RCCOLA

Kongresisti amerikan fyen viktimat e dhunimit

/ 5 minuta lexim
HIDROMORAVA

Shumë prej tyre nuk kanë folur për krimet e tmerrshme që kanë përjetuar, madje as me familjet e tyre. Të tjerat kanë shfrytëzuar përvojën traumatike për të informuar opinionin për rreziqet. Disa ishin të zemëruara, të tjerat tërhequra dhe në depresion.

Ka edhe nga ato që kanë folur dhe gjatë bashkëbisedimit janë ballafaquar me ndjenjat. Të tjerat mbylleshin, sepse ktheheshin tek tmerri që kanë mbijetuar dhe po mbijetojnë… Shumë viktima të dhunimit, vendosën që rrëfimet e tyre t’i ndajnë me publikun, përmes letrave që i kanë dërguar në redaksinë e CNN-it.

CNN kohët e fundit ka ftuar viktimat e përdhunimit, ato që duan të ndajnë përvojën e tyre të tmerrshme me pjesën tjetër të botës, që të dërgojnë letra në redaksi. Shumë shpejtë arritën 40 dëshmi të tilla.

Ky aksion është nxitur nga deklarata e pamatur e kongresistit Todd Akin. Ai kishte skandalizuar opinionin publik amerikan me tezën se gratë rrallë herë mbesin shtatzënë gjatë “përdhunimeve legjitime”, sepse trupi i tyre ka një mekanizëm natyror mbrojtës për ngjizjen në situatat e tilla.

Një femër nga Kanadaja, e prezantuar si Catherine, është sulmuar gjatë vitit të parë të studimit nga një njeri të cilin ajo e takoi në një aheng dhe i cili ofroi asaj transportin për në shtëpi.

“Mos definoni se çka është legjitime e çfarë nuk është. Asnjë përdhunim nuk është legjitim. Fakti se nuk kam mundur të luftojë për vete, a do të thotë se kam dashur të jem e sulmuar?”, pyet Catherine.

Një femër tjetër ishte përdhunuar kur ishte 18 vjeçe. Ajo është e shokuar se si dikush mund të mendojë se ka “dhunim legjitim”.

“Ndonjëherë një grua duhet ta bëjë atë çfarë kërkohet nga ajo, në mënyrë që të mbetet gjallë, madje duke bërë edhe marrëdhënie seksuale me një burrë me të cilin ajo nuk dëshiron. A nuk është ky dhunim?”, pyet ajo, duke shtuar se “çdo dhunim është i dhunshëm”.

Italiania Martin Lunardelli ishte përdhunuar kur ajo ishte vajzë e re. Për faktin se ajo është ende gjallë dhe se ia ka dalë të vazhdojë të jetojë me këtë traumë, e falënderon familjen e saj e cila që në fillim i ka dhënë mbështetje. Për fat të keq, jo të gjitha viktimat kanë pasur një mbështetje të tillë. Gail nga San Diego ka përjetuar trauma edhe më të madha pasi për dhunim u rrëfye tek babai i saj.

HIDROMORAVA

“Pasi jam sulmuar, fola me babanë. Meqë ishte ‘tradicionalist’, më rrahu e tha se kam bërë diçka që kam kërkuar”, thotë Gail. “Përdhunimi është një krim. Politikanët mund ta kuantifikojnë apo ta kualifikojnë, por vetëm viktimat mund ta ndjejnë dhembjen që ky krim mbartë me vete”.

Viktimat ballafaqohen në mënyra të ndryshme me traumat. Lynne, një nga vajzat që gjithashtu e ndau përvojën e saj me publikun, është përdhunuar duke u kthyer në shtëpi, në vendlindjen e saj. Jetën e saj ajo ia dedikoi angazhimit për të ndihmuar viktimat tjera të dhunimit.

“A e ka mbajtur Akini për dore ndonjë person që ishte viktimë e dhunimit apo të incestet? A i ka parë fytyrat e tyre apo të prindërve të tyre”, pyet Lynne.

Catherine, vajza që ishte përdhunuar në vitin e parë të studimit, ballafaqohet ndryshe me dhembjen e saj. Emocionet e saj ajo i shprehë përmes artit: vallëzimit dhe pikturës.

“Unë jam një viktimë e përdhunimit, por jam edhe mike, bijë, nënë dhe më shumë se kjo. Unë nuk jam më një viktimë: unë kam mbijetuar”, thotë Catherine.

Shërimi nga trauma, pas një sulmi seksual, mund të marrë vite të tëra. Viktimat janë shpesh të gatshme, për shkak të vuajtjeve, që ta ndajnë përvojën me opinionin. Duke e pas parasysh gjendjen e rëndë psikologjike të viktimave të përdhunimit dhe lëndimet fizike që kanë pësuar, është e qartë se pse disa prej tyre mbyllen në vete dhe me vite heshtin për atë që ka ndodhur.

Thema Bryant-Davis, psikologe në Universitetin e Pepperdine të Kalifornisë, për deklaratat skandaloze të Akinit reagon me një letër duke thënë se pikërisht për shkak të deklaratave të tilla, viktimat e dhunimit shpesh perceptohen si gënjeshtare.

“Jetojmë në vitin 2012, ndërsa ende mundohemi t’i pakësojmë viktimat duke i quajtur gënjeshtare nëse kanë ngjizur fëmijë me dhunuesin. Ato nuk janë viktima legjitime”, paralajmëron ajo. “Heshtja, gënjeshtra dhe injoranca duhet të ndalen”!