RCCOLA

Konstruksionizmi social dhe kultura politike kosovare

/ 11 minuta lexim
Hidromorava

Nga Fadil Maloku- Momenti në të cilën është gjendur Kosova tani, pas heqjes së “embargos” së mbikëqyrjes ndërkombëtare, vërtetë është një periudhë jo e gjaknxehtëve dhe hidhëruesve që shprehin mllefin e vetë për të gjitha të (pa)bëmat gjatë gjithë periudhës së pasluftës, por e njerëzve që dinë të mendojnë në mënyrë racionale dhe kanë vizione se çfarë duhet bërë shoqëria kosovare në sfidat që e presin: bisedimet me Serbinë, integrimet, privatizimi, reformat zgjedhore, ato Kushtetuese etj.

“Askush të mos gjykojë në mes dy vetave me gjaknxehtësi dhe me hidhërim…”

1. Heqja e “embargos” së mbikëqyrjes ndërkombëtare

Momenti në të cilën është gjendur Kosova tani, pas heqjes së “embargos” së mbikëqyrjes ndërkombëtare, vërtetë është një periudhë jo e gjaknxehtëve dhe hidhëruesve që shprehin mllefin e vetë për të gjitha të (pa)bëmat gjatë gjithë periudhës së pasluftës, por e njerëzve që dinë të mendojnë në mënyrë racionale dhe kanë vizione se çfarë duhet bërë shoqëria kosovare në sfidat që e presin: bisedimet me Serbinë, integrimet, privatizimi, reformat zgjedhore, ato Kushtetuese etj.

Kosova, në fakt, në periudhën që po hyjmë e që detyrimisht do të jetë pa diskutim më e vështirë edhe e një natyre tjetër fare (duke krahasuar gjithnjë me periudhën e mbikëqyrjes ndërkombëtare), do ketë nevojë për një kurs të ri, pra për një lloj konstruksionizmi social ku marrëdhëniet e saja në raport me publikun do të matën dhe ndërtohen duke u bazuar në iniciativa dhe veprime tipike individuale dhe në vullnet të lirë qytetarë. Me këtë supozojmë një: llogaridhënie, përgjegjësi dhe transparencë shumë më të madhe se gjerë tani.

Tani, duke u nisur nga parimet fondamentale të lirisë së shprehjes dhe sidomos veprimit dhe iniciativave të reja që e fuqizojnë individin gjersa ai është në gjendje të “furnizojë” shoqërinë me projekte dhe vullnet të lirë, tipar ky që e cilëson demokracinë neoliberale në periudhën që hynë Kosova, si edhe duke llogaritur në shpirtin individualist të shqiptarit, shpresojmë që ato do të bëhen një mjet shumë i dobishëm për të rritë si mirëqenien ashtu edhe sigurinë, stabilitetin dhe statuset sociale të qytetarëve të saj.

Ne dimë që në demokracitë e avancuara, po edhe shumicën e vendeve të tranzicionit, iniciativat dhe vullneti i shpirtit individualist ishin promotor i shumë ngjarjeve dhe proceseve sociale e sidomos atyre politike. Gjithashtu, e dimë që disa nga këto tipare finalizuan edhe shumë produkte politike (ndërruan sistemet moniste) shoqërore (ndryshuan qasjet e proceseve sociale) e kulturore (aprovuan sisteme të reja vlerore perëndimore). Në të gjitha kulturat, por edhe në shoqëritë e sotme bashkëkohore, jemi dëshmitarë që veprimet dhe iniciativat individuale (natyrisht të ndërgjegjshme dhe utilitare) bëjnë që shumë produkte sociale dhe sosh politike e ekonomike të realizohen falë përkushtimit të këtyre ideve të këtyre njerëzve.

Shembuj të tillë kemi si në historiografinë tonë të hershme (Skënderbeu, Ismail Qemali etj.) ashtu edhe atë të vonshme (sakrifica e Adem Jasharit, angazhimi i Ibrahim Rugovës, viktimizimi i prof Fehmi Aganit etj.). Qasja e këtillë e shpjegimit të fenomeneve dhe dukurive të ndodhura në sociologji, ku individi me idetë dhe vullnetin e tij bëhet shkaktar kryesor për të ndryshuar status quot (skllavërinë, robërinë, pakënaqësinë politike, sociale, atë fetare, racore, etj.), në një mënyrë përveç një statisfaksioni moral, është edhe një domosdoshmëri e kohës apo momentit kur fillojnë ato të ndërtohen dhe fuqizohen në shoqëritë e ndryshme dhe në vendet e ndryshme.

