RCCOLA

Komunitetet dënojnë vrasjen në Ponesh dhe dëmtimin e varrezave në komunat fqinje

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Bardhyl Kadriu (LDK) tha se Komiteti duhet të dënojë së pari vrasjen në Ponesh, sepse ka ndodhur në komunën tonë dhe është vrasje ndëretnike, ndërkaq dëmtimi i varrezave ka ndodhur në komunat tjera dhe ende nuk dihen as autorët, megjithëse edhe ato janë akte qyqare.

Komiteti për Komunitete e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, pavarësisht rastit të vrasjes që ka ndodhur në Ponesh si dhe rasteve të dëmtimit të varrezave në komunat fqinje, të cilat i ka dënuar ashpër, duke kërkuar njëherësh nga qytetarët që të jenë të vetëpërmbajtur dhe të ruajnë tolerancën ndëretnike, për çka Gjilani ka qenë shembulli më i mirë në Kosovë, deri tani.

“Qëllimi ynë është që te qytetarët të dërgojmë mesazhe pozitive”, ka thënë Kemajl Shahin, kryesues i këtij Komiteti, ku përfaqësohen të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën e Gjilanit. Ai ka falënderuar qytetarët e Gjilanit që u treguan të përmbajtur në reagimet e tyre dhe nuk ndoqën shembullin e komunave tjera në dëmtimin e varrezave ortodokse.

Shahin ka thënë se vrasja në Ponesh dhe dëmtimi i varrezave në Kllokot e Viti, nuk janë raste për të dënuar një komunitet të tërë, por me to duhet të merret drejtësia dhe autorët duhet të përgjigjen për veprat që kanë bërë.

Bardhyl Kadriu (LDK) tha se Komiteti duhet të dënojë së pari vrasjen në Ponesh, sepse ka ndodhur në komunën tonë dhe është vrasje ndëretnike, ndërkaq dëmtimi i varrezave ka ndodhur në komunat tjera dhe ende nuk dihen as autorët, megjithëse edhe ato janë akte qyqare.

Edhe Fadil Gashi tha se arsye për të vrarë tjetrin, nuk ka askush, ndërkohë që kërkoi nga policia që rasti të ndriçohet dhe autori të sillet para drejtësisë, pa e politizuar rastin. Ai u shpreh i kënaqur që në këtë situatë, ku ka ndodhur një vrasje e rëndë, popullata në Ponesh ka treguar mirëkuptim dhe kështu duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Hidromorava

Sa u përket varrezave, Gashi tha se ky komitet e ka dëshmuar veten edhe para se të ndodhnin rastet në Kllokot e Viti, duke përkrahur nismën e banorëve të fshatit Bilincë, për rregullimin e varrezave të vjetra myslimane dhe ortodokse.

Edhe përfaqësuesit e komunitetit rom, Galip Hiseni dhe atij, serb, Tomisllav Naskoviq dënuan aktet e dhunshme dhe ftuan për të vazhduar bashkëpunimin për të mirën e përgjithshme.

Sadete Sadiku, përfaqësuese e Policisë së Kosovës, ka thënë se gjendja e përgjithshme e sigurisë në Gjilan, është e mirë. Sa i përket vrasjes në Ponesh, ajo tha se autori i kësaj vepre, që ndërlidhet me një kontest pronësor, nuk është arrestuar ende. Pas këtij rasti, policia i ka shtuar patrullimet në Ponesh, ku ka vendosur edhe një pikë statike, ka thënë sodiku.

Ajo mohoi që policia të ketë pasur ndonjë informatë paraprake për çfarëdo tendosje të raporteve ndëretnike në Ponesh, duke shtuar se policia është ftuar vetëm pasi ka ndodhur vrasja.

Ndërkaq, sa u përket reagimeve të popullatës ndaj situatës në Preshevë, Sadiku tha se qytetarët e këtushëm janë treguar të përmbajtur. /rajonipress/