Konstituimi i Kuvendit, Deliu-Kodra: Nëse s’ka reflektim të shtunën, do të ndërmarrim hapa ligjorë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit që të shtunën të paraqiten në Kuvend dhe të bëhet konstituimi i tij.
Ajo paralajmëroi se nëse një gjë e tillë nuk ndodh të shtunën, PDK-ja do të ndërmarrë hapa ligjorë.
“Jam e bindur se, nëse nuk ka reflektim të shtunën, do të ketë hapa ligjorë. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë tona si parti politike për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të vendit. Në të kundërtën, nuk ka kuptim të vazhdohet me këtë bllokadë të qëllimshme nga një parti që nuk i ka numrat dhe po përpiqet t’i shfrytëzojë të gjitha mandatet njëkohësisht – si atë legjislativ, ashtu edhe atë ekzekutiv”, tha Deliu-Kodra.
Kur u pyet lidhur me deklaratën e koordinatores së LVV-së, Dejona Mihali, e cila në një postim në Facebook ka thënë se partitë politike nuk po “arrijnë të shohin potencialet që gjenden në këto grupacione”, duke përmendur edhe “punëtorët e KDI-së e IKD-së”.
Sipas Deliu-Kodrës, Vetëvendosje disa ditë më parë kishte deklaruar se i kishte siguruar numrat për ta votuar kryetarin e Kuvendit, por sipas saj, këta numra po mungojnë.
“Pastaj, për deklaratat e eksponentëve të Vetëvendosjes as që dua të merrem – i kemi dëgjuar tash e sa kohë – fajin tentojnë t’ua mveshin partive të tjera, shoqërisë civile, mediave, sindikatave dhe shumë eksponentëve të tjerë në Kosovë”, u shpreh Deliu-Kodra, për RTV21.
“Përpjekje për zvarritje ”, Deliu-Kodra akuzon Vetëvendosjen për bllokadë
Deputetja e PDK-sw hodhi akuza ndaj Vetëvendosjes, duke thënë se kjo parti po tenton të zvarrisë punimet në Kuvend.
“Sot kishte një mundësi që një raport, të cilin ne e kundërshtojmë, të kalonte, nëse do të ekzistonte vullneti politik i tyre për të zhbllokuar situatën. Por ajo çfarë pamë sot ishte një përpjekje për të zvarritur edhe më tej zhvillimet në Kuvend, për shkak se ditëve të fundit telashet brenda partisë fituese, si dhe me minoritetet, janë bërë evidente. Kemi dëgjuar se ka shumë paqartësi se cila do të jetë vota e tyre për formimin e Qeverisë”.
“Në pamundësi për të hapur konstituimin e Kuvendit, sot në mënyrë arbitrare u vendos që, përmes kryesuesit të seancës, të ndërpritej seanca, duke u shkelur rregullorja e Kuvendit”, tha Deliu-Kodra.