Fundamenti

Komunat pa tokë

/ 4 minuta lexim

Komunat e Kosovës i ka kapur sikleti se do të mbesin pa tokë. Meqë AKP s’la vend pa shitur, tash komunat po kërkojnë që vetë t’i menaxhojnë pronat. Ato thonë se s’u ka mbet tokë as për të ndërtuar shkolla e spitale, e as për t’u ofruar bizneseve hapësirë për investime.

Komunave nuk do me u mbet tokë as për bahçe. Shumicën e sipërfaqeve që i kanë pasur në pronësi dikur, tani i ka në menaxhim Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila gati e ka privatizuar pjesën më të madhe të pronave shoqërore.

Prona të tilla në territore të ndryshme të komunave që dikur ishin oborre të ndërmarrjeve gjigante tani janë kthyer në objekte kolektive banimi.

Kjo po i shqetëson komunarët që përveç se nuk po kanë mundësi t’u ofrojnë investuesve hapësirë për zhvillim biznesi, nuk po kanë as ku të ndërtojnë shkolla e spitale për nevoja të qytetarëve.

Tani që toka “po harxhohet”, atyre duket se u ka rënë ndërmend se kanë nevojë për të që të zhvillohen ekonomikisht.

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tregon se me ligjin e ri për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, që ka kaluar në qeveri pritet të rregullohet kjo çështje.

Sipas tij, ligji u jep mundësi komunave që për interes komunal t’i kthejnë pronat nga AKP-ja.

“Disa komuna kanë mbet me shumë pak pronë komunale. Më herët komunat ia kanë dhënë pronat ndërmarrjeve shoqërore që po i privatizon AKP-ja”, thekson Ibrahimi.

Ai pohon se e kanë kontestuar qysh moti privatizimin e disa ndërmarrjeve, pasi shitja e tyre ka krijuar telashe në zhvillimin lokal.

“Nëse mendojmë me ndiku në zhvillim lokal, atëherë nëse komuna nuk ka pronë s’mund të ketë as zhvillim ekonomik lokal”, shprehet Ibrahimi.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se nuk e kanë për qëllim që me këtë ligj ta pengojnë procesin e privatizimit, por qëllimi kryesor është krijimi i mundësive për zhvillim ekonomik lokal.

Eco Higjiena

Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës është miratuar në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës me vendimin nr. 03/86 më datë 07.08.2012.

Neni 12 i këtij ligji i jep të drejtë komunës në kthimin e një pjesë të tokës të menaxhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“Komunat kanë të drejtë për interes publik kthimin e pronës së paluajtshme që përfshinë tokat e ish-ndërmarrjeve shoqërore të cila janë në territorin e komunës dhe tani administrohen dhe menaxhohen nga AKP-ja”, thuhet në këtë ligj.

Për ta bërë kthimin e pronave, komunat duhet të hartojnë listën e parcelave të tokave, prona këto të ish-ndërmarrjeve shoqërore tani të menaxhuara nga AKP-ja dhe lista ti dërgohet Qeverisë së Kosovës, me qëllim të tërheqjes nga procesi i privatizimit dhe kthimit të tyre në pronësi të komunës me qellim të realizimit të interesit publik.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me AKP-në ndërmarrin veprimet ligjore për kthimin e këtyre parcelave në pronësi të komunës.

Në bazë të ligjit, Bordi i Drejtorëve i Agjencisë do ta ketë fjalën përfundimtare duke u bazuar në tërë dokumentacionin e parashtruesit të kërkesës, rekomandimin e drejtorit menaxhues dhe në legjislacionin e zbatueshëm në këtë fushë të nxjerr vendim për aprovimin apo refuzimin e kërkesës së komunës.

Për të qenë i zbatueshëm ky ligj sipas drejtorit të Komunave, duhet të amandamentohet edhe ligji aktual për AKP-në.

“Nëse miratohet si i tillë atëherë ka implikime edhe në ligjin e AKP-së dhe ai duhet të amandamentohet dhe duhet të gjinden modalitete”, thekson Ibrahimi.

Ndërkaq, në AKP, nuk komentojnë për këtë çështje me arsyetimin se ende ligji nuk ka hyrë në fuqi.

Zëdhënësi i Agjencisë, Ylli Kaloshi shpjegon se me ligjin aktual për këmbim, neni 9, përcakton kriteret për procedim të kërkesave për ndërrimin e pronës shoqërore me atë komunale. Sipas tij komunat i bëjnë kërkesat konform ligjit dhe çdo kërkesë në përputhje me procedurat ligjore në fuqi është pranuar në Agjenci për shqyrtim të mëtutjeshëm.(express)