RCCOLA

Komunat e Anamoravës me realizim të ulët të projekteve kapitale

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Një analizë e publikuar nga Instituti GAP rreth të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore që ndërlidhet me projekt buxhetin e Kosovës për vitin 2023, ka nxjerr në pah performancë jo të kënaqshme të ekzekutimit të projekteve kapitale nëpër komunat e Kosovës. Nga këndvështrimi lokal, komunat në Anamoravë, në mesatare vlerësohen me dinamik të ulët në realizimin e investimeve kapitale.

Pavarësisht se Komuna e Gjilanit, krahasuar me shumicën e komunave tjera, ka treguar nivel më të lartë të ekzekutimit të projekteve, respektivisht 61%, në aspektin e realizimit kjo vlerësohet jo-kënaqshëm.

Derisa, Komuna e Vitisë ka realizuar 55% të projekteve, Komuna e Kamenicës vetëm 15%, Komuna e Ranillugut 23%, Komuna e Parteshit 37%, si dhe Komuna e Kllokotit vetëm 8%.

Pasqyrimi i analizës së Institutit GAP për periudhën janar – shtator 2022, reflekton punën në terën.

Në theks, Komuna e Gjilanit, gjatë këtij viti është shoqëruar me një seri të ankesave nga komuniteti gjilanas, rreth menaxhimit dhe ekzekutimit të punëve.

Në anën tjetër, investimet kapitale vazhdojnë të kenë prolongime në realizim. Ndërsa, cilësia e projekteve përfundimtare, përcjellët me lëshime dhe kualitet jo të kënaqshëm, problematik me të cilën, Komuna e Gjilanit, po shoqërohet nga të gjitha legjislaturat e deritanishme.

Sipas kësaj analize, disa nga problemet në vazhdimësi në realizimin e buxhetit ndërlidhen edhe me pandeminë COVID-19, hyrjen në realizim të projekteve të mëdha infrastrukturore me donatorë të mëdhenj pa pasur njësi zbatuese me kapacitete të mjaftueshme, mos funksionaliteti i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për një kohë të gjatë, etj.

KKGJILAN

Ndërsa, si më kryesorja, siç thekson analiza, mbetet planifikimi jo i duhur, ku nuk analizohen mirë shkaqet që mund të ndikojnë në mos realizim të projekteve.

Në nivelin qendror, projekt buxheti 2023 shpërfaq një tendencë të rritjes më të shpejtë të shpenzimeve rrjedhëse se sa atyre kapitale, rënie të nevojës për borxh për shkak të rritjes së të hyrave buxhetore, dhe rritje të subvencioneve dhe transfereve.

Raporti thekson se krahasuar me vendet e zhvilluara, veçmas me ato në Bashkimin Evropian, shpenzimet si përqindje e Bruto Produktit Vendor në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë mbesin ende të ulëta.

Tutje, sipas analizës së Institutit GAP, në projekt buxhetin e vitit 2023 parashihet rritje më e shpejtë e shpenzimeve rrjedhëse se sa atyre kapitale krahasuar me vitin 2022.

Shpenzimet rrjedhëse pritet të rriten për 18% krahasuar me vitin 2022, ndërsa ato kapitale për 15%.

Analiza nxjerr ne pah se rreth 200 milionë euro investime të reja kapitale. Nga gjithsej 810.7 milionë euro sa pritet të jenë investimet kapitale në vitin 2023, 611.4 milionë euro apo 75% janë planifikuar për vazhdimin e projekteve të mëhershme dhe 199.3 milionë euro apo 25% janë planifikuar për projekte të reja kapitale.

Publikimi i plotë i Institutit GAP mund të lexohet këtu: https://bit.ly/3B7BDZN