Kontrabandë në Dubravë

Ka gjashtë vjet që gjendet prapa grilave të burgut të Dubravës. Pavarësisht se është në burg, R.G. nuk i mungon asgjë, përveç lirisë. Telefonin e llojit iPhone, bile edhe me qasje në internet, ku kohë pas kohe poston edhe fotografi në “Facebook”, televizorin e sheshtë (flat), alkoolin, proteinat për ushtrime me qëllim të theksimit të muskujve dhe kohë pas kohe sasi të drogës.
Të gjitha këto i fut pa një “ferrë në këmbë” në burg sa herë që ka nevojë për to. Këto ia mundësojnë gardianët e Burgut të Dubravës shërbime për të cilat paguhen mirë.
R.G. tregon për gazetën “Zëri”, se sapo ishte burgosur, gardianët e kishin pyetur nëse “i duhet diçka”, ai kishte kërkuar një telefon për të cilin kishte paguar 200 euro vetëm për ta futur fshehurazi në burg. Pazari ishte bërë në burg, përkatësisht në pavijonin 2 të burgut të Dubravës.
Për t’u pajisur me telefon, i burgosuri ia kishte dhënë gardianit të burgut numrin e telefonit të shokut të tij të ngushtë me qëllim që ta kontaktonte këtë të fundit. Ata janë takuar në restorantin “Trofta” në Istog. Gardiani kishte marrë nga shoku i R.G. një telefon dhe 200 euro.
Shoku i të burgosurit R.G., Kushtrimi nga Prishtina, i cili preferon të mos i publikohen mbiemri, rrëfen në detaje për “Zërin” se çfarë i ka dërguar shokut në burg. Ai duke qeshur thotë, se vetëm “veturë” nuk ka futur ilegalisht në burg.
“Gjithçka që konsiderohet ilegale, në burg mund të hyjë me ndihmën e gardianëve por shpesh edhe me ndihmën e përgjegjësve të pavijoneve e të burgut në përgjithësi”, tregon Kushtrimi, duke thënë se për tërë këto veprime ilegale, e tëra çfarë nevojitet është të paguash shuma të majme.(“Zëri”)