UBT

Konfirmohet aktakuza?

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Sot pritet të mbahet seanca e parë për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-Sekretarit të MSH’së, Ilir Tolajt. Burime të Express kanë bërë të ditur se kjo çështje tashmë është punë e kryer. Një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX’it, pritet ta konfirmojnë aktakuzën për ish-zyrtarin e lartë qeveritar.

Pas gjashtë muaj paraburgim, ish- sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj do të paraqitet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Aty, Tolaj do ta kuptojë një lajm shumë të rëndësishëm, varësisht nga vendimi që trupi gjykues i përbërë nga një trup gjykues i EULEX do të marrë për të. Atij pritet që sot t’i konfirmohet aktakuza e ngritur disa muaj më herët disa vepra të ndryshme penale që lidhen me keqpërdorimet që ai ka bërë gjatë kohës sa ka ushtruar funksionin e sekretarit permanent në MSH.

Këtë e ka konfirmuar për Express, Bajram Tmava, avokati mbrojtës i Tolajt. Ai bashkë me avokatët mbrojtës e të akuzuarve të tjerë të enjten do të jenë të pranishëm në sallën e Gjykatës së Qarkut. Aty Tmava do të kuptojë nëse gjykata do t’i marrë parasysh të gjitha akuzat të cilat e rëndojnë klientin e tij Ilir Tolaj. “Po të enjten nis seanca e parë për konfirmimin e aktakuzës”, i ka thënë gazetës të mërkurën avokati Tmava.

Si avokat mbrojtës, Tmava thotë se është bërë gati për cilindo vendim që merr trupi gjykues.

“Jam i përgatitur për të gjitha. Unë i kam marrë të gjitha provat, tash të shohim se çfarë do të bëhet të enjten”, thotë Tmava.

E burime të Express thonë se konfirmimi i aktakuzës tashmë është punë e kryer. Sipas këtij burimi, Gjykata e Qarkut në Prishtinë të enjten në orën 10:00 do t’ia konfirmojë aktakuzën ish-sekretarit në Ministrinë Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

Mobi Casa

“Tolajt do t’i konfirmohet aktakuza në lidhje me kompaninë farmaceutike “Jona Med”, e cila kishte fituar 1.4 milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë”, i ka thënë ky burim gazetës.

Nëse aktakuza konfirmohet Tolaj bashkë me të akuzuarit e tjerë, do të duhet të ballafaqohet me procese të shumta gjyqësore e me dëshmitarë të ndryshëm. E nëse ndodh e kundërta, të gjitha dyshimet do të bien në ujë. Tolaj bashkë me të akuzuarit e tjerë do të jenë të lirë.

Seanca e së enjten do të bazohet në aktakuzën që prokurorja angleze Maria Bamieh ka ngritur kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit, Arbetina Pajazitit, Nexhat Shabanit, Ismet Hysenit, Hajrullah Fejzës, Zenel Kuçit, Bekim Fushës, Alban Thaçit, Basri Asllanit dhe Imer Ajetit për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore për Nexhat Shabanin dhe Ilir Tolajn, kërkim ryshfeti-përpjekje për të marrë ryshfet, evazioni fiskal dhe pengim i provave. Tolaj është i përfshirë në shumicën prej aktakuzave.

Ilir Tolaj është arrestuar në janar të këtij viti, pas një bastisjejeqë Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e EULEX-it, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ka kryer në disa zyra në Ministrinë e Shëndetësisë, (Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, të Prokurimit, Farmacisë, Divizionin e Cilësisë së Shërbimeve dhe Arkivin) në kuadër të hetimeve nën dyshimet për korrupsion. Atë ditë, Tolaj së bashku me tre zyrtarë tjerë në MSH ishin arrestuar me dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit, shmangie nga tatimi, pastrim parash dhe krim të organizuar në dhënien e tenderëve në Ministrinë e Shëndetësisë. Që nga ajo kohë, Tolaj ndodhen në paraburgim në burg e Dubravës.

E përveçqë akuzohet për disa vepra korruptive gjatë kohës sa ka qenë në MSH, Ilir Tolaj, ka tentuar edhe nga burgu që ti ndalë hetimet për rastin e tij. Bëhet e ditur, se përmes disa familjarëve ish sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Tolaj, ka tentuar ti ndalojë hetimet. Në dosjen e siguruar nga disa media kosovare, thuhet se Tolajt i janë përgjuar telefonat celularë, deri më 20 qershor, ditën ku edhe vet zoti Tolaj kishte kuptuar se ishin duke ju përgjuar telefonin. Në bisedat telefonike, sipas dosjes së lëshuar nga prokurorja Maria Bamieh, theksohet se familjarët kanë tentuar që të paguajnë një shumë të madhe parash në lidhje që të ndërkrehen hetimet.