Komunistët, njerëzit më të shkathtë, me dhënë ose me marrë ryshfetin
Nga Sinan Sadiku – Udhëheqësit komunistë të Kosovës nuk kanë bërë pasuri të madhe për vete, por nuk mendoj që dallojnë shumë njerëzit, veçmas shqiptarët, sa i përket lakmisë për t`u pasuruar pa punuar, pa marrë parasysh a janë komunistë a antikomunistë. Megjithatë, mundësitë për vjedhje dhe pasurim dallojnë shumë midis dy sistemeve, sistemit komunist dhe këtij të tashmit.
Një pjesë e madhe e komunistëve po t`i lejonte sistemi, po të guxonin do të vidhnin dhe pasuroheshin njësoj siç kanë bërë disa njerëz me pushtet pas luftës, duke i përfshirë disa komandantë dhe jokomandantë. Tani policia, prokuroria, gjykatat, as nuk i kanë aftësitë e as mjetet për ta luftuar korrupsionin dhe hajninë siç i kanë pas në sistemin komunist. Edhe ligjet janë shumë më liberale dhe shpesh njeriu e krijon përshtypjen se ato janë bërë më shumë për ta mbrojtur, kriminelin, hajnin, vrasësin, se sa punëtorin, të ndershmin, parimorin, kështu që seancat gjyqësore nganjëherë duken si hajgare.
Pra në komunizëm ka funksionuar shteti, ndërsa autorë të atij sistemi nuk kanë qenë shqiptarët, as në Kosovë. Atë sistem e kanë ndërtuar komunistët jugosllavë, e jo komunistët shqiptarë. Pra shqiptarët nuk kanë qenë projektues, por kanë qenë zbatues të atij sistemi. Nuk mund të besoj që disa nga komunistët që kanë bërë çka asht ni e zezë nuk do të kishin vjedh dhe nuk do të ishin pasuruar po të kishin pasur mundësi. Pastaj disa nga komunistët, veçmas ata që kanë pas funksione të larta, kanë ushtruar terror mbi këtë popullatë.
E kam parasysh Masakrën e Gjilanit, të Drenicës, të Tivarit… Pastaj mbledhjen e “tepricave” kur shqiptarëve në emër të tepricave u është marrë kafshata e bukës, Aksionin e Armëve, Shpërnguljen me dhunë në Turqi etj. Vetëm prej vitit 1981 deri në vitin 1989, sipas të dhënave zyrtare janë marrë në të ashtuquajturat biseda informative, pra janë rrahë dhe frikësuar mbi 700 mijë shqiptarë, e të mos flasim për diferencime ideo-politike, marrje të pasaportave, largime nga puna. Nuk besoj që komunistët: Ali Shukria, Kolë Shiroka, Mehmet Maliqi, Selim Brosha, Ali Vllasi, Refik Thaçi, Minir Krasniqi dhe shumë të tjerë që kanë ushtruar terror mbi këtë popullatë nuk do të vidhnin po të guxonin.
Nuk besoj që njerëzit që kanë torturuar, burgosur dhe mbytur nxënës, studentë, profesorë, shkrimtarë… të kenë qenë aq të ndershëm sa të mos vidhnin po t`u jepej mundësia. Edhe disa komunistëve shumë më parimor se ata që i përmenda më lartë posa iu dha mundësia pas lufte, u korruptuan. Shembulli më i mirë është sistemi gjyqësor tek ne, ku dominojnë ish komunistët.
Po të kishin qenë disa nga ish policët (shumica me grada të larta) , disa nga ish prokurorët dhe disa nga ish gjykatësit pak më idealistë, pak më parimor, pak më atdhetarë, punët do t`i kishim më mirë. Nuk di që ndonjëri prej tyre, siç ka ngjarë në shumë shtete të tjera (Psh. në Itali), të jetë përballë me guxim me krimin. Shumë më shumë kanë rrezikuar gazetarët, disa prej të cilëve janë kërcënuar e disa edhe janë vrarë. Unë për vete nuk di që ndonjë gjyqtar ose prokuror të jetë vrarë ose plagosur në Kosovë për shkak se e ka luftuar krimin e organizuar, e ka luftuar të keqen, siç ngjanë në shtetet tjera ku luftohet e keqja dhe zbatohet ligji. Nuk di që është kërcënuar ndonjë gjyqtar ose prokuror, dhe kjo është shumë e çuditshme. Pra në Kosovë, ka gazetarë të vrarë, të kërcënuar, të rrahur; ka shërbyes civil të vrarë, të kërcënuar, të rrahur; ka mjekë të kërcënuar, të rrahur; ka punonjës arsimor të kërcënuar të rrahur; por nuk ka gjyqtarë as të kërcënuar, as të rrahur e as të vrarë.
Po e përsëris shumica e prokurorëve, gjykatësve, udhëheqësve policor në Kosovën e lirë janë ish komunistë dhe në çdo dokument sistemi i jonë juridik del më i korruptuari. Shumica e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve janë milionerë, që i bie se komunistëve posa u është dhënë mundësia sa i përket vjedhjes dhe pasurimit nuk e kanë lënë keq. Sipas kaçikut! Komunistët në Kosovën e lirë janë treguar njerëzit më të shkathtë qoftë me marrë qoftë me dhënë ryshfetin!/rajonipress/