2. Konstruksionizmi social si model i iniciativave të reja evropiane

Por, konstruksionizmi social të cilin unë po insistoj, nuk ka të bëjë as me gatishmërinë për t’u sakrifikuar e as me gatishmërinë për t’u identifikuar me procesin në fjalë. Ideja e këtij koncepti e kujtojë detyrimisht edhe rrugëtimi që duhet ta marr Kosova tani, ka të bëjë kryesisht me iniciativat e reja qytetare, idetë e grupeve të ndryshme ekspertësh të cilët procesin e shtetëndërtimit do ta bëjnë me standarde dhe mekanizma institucional bashkëkohor, në mënyrë që procesi i integrimeve evropiane të jetë më i lehtë dhe më i padhembshëm se sa vendet e rajonit dhe vendet tjera që tashmë veç gjenden në këtë kulm të përbashkët.

Në fakt, nuk besoj që më do të mund të arsyetohen grupet e ndryshme interesash e klanesh për ta menaxhuar këtë proces të integrimit, me standarde e mekanizma fisesh pastaj mentalitetesh krahinaro-rajonale. Logjikat e këtilla vetvetiu do të flakën me aktin e fillimit të promovimit të këtyre vlerave dhe sistemi sjelljesh sociale e kulturore, vlera këto që u panë se si dështuan në pothuajse të gjitha vendet e tranzicionit.

Por, për t’u ndërtuar projekti i tillë në Kosovë, që për synim afatgjatë do ketë mirëqenien sociale, stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve (e jo e elitave të blinduara prapa xhamave të errët?!), paraprakisht nevojitet të instalohet një lloj kontrolli institucional, i cili do të bëjë rregullimin apo rikonfigurimin (në fakt: disiplinimin) e sjelljeve qytetare si edhe të elitave politike, të cilat periudhën e tranzicionit e shfrytëzuan për të uzurpuar në stilin makiavelist pothuajse gjithë mekanizmin e kontrollit shoqërorë kosovar, për çka kemi shkruar në detaje në analizat tona të mëhershme sociologjike…

UBT

3. Kultura politike ahtisariane e pengon bashkimin kombëtar

Është një koncept relativisht i ri që zakonisht u dedikohet shoqërive të tranzicionit, që politikën apo menaxhimin e saj me jetën publike të një vendi mundohen ta “shesin”, pra imponojnë, si perceptim dhe si model të sjelljeve ndaj institucioneve publike politike, siç janë: Qeveria, partitë politike, Kushtetuta etj. në mënyrë që të krijohet një traditë e besimit dhe sistemimit të vlerave që dalin zakonisht nga perceptimi i fuqizuar i makinerisë propagandistike të pushtetmbajtësve. Në rastin e Kosovës, kjo i bien që të gjitha institucionet e reja të derivuara nga Lushtetuta e Ahtisarti, duhet domosdoshmërisht të fuqizojnë vlerën dhe frymën (mbi super-diskriminimin etnik, pra super-tolerancën etnike që do të prodhojë pasiguri, pa mëdyshje) precedane të këtij projekti.

Pra, sipas kësaj logjike duhet të ndërtohen dhe të marrin aplikativitet masiv kudo dhe çdo herë në Kosovën e çliruar nga të tjerët, simbolet dhe vlerat e reja qytetare (a në fakt insistimi është “kombëtare kosovare”?!) dhe ato kushtetuese, siç janë: flamuri, stema, himni, diskriminimi i shumicës, mbikëqyrja ndërkombëtare, varësia, dreqi i mallkuar etj. vetëm e vetëm që kjo praktikë e të kultivuarit të këtij identiteti të ri të masivizohet dhe të kontestohet ideja e bashkimit gjithëkombëtar në Ballkan.

Kur jemi tek ky term, gjithashtu duhet të kuptojmë se i njëjti nuk nënkupton edhe opinionet publike të qytetarëve që rezultojnë si një reagim spontan ndaj ngjarjeve dhe të (pa)bëmave dhe problemeve ditore, që mund të prodhojë për interesat e veta: Qeveria, Kuvendi, institucionet tjera apo partitë e ndryshme politike. Sintagma e kulturës politike për të cilën ne e kemi fjalën, në fakt synon dhe ka për qëllim saktësisht etablimin e këtyre vlerave në faza afatgjata, e jo krijimin e perceptimit për një proces qytetar që është duke u ndërtuar gjithashtu me vështirësi dhe me sakrifica, mu nga shkaku i asaj që ka prodhuar gjatë këtyre trembëdhjetë viteve, ky Projekt.

Por, paradoksi bëhet edhe më i madh kur të analizohen bartësit (elitat dhe partitë politike aktuale) e këtij projekti të dëmshëm për shqiptarët e Kosovës në kohën e tanishme, që realisht në fillim të luftës kishin kërkesa maksimaliste: “bashkimin e trojeve shqiptare” , “bashkimin me Shqipërinë”, e përrallat tjera që tani po duken si ishin tejet të jo të sinqerta edhe me faktin se po të njëjtit njerëz sot i sheh në postet kyçe si të institucioneve ashtu edhe të partive politike kosovare!?

4. Kultura pjesëmarrëse, nënshtruese dhe ajo indiferentuese

Nëse i adresohemi gjithë periudhës së pasluftës, pra periudhës së ngritjes së kapaciteteve institucionaliste që përket me proceset e tranzicionit që ngjanë dhe akoma janë në zhvillim e sipër në shumicën e vendeve të Evropës Juglindore dhe asaj Lindore, hetojmë se në Kosovë mund të identifikojmë disa tipa kulturash apo sjelljesh interesante. Ky perceptimi i këtij soji, mund të jetë ndoshta edhe pasojë e asaj se ky shtet i yni, i cilësuar si “sui generis”, dosido duhet të prodhojë edhe sjellje dhe vlera të atilla sociale të kësaj natyre!?

Në realitet, përmes një tipologjie të tillë autoktone ne në vija të trasha do të mund të identifikonim pa mëdyshje edhe kulturën apo sjelljen politike afatgjate është duke e kultivuar qytetaria fisnore kosovare. Pra, cila sjellje afatgjate e kësaj qytetarie po mbështetet më shumë? Ajo që po prodhon projekti i Ahtisarit apo ajo e qytetarisë evropiane, në fakt demokratike ngaqë nuk njihet asnjë vend në kontinent që ka “ndërtime” dhe “mbindërtime” të tilla sociale e sidomos politike, siç i ka shteti i Kosovës.

Duke ndjekur këtë logjikë të sjelljes së publikut, ne mund të veçojmë tre lloje të kulturës politike: atë pjesëmarrëse, ku qytetarët e vendit dhe shoqëria në tërësi do të duhej t’i kushtonin më shumë rëndësi politikës demokratike, pra, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën politike si të dëshiruar dhe si shumë efektive në mënyrë që të mbahet trendi i mobilitetit qytetarë. Natyrisht, ky tip i sjelljes sonë kulturore na e përkujton entuziazmin dhe atmosferën deliriuese gjatë zgjedhjeve të para pas luftës (kur mbi 90 për qind të tyre ishin të gatshëm të votonin!?). Tipin e kulturës nënshtruese, që karakterizohet me pasivitet dhe indiferencë të madhe të qytetarëve të cilët mendojnë se ndikimi i tyre shoqëror është i parëndësishëm dhe çka është edhe më interesant i pamundur që të ndikohet në rrjedhat dhe vendimet e mëdha për vendin. Situatë dhe gjendje kjo që për indikatorë të kësaj sjelljeje të qytetarëve kosovarë do të mund ta merrnim mos interesimin e madh për të votuar në zgjedhjet nacionale. Dhe, tipi i ashtuquajtur indiferent, në të cilën mungon ndjenja qytetare, ku qytetarët të zhgënjyer me proceset politike, ato sociale dhe ekonomike, abstenojnë masovikisht nga përdorimi i mënyrave (që u garanton edhe Kushtetuta) për t’u kyçur dhe ndikuar në jetën publike të tyre.

Zhgënjimi i pasuar si pasojë i tërheqjes nga mënyra e të qenit subjekt aktiv në objekt pasiv, i bënë ata njerëz, pra qytetarë që vetëkënaqësinë e tyre e ushqejnë vetëm përmes skandaleve të shkaktuara nga korrupsioni, krimi i organizuar, veriu i Kosovës, privatizimi etj., por jo edhe pjesëmarrjes aktive (demonstrimeve sociale, shprehjes së pakënaqësive përmes peticioneve, nënshkrimeve dhe mënyrave tjera). Pra, identifikohen me hapësirën dhe ambientin në të cilën jetojnë, ambientin i cili i topit ndjenjat e të qenit aktiv në shoqëri e jetën publike politike.

Si vërehet, kudo në vendet me traditë demokratike, opinioni publik apo publiku i gjerë i qytetarisë është ai fuqizuesi apo ai iniciuesi i procesit të kultivimit dhe rrumbullakimit të mënyrës dhe kulturës demokratike të një vendi. Në rastin e Kosovës, roli i këtij mekanizmi akoma është në periferi edhe për shkak se qytetarët kosovar akoma janë në gjumë të thellë dhe të manipuluar, kurse elitat politike të joshura pas korrupsionit dhe krimit po bëjnë sehire dhe po shpresojnë që kjo gjendje dhe ky kaos të zgjatë sa më shumë dhe sa më gjatë, ngase vetëm kështu mund të mbijetojnë dhe të zhvatin të mirat e vendit.