Konferenca shkencore e ISLD-së mbledhë ekspert të fushave të ndryshme
Gjilan – Instituti për Studime Ligjore dhe Demokratike ka organizuar Konferencën e VI-të Shkencore Rajonale me temë: “Bashkëpunimi komunal rajonal në funksion të qeverisjes lokale moderne”. Në këtë konferencë të pranishëm ishin: punëtorët shkencor, intelektual të rajonit, udhëheqës të institucioneve publike, profesorë, artistë, ekspertë të fushës së qeverisjes lokale, shoqëria civile, student dhe qytetarë të komunës së Gjilanit dhe të pesë shteteve të Ballkanit (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë).
Konferencën e shpalli të hapur Flamur Hyseni, kryetar i ISLD-së, i cili duke ju dëshiruar mirëseardhje të gjithë punëtorëve shkencor me qëllim që të ketë një debat dhe shkëmbim të koncepteve bashkëkohore të çështjes së qeverisjes lokale dhe bashkëpunimit rajonal komunal.
Hyseni falënderoi Komunën e Gjilanit për mbështetjen e pa rezervë që po i jep zhvillimit të shkencës dhe jetës akademike në përgjithësi duke i mbështetur konferencat e tilla shkencore, poashtu falënderoi Fondacionin Gjerman “Fridrih Ebert Stifutng” në Prishtinë, stafin e ISLD dhe gjithë punëtorët shkencor të pranishëm.
Para të pranishmëve me një fjalë rasti u paraqit z.Shqiprim Arifi ish – Kryetar i Komunës së Preshevës, i cili e falënderoi organizatorin, i përshëndeti të pranishmit dhe potencoi se tema e konferencës është e mirëseardhur, shumë e qëlluar ngase kemi nevojë të debatimit të temave të tilla, posaçërisht për bashkëpunimin komunal rajonal.
Arifi, para të pranishmëve tha se nivelet komunale në pesë shtetet e Ballkanit duhet ta ndërrojnë mentalitetin qeverisës dhe me urgjencë duhet të ndërhyjnë në modernizimin e shërbimeve publike, të cilat janë shumë të domosdoshme për qytetarin.
Profesori universitar Bejtush Gashi tha se kjo temë e prek drejtpërdrejt funksionimin e komunave, sepse qeverisja lokale përveç se ka impakt në fushat e tjera, poashtu ka një dimension edhe të fushës së sigurisë e cila është nevojë imediate për të pasur bashkëpunim rajonal komunal.
Profesor Gashi, poashtu potencoi se qeverisja lokale nuk ka vetëm karakter lokal, por edhe rajonal sepse, sa më shumë që të kemi 2 bashkëpunime të tilla të komunave aq më shumë rritet siguria në këto komuna dhe krijohet një stabilitet i mirëfilltë i sigurisë jo vetëm në komunat e caktuara, por në përgjithësi në rajon.
Në përfundim të pjesës ceremoniale të pranishmëve iu drejtua edhe Sekretari i ISLD-së dhe Sekretari i Revistës REFORMA z.Burim Haliti, i cili fillimisht foli për strukturën, kriteret dhe natyrën e punimeve të cilat janë të botuar në nr. 5/2017 të Revistës Shkencore “REFORMA” dhe i cili numër ka dal si rezultat i punimeve të cilat janë prezantuar në këtë konferencë.
Ai poashtu tha se tema e konferencës është shumë delikate dhe e ndjeshme sepse prek realitetin e sotëm. Sipas tij: “Bashkëpunimi komunal rajonal është domosdoshmëri e funksionimit të mirëfilltë e qeverisjes lokale dhe se pa një profesionalizim të resurseve humane në nivelet lokale nuk mund të kemi stabilitet qeverisës në nivelin qendror dhe rajonal”.
Sipas Halitit, profesionalizimi i nivelit lokal të qeverisjes nënkupton shpresë dhe dinjitet për qytetarin e asaj komune.
Ai poashtu falënderoi të gjithë të pranishmit dhe ju dëshiroj prezantim të suksesshëm të punimeve dhe debat të mirëfilltë akademik, shkencor dhe profesional. Prezantimi i punimeve filloi në ora 11:00 dhe ka përfunduar rreth orës 15:00 pas një paraqitje të mirë dhe dinjitoze të punëtorëve shkencorë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.
E veçanta e kësaj konference është se debati akademik dhe shkencor ka qenë në një nivel të lartë dhe me një kohëzgjatje më të madhe për kandidatët në raport me konferencat e tjera të organizuar nga ISLD.
ISLD gjatë ditëve në vazhdim do të kujdeset që rekomandimet e punëtorëve shkencor rreth bashkëpunimeve komunale të ju dërgoj institucioneve lokale të shteteve pjesëmarrëse në mënyrë që jeta akademike të ndikojë në përmirësimin e politikave lokale në vendet e rajonit të Ballkanit.
Punimet e konferencës shkencore janë përcjellur nga një numër i madhe i intelektualëve, ekspertëve të qeverisjes lokale, bota akademike, student, media dhe qytetarë të shumtë. Donatorë të konferencës ishin: Fondacioni gjerman Fridrih Ebert Stiftung, Komuna e Gjilanit dhe ISLD. ISLD premtoi se në shtator të vitit 2017 do të vazhdojë me konferencën e radhës./rajonipress/


