin e pranisë së policisë në zonat kufitare , por edhe bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtarë i cili kësaj dukurie i ka shpallur lufta globale.

Aliu tha se janë edhe banorët e zonave kufitare të cilët e kanë kuptuar peshën që ka ky lloj trafikimi dhe çdo ditë po vetëdijesohen duke refuzuar të merren me këtë zanat.

Ismet Hashani zëdhënës i policisë në Gjilan tha se kontrabandimi i të gjitha llojeve ka shënuar rënie këtë vit. ”Ka rënie të kontrabandës në Anamoravë për faktin se policia është më aktive, si ajo e kufirit , por edhe patrullat tona” tha Hashani./rajonipress/